Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe zv. Presidenti i UEFA-s, Armand Duka ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin sportiv “Favorit”.

Ai ka shpalosur shumë detaje dhe ka dhënë informacione shumë të rëndësishme përgjatë kësaj interviste.
INTERVISTA E PLOTË (e transkriptuar):
PYETJA: Do të doja ta nisja me rastin e fundit që ndodhi në Serbi. A mund të na tregosh më saktësisht se çka ndodhi me flamurin e Kosovës në Kongresin e UEFA-s të mbajtur në Beograd.
DUKA: Kjo është vërtetë një çështje sensitive dhe unë do mundohem që edhe t’ju informoj edhe të jap opinionin tim për këtë çështje. Ju informoj për atë që ka ndodhur në Kongresin e UEFA-s në Beograd, ku ka marrë pjesë delegacioni shqiptar, delegacioni i Federatës së Kosovës dhe i gjithë federatave të tjera. Çdo gjë ka qenë normale dhe kur kemi hyrë në hollin e Kongresit një natë para ku bëhet një pritje zyrtare kanë qenë të gjithë flamujt e gjithë vendeve pjesëmarrëse, përfshirë edhe flamurin e Kosovës. Në atë moment, kur ne kemi qenë bashkë, delegacioni shqiptar dhe i Federatës së Kosovës, kryesuar nga Agim Ademi, në fakt kemi bërë një video të të gjithë flamujve shqiptarë e kosovarë dhe është publikuar nga ne. Pastaj çdo gjë ka qenë normale, një darkë zyrtare dhe të nesërmen në Kongres përsëri ka qenë normale ku flamujt dhe gjithë simbolet e të gjithë shteteve kanë qenë në tavolinat e pjesëmarrësve në Kongres. Kjo ishte një lloj mënyre informacioni. Pastaj menaxhimi nga ana jonë i asaj situate mbase nuk ka qenë në të vërtetë, të themi në mënyrë strategjike më i miri, sepse ne e publikuam atë video. E publikuam atë video jo për të provokuar njeri në Serbi, jo për t’u treguar triumfatorë, por për të sjellë si një shembull zhvillimi që defakto, sepse askush mos të mendojë që flamujt e vendeve atje vendosen pa miratimin e autoriteteve serbe. Kjo ishte një hap pozitiv, që defakto autoritetet serbe pranojnë flamurin e Kosovës në territorin e tyre dhe në një aktivitet zyrtar ndërkombëtar. Dhe kjo më shumë për t’u përshëndetur si një zhvillim pozitiv, sepse mendohet që dhe është mirë nëse Kosova ka sa më shumë njohje dhe njohja nga Serbia është një zhvillim akoma më pozitiv. Pastaj, pasi ne kemi publikuar videon, ka pasë një lloj acarimi nga qarqe që ne nuk i kemi parë fare se kemi qenë brenda në hotel apo në sallën e Kongresit, por kam parë në video të nesërmen që grupe kanë djegur flamurin e Kosovës, nuk e di nëse ka qenë në afërsi të hotelit, apo grupe le të themi ekstremistësh, jo më shumë se 4-5 vetë, me çka kam parë unë në video kanë djegur flamurin e Kosovës në afërsi të hotelit apo diku tjetër nuk e di. Nga pikëpamja e protokollit për ata ka qenë e përgatitur çdo gjë mirë dhe unë e kam parë si zhvillim pozitiv, e kam parë kështu siç ta thash, që flamuri i Kosovës për herë të parë vendoset në Beograd dhe vërtetë ka qenë një kënaqësi tjetër për mua duke qenë pjesë e futbollit, pjesë e UEFA-s, pjesë e federatave, qoftë e Shqipërisë dhe e Kosovës, që këtë gjë e ka bërë futbolli dhe ky ka qenë qëllimi i publikimit, pa dashtë me acaru askënd.
PYETJA: President, një ditë më vonë, flamuri i Kosovës ishte i vendosur në tavolinën e delegacionit të Kosvoës. A mund të na tregosh se kërkesë e kujt ishte heqja e flamurit. Në Kosovë ekziston dilema nëse atë e hoqi UEFA apo federata serbe e futbollit.
DUKA: Më vjen mirë faktikisht po ta kishin komentuar të gjithë kështu. Ta kishin komentuar si një zhvillim pozitiv dhe mos të kapemi me gjëra për ta bërë zhvillimin negativ edhe atë që është pozitiv. Dhe na shërben, unë mendoj që ka shërben. Thashë misioni jonë kryesor është futbolli. Futbolli është kaq shumë i rëndësishëm, është kaq shumë i madh sa që ka impakt edhe në zhvillimet shoqërore, apo qoftë edhe ato politike, dhe kur këto janë pozitive unë mendoj se duhet t’i komentojmë pozitivisht.
PYETJA: Por, a ishte kështu nëse mund ta themi një betejë insistimesh në lidhje me heqjen ose jo të flamurit? Ku ishte UEFA në këtë mes? A kishte reagime nga Federata e Futbollit e Kosovës për mos me e heq flamurin?
DUKA: Shiko, unë kur kam hyrë në Kongres, flamuri i Kosovës ka qenë në tavolinë, jam ulur në podiumin e Kongresit dhe pastaj nuk e kam parë momentin se kur është hequr, apo kur nuk është hequr flamuri. Kam parë thash flamurin kombëtar, të Kosovës në hyrje të sallës së Kongresit dhe e kemi filmuar atë. Mendoj që dmth, UEFA ka respektuar protokollin dhe zhvillimin dhe e ka detyrim në fund të fundit sepse nuk po bën ndonjë privilegj për Kosovën, që të respektojë të gjithë anëtarët në mënyrë të barabartë. UEFA është ajo që faktikisht e ka mbështet futbollin e Kosovës, e ka pranuar me votimin e të gjithë anëtarëve të saj, apo një pjese të mirë të anëtarëve të saj, me lobimin e përbashkët tonin dhe ka qenë një zhvillim pozitiv pranimi i Federatës së Kosovës në UEFA për zhvillimin e futbollit, por edhe për ndikimin që mund të ketë ai në njohjen e mëtejshme të Kosvoës. Nuk ka pasë asnjë lloj beteje sepse Kongresi ka filluar me flamurin në vend. Pa dyshim që ka pasë një lloj acarimi të këtyre ekstremistëve mbase jashtë sallës së hotelit. Thash, edhe më shumë këto i kam parë në media, në rrjete sociale dhe nuk është se kam parë ndonjë gjë aty. Ka pasë një lloj shqetësimi të atyre, qoftë të federatës serbe dhe të autoriteteve serbe sepse janë ndjerë në një lloj mënyrë mbase të kërcënuar nga këto grupet ekstremiste atje në Beograd.
PYETJA: Zotëri Duka, në raste të tilla rruga e parë është drejtimi tek vëllai, në këtë rast në Kongres keni qenë vëllai i Agim Ademit. Cili ishte reagimi apo fjalët e para që i tha zotëri Ademi me rastin e heqjes së flamurit? Si reagoi në fakt te ju? A mund të na zbuloni atë momentin e reagimit të Ademit, sepse realisht jemi në një terr informativ nëse mund ta them ashtu?
DUKA: Nuk e kuptoj se çka jeni në terr informativ dhe nuk e kuptoj se pse nuk e shihni kështu siç them unë që e rëndësishme është që flamuri i Kosovës për herë të parë u vendos në Beograd, u pranua defakto nga Beogradi dhe u vendos nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe nga institucioni evropian i futbollit që është UEFA, dhe është po kjo UEFA që siç thashë e ka mbështetur, vazhdon ta mbështesë dhe do ta mbështesë futbollin në Kosovë, zhvillimin e saj dhe të ndërtojë ura lidhje komunikimi dhe zhvillimi për gjithë vendet anëtare të saj.
PYETJA: Po presidenti Ceferin a e tha ndonjë fjalë qoftë privatisht si miq që ju ka juve dhe zotëri Ademin?
DUKA: Besoj se e ke dëgju fjalimin e presidentit Ceferin, e kemi dëgju qëndrimin e tij për gjithë zhvillimin, apo misionin që ka futbolli, misionin që ai realizon nëpërmjet lojës dhe impaktin në jetën shoqërore që ka, ku ka marrë për shembull zhvillimin e Kampionatit Evropian si vende organizatore mes Shqipërisë dhe Serbisë.
PYETJA: Zotëri Duka, në Kosovë në këtë rast pati shumë reagime dhe shumëkush tha që delegacioni i Kosovës ndoshta është dashur ta braktiste Kongresin…
DUKA: Gjithkush e ka të drejtën të japi opinionet e tij, por unë i ftoj të gjithë që të shohin si zhvillim pozitiv.Të gjithë ju mund të jepni opsionet e juaja, të gjithë mund të keni të drejtë të jepni opinionet e juaja dhe unë nuk kam as autoritet, as të drejtë që t’ju kërkoj të ndryshoni opinionet. Unë jap opinionin tim.
PYETJA: Por, a ka qenë në opsion braktisja e Kongresit nga ana e Ademit në kuptimin profesional rreth tretmanit të UEFA-s karshi Kosovës, që megjithatë e vazhdoi qëndrimin në Kongres?
DUKA: (Qesh) Mua mos më bëj pyetje provokative, por më bëj pyetje që i shërbejnë vërtetë opinionit publik, që i shërbejnë zhvillimit të futbollit.Ta thashë që në fillim, që flamuri i Kosovës, i Shqipërisë dhe i gjithë vendeve anëtare kanë qenë në sallë e Kongresit ku ne kemi hyrë në Kongres dhe nesë ky ka lëviz gjatë zhvillimit të Kongresit, apo në fund të zhvillimit të Kongresit, ta thashë në fillim që unë këtë nuk e kam parë, sepse kam qenë në podium të drejtimit të Kongresit. Kështu që, nesë është hequr, apo ka pasur një padrejtësi ndaj federatës së Kosovës, ky është qëndrim që duhet ta dish, pastaj ta komentosh.
PYETJA: Si e gjykoni ju vendimin e presidentit Ademi për ta vazhduar qëndrimin në mbledhje, pavarësisht rastit të heqjes së flamurit?
DUKA: Unë faktikisht nuk e di se sa i shërben ky komunikim i joni pozitivisht kësaj çështje, por po ju bëj një pyetje edhe juve. Ju personalisht, e shihni si zhvillim pozitiv vendosjen e flamurit të shtetit të Kosovës në Beograd apo negativ. Unë mendoj se ne duhet të marrim anën pozitive të çështjes. Nuk është shumë e lehtë, sepse të gjithë këta që tentojnë të bëjnë nacionalistin, qoftë në Shqipëri, apo në Kosovë nuk kanë arritur të bëjnë asgjë nga këto dhe nuk kanë arritur të vendosin asnjë simbol të Kosovës në Beograd. Por, komentojnë një gjë që nuk është shumë e lehtë, që të vendosësh flamurin e një shteti, me një konflikt jo shumë të hershëm dhe që tenton të mos e njohin, të mos e njohin Kosovën, kështu që le ta shohin si zhvillim pozitiv.
PYETJA: Po kalojmë në diçka tjetër, meqenëse na e sqarove mjaftueshëm çështjen e flamurit të Kosovës në Beograd. Emri juaj është shumë i diskutueshëm për temat që ndodhin në futboll, sidomos për këto temat e mëdha. Jeni përmendur edhe te kalimi i lojtarit Etnik Brruti nga Kosova te Shqipëria. Për një pjesë të madhe të analistëve dhe opinionit, kjo lëvizje s’ka asgjë të keqe, por një pjesë tjetër ju ka kritikuar për çasje sipas të cilëve po dëmtohet Kosova. A mund të na japësh një sqarim rreth kësaj teme pak më gjerësisht?
DUKA: Unë besoj se ju i keni marrë të gjitha përgjigjet dhe sqarimet, por është faktikisht e udhës që të jap edhe unë një përgjigje, meqë jemi në këtë komunikim bashkë. Unë e kam thënë saherë dhe po e ri them që politika e Federatës Shqiptare të Futbollit të paktën prej dy dekadash është politika e dyerve të hapura për çdo shqiptar, i cili dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar shqiptar. E njëjta politikë ka qenë edhe për Etnik Brrutin dhe për gjithë të tjerët. Edhe pa dyshim që ne dëshirojmë që të paktën si zgjedhje të parë të kenë Kosovën ose Shqipërinë dhe jo ndonjë kombëtare tjetër. Djali është i talentuar, realisht ka filluar futbollin me ekipet kombëtare të Shqipërisë, pastaj ka vendosur të vazhdojë me ekipet kombëtare të Kosovës dhe të kthehet përsëri në Shqipëri. Ne nuk i kemi thënë as në kohën që ka shkuar në Kosovë pse ke ikë dhe as në kohën që ka ardh në Shqipëri t’i mbyllim derën. Kështu që, do t’i hapim derën çdo lloj futbollisti që i shërben Kombëtares Shqiptare dhe unë mendoj që siç e the dhe ti ka një pjesë të opinionit kështu që e përkrah këtë mendim apo këtë vendim të futbollistëve. Ka edhe një pjesë të opinionit që e kundërshtojnë për më shumë sportivisht dhe për mendimin tim kanë dhe të drejtë sepse nga pikëpamja sportive, mbase skuadra e Kosovës dëmtohet. Por, politika jonë ka qenë, është dhe do të jetë po kështu, me dyer të hapura për çdo njeri që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren Shqiptare. Unë personalisht dhe gjithë opinioni nuk kemi pse atakojmë futbollistët që vendosin të luajnë për [nuk kuptohet] e Zvicrës ku ne i kemi bërë heronj kur kanë luajtur, më falni për kombëtaren e Zvicrës, për Gjermaninë apo për Italinë dhe në kohën që vijnë të luajnë për Shqipërinë nuk kemi pse t’i quajmë tradhtarë.
PYETJA: Kur jemi te kalimi i lojtarëve që ndodh shpesh ndër vite nga Kosova te Shqipëria, zakonisht këtu në Kosovë shtrohet pyetja se cili është raporti mes dy federatave. Ju dëgjojmë shpeshherë ta përmendni atë raport vëllazëror, por analistë të ndryshëm e shohin si një mangësi në fakt komunikimi kur çështja e këtyre lojtarëve, e këtyre kalimeve përmendet. Është përmendur edhe një marrëveshje xhentëlmene që keni pasur me të ndjerin Fadil Vokrri, përmendet edhe sot vazhdimisht nëpër media. A mund të na tregosh pak se çka përmban në fakt ajo marrëveshje xhentëlmene dhe qysh komunikoni me Agim Ademin në lidhje me këtë temë?
DUKA: Unë nuk kam dashur ndonjëherë që t’i mshoj apo të ritheksoj për gjithë marrëdhënien apo kontributin që mund të kemi, kontributi i përbashkët për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe Shqipëri, por është e vërtetë, por nuk ka ndonjë marrëveshje xhentëlmenesh, por ka një marrëveshje shpirtërore dhe detyrim të njëri-tjetrit për të bashkëpunuar, për të qenë bashkë sepse ne jemi një komb dhe ky lloj bashkëpunimi ka filluar shumë herët. Ka filluar qysh para se Kosova të ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s në të gjitha drejtimet dhe mundësitë e federatës së futbollit për ta mbështetur atë, jo sepse ne jemi më të mirë, jo sepse ne jemi më të mëdhenj, por sepse Federata Shqiptare ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s dhe kishte mundësi më shumë dhe këto mundësi i ka përdorë pa kursim për ta mbështetur Federatën e Kosovës. I ka përdorë pa kursim për të lobuar në anëtarësimin e Federatës së Kosovës në UEFA dhe FIFA dhe ky anëtarësim ne e shohim, jemi dëshmitarë të një zhvillimi fantastik që i ka dhënë futbollit në Kosovë. Ka qenë pra shumë determinant. Ne jo vetëm para se Kosova, Federata e Kosovës të ishte anëtare në FIFA dhe UEFA, por edhe pasi ajo është, kemi vazhduar dhe bëjmë bashkëpunime. Janë të përgatitur në Shqipëri trajnerë që nga niveli i licensës C deri në Pro, mbi 250 trajnerë, vazhdojnë të përgatiten çdo ditë. Ka gjithmonë kuotë të veçantë për Kosovën dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Janë përgatitur dhe janë trajnuar arbitra. Kemi bërë bashkëpunime apo asistencë për mirëmenaxhimin le të themi, trajnimi i VAR-it për Kosovë është bërë në Shqipëri dhe vazhdon e do vazhdojë të jetë kështu. Pse jo, kemi marrë edhe eksperienca nga Federata e Kosovës dhe bashkërisht kemi ecë përpara. Pra, politika jonë është gjithmonë që ne jemi bashkë dhe do vazhdojmë të jemi bashkë. Nuk e cënon këtë marrëdhënië një futbollist, qoftë Etnik Brruti apo qoftë Armend Dallku që ka qenë në Shqipëri dikur, apo qoftë Debatik Curri. Këto quhen vlera vërtetë në futbollin shqiptar. Ne nuk kemi pse i cënojmë gjithë marrëdhëniet tona për lëvizjen apo dëshirën e një futbollisti. Ne nuk kemi cënuar marrëdhëniet me Gjermaninë pse ka ikur një futbollist në Gjermani apo në Zvicër, aq më pak nuk cënohen marrëdhëniet me Federatën e Futbollit të Kosovës. Si të jetë Duka president, apo kushdo të jetë, unë jam shumë i bindur dhe i sigurt që marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë vëllazërore.
PYETJA: Z. Duka, por a keni biseduar ndonjëherë me z. Ademin sa i përket kësaj çështje. A t’i ka shprehur ai shqetësimet e tij pasi në Kosovë pati shumë reagime. Madje, trajneri i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani ishte goxha kritik ndaj jush dhe ndaj çasjes suaj. Kishte reagime madje edhe nga brenda kombëtares së Kosovës?
DUKA: Unë e kam shprehur qartë dhe vazhdoj ta shpreh. Kjo do të jetë politika e Federatës Shqiptare të Futbollit. Do të jetë e hapur për çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar shqiptar. Ju mund të keni vërejtje për këtë lloj politike, por ne nuk do ta ndryshojmë.
PYETJA: Z. Duka, po kalojmë pak te kualifikimet e Botërorit. I filluat ato, apo nëse mund të themi i filluam ato me një humbje e një fitore. A mund të na thuash se cilat janë shanset e kualifikimit historik në Kupën e Botës?
DUKA: Që me hedhjen e shortit, faktikisht nuk ka qenë një short i kënaqshëm për ne nga pikëpamja sportive sepse kemi Anglinë, një nga skuadrat që pothuajse asnjëherë nuk ka bërë një hap fals në kualifikuese. Madje, në vitet e fundit ka mbyllur turnetë kualifikues, ndeshjet kualifikuese me pikë të plota. Kështu që, është vërtetë një ekip i fortë, pastaj dhe Serbia është një skuadër me element shumë të mirë, por mbase jo një skuadër kompakte. Pra, nuk është një grup i lehtë, por gjithsesi ne kemi filluar me synimin që ne mund të shkojmë në Botëror dhe do vazhdojmë kështu. Vërtetë kemi humbur ndeshjen e parë, por nuk është një zhgënjim, sepse pritshmëritë tona ishin shumë të mëdha që do të fitonim në Angli. Kemi fituar një ndeshje të dytë që në letër quhet një kundërshtar modest, por kur nuk e arrin rezultatin bëhet i vështirë, siç eksperiencat tona kanë treguar. Andorra na ka barazuar në vitin 2019 në Tiranë 2:2. Tashmë duket një pengese e kaluar lehtë dhe do vazhdojmë të kemi pengesa të vështira. Të gjitha përballjet tona do të jenë të vështira, ajo kundër Serbisë më 7 qershor, ajo kundër Letonisë më 10 qershor dhe për të vazhduar më tej në Serbi, në Shqipëri kundër Letonisë, apo në Andorra dhe kundër Anglisë. Pra, çdo ndeshje do të jetë e vështirë. E dimë që është një rrugëtim i vështirë, por ne do të synojmë, do të ëndërrojmë. Gjithmonë Botërori mbetet më i vështirë se Evropiani sepse kualifikohen vetëm 16 skuadra, kualifikohen vetëm vendet e para dhe të dytat luajnë në play-off dhe besoj se objektivi real i joni dhe ajo që duhet tentuar më shumë është që të kërkojmë Botërorin përmes play-offit. Por dihet në futboll pastaj janë shumë gjëra që duhet bëhen bashkë dhe unë uroj që të bëhen bashkë. Qoftë edhe ajo që the ti në fjalinë e fundit a do shkoni në Botëror, apo do shkojmë në Botëror. Nëse ne themi se do të shkojmë në Botëror, më të lehtë do ta kemi rrugën.
PYETJA: Po gjasat e Kosovës për të shkuar në Botëror si i shihni?
DUKA: Kosova ka vërtet një grup të balancuar, ka një grup të përafërt me atë që kishte Shqipëria në Ligën e Kombeve, i cili përfundoi në vendin e fundit me 7 pikë, ku 7 pikë nuk i kishin bërë në tre grupet tjera bashkë, nga vendet e fundit dhe vendet që u ngjitën më lartë ishin me pikë të barabarta, dhe Kosova ka të njëjtën gjë. Mund të arrijë vendin e parë në atë grup me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë, por mund të arrijë edhe vendin e fundit. Duhet të ketë fat, duhet që t’i ketë futbollistët në gjendjen optimale gjatë zhvillimit të ndeshjeve, e ka filluar mirë pavarësisht se ishin ndeshje play-offi për Ligën e Kombeve këto të marsit, por me rezultate shumë bindëse, me lojëra vërtetë shumë të bukura, qoftë në Prishtinë apo qoftë në Spanjë, kundër Islandës. Tashmë uroj që t’i ketë vërtet futbollistët në dispozicion, të ketë formën më të mirë, të ketë mbështjetjen maksimale dhe të bëjë rezultate pozitive. Thashë, për mua është një grup i balancuar, Kosova mund të renditet e para në grup, por larg qoftë, mund të renditet edhe e fundit.
PYETJA: Zotëri Duka në kuadër të kualifikimeve, do t’i zhvilloni dy ndeshje me Serbinë: A jeni informuar nga Federata serbe se ku do ta presin Shqipërinë, në Beograd apo në ndonjë vend tjetër? Nëse do të ketë tretman të njëjtë organizativ ndeshja me Serbinë, duke marrë parasysh historinë në të kaluarën, a do të ketë një tretman të veçantë kjo ndeshje?
DUKA: Ne kemi një eksperiencë në organizimin e ndeshjeve me Serbinë në Tiranë, padyshim që ka pasur masa të shtuara sigurie, është konsideruar një ndeshje me rrezik të lartë për arsye që dihen, por kemi përfunduar me sukses organizimin e saj pa incidente të mëdha, ka patur faktikisht një goditje me gur të autobusit të futbollistëve serbë në hyrje të Tiranës, dhe ky ka qenë incidenti i vetëm që më mirë do të ishte mos të ndodhte dhe jam shumë i bindur që ne përsëri do ta organizojmë mirë. Kam besim në eksperiencën e organizatorëve, që është FSHF-ja, kam besim në ata që do të vijnë në shkallët e stadiumit. Më duket se ne jemi me të vërtet më të civilizuar dhe dijmë ta ndajmë sportin nga politika, dijmë të mbajmë emocionet sportive në sport dhe ndihma reale që mund t’i japim skuadrës, është ta ndihmojmë atë sportivisht, ta përjetojmë atë si një ndeshje futbollit, fitorja jonë është që të fitojmë rezultatin në fushë, të fitojmë tre pikët dhe të ecim përpara, dhe pa dyshim kam besim shumë edhe te Policia e shtetit shqiptar, që do të na ndihmojë për ta organizuar shumë mirë. Ndërsa, në Serbi, eksperiencat janë negative, më duket se ata kanë shumë më shumë huliganizëm, ne nuk kemi. Ata janë më pak të organizuar se ne. Uroj që të ketë nxjerrë mësim nga ajo ndeshja e kaluar dhe të bëjnë çdo gjë mirë. Shumë e rëndësishme është që të ndërgjegjësohen, qoftë futbollistët serbë, qoftë edhe mbështetësit, që kjo është një ndeshje futbolli dhe ta përjetojnë si një ndeshje futbolli dhe si një festë sportive.
PYETJA: A jeni njoftuar nga Federata se ku do të mbahet ndeshja, në Beograd apo diku tjetër?
DUKA: Jo, akoma nuk është përcaktuar, ka afate për të përcaktuar stadiumin se ku do të luhet ndeshja, dhe ata janë ende brenda afateve, akoma nuk kanë njoftuar as ne si Federatë, apo UEFA-n se ku do të luhet ndeshja kualifikuese.
PYETJA: Zotëri Duka, këto dy përballje të Shqipërisë me Serbinë i paraprinë organizimit të përbashkët për Europianin U21 të vitit 2027, a besoni se do të shkojë gjithçka sipas frymës sportive, që do të shkojë gjithçka mabrë e mirë, siç është planifikuar?
DUKA: Mendoj që është në interesin e të gjithë që çdo gjë të shkojë mirë, kam shumë besim te eskperienca që ne kemi në organizimin e eventeve të tilla, kam shumë besim te të gjithë faktorët brenda vendit që do ta mbështesin, se në fund të fundit, që në momentin që kemi aplikuar për një edicion të tillë, një kampionat kaq shumë të rëndësishëm, kemi pasur mbështetjen e të gjithë institucioneve publike dhe shtetërore në Shqipëri, dhe me këtë lloj mobilizimi të përbashkët, jam shumë i bindur që do të arrijmë të organizojmë në mënyrën më të mirë këtë ngjarje vërtet historike, për futbollin shqiptar.
PYETJA: Zotëri Duka dua t’i përmendin edhe dy-tri pika që janë në interes të publikur. Së fundmi klubi i Tërnocit u keqtrajtua nga policia serbe, ne kemi bërë intervista me përfaqësuesit e këtij klubi dhe e kemi vërejtur se ata e kanë vëmendjen nga ju dhe shpresat te ju, duke qenë si një zëvendëspresident i UEFA-s, si e pe këtë rast dhe cila është porosia juaj për këta shqiptarë që luajnë futboll në kuadër të Serbisë?
DUKA: Unë në fakt e kam parë qëkur ka ndodhur, sepse më kanë informuar gazetarët nga Lugina, për incidentin e ndodhur në atë ndeshje, nuk kam një informacion të detajuar, kam parë qëndrimet e klubit për këtë incident, nuk di detaje se përse dhe nga se ka ardhur, por gjithsesi është e pafalshme që të cenohen sportistë, qoftë në fushë, apo qoftë në dhomat e zhveshjes nga çdo kush, qoftë polic apo kushdo tjetër. Unë nuk besoj se ka pasur arsye objektive për të ndodhur kjo, por nuk kam informacionin e duhur. Thashë edhe një herë, të gjithë duhet të kuptojnë që kjo është një lojë e bukur që luhet nga të gjithë dhe e cila duhet të krijojë e të hapi mesazhe paqeje, duhet të krijojë ura komunikimi, pavarësisht se brenda një shteti serb, janë përballur dy skuadra, le të themi me futbollistë të nacionaliteteve të ndryshme, dhe ky kryesisht shqiptarë, ajo është një lojë futbolli, i cili duhet që të shërbejë për të komunikuar më mirë, për t’u bashkuar dhe për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë, pra ky është një lloj mënyre dëshirave dhe mesazhi. Për më tej, unë kam dërguar një letër federatës serbe dhe UEFA-s, për të pasur një informacion më shumë dhe farë ne duhet të bëjmë që këto lloj ngjarje, mos të cënojnë lojën, mos të cenojnë futbollin, mos të cenojnë futbollistët dhe asgjë.
PYETJA: Pra do të thotë se ke reaguar në rugë zyrtare rreth këtij rasti?
DUKA: Siç ta thashë, kam dërguar një letër në federatën serbe dhe për dijeni, UEFA-s, për të pasur më shumë informacione dhe i kam kërkuar që të të distancohen nga ngjarja.
PYETJA: Së fundmi, kemi dëgjuar edhe disa ankesa të tifozëve rreth çështjes së biletave, çka ndodhi dhe a pritet të bëni një zgjidhje, dhe të kalohet e gjitha kjo polemikë?
DUKA: Ne kemi vendosur politikat tona si organizatorë për shpërndarjen e biletave dhe këtë gjë e kemi deklaruar publikisht që kemi instaluar sisteme kompjuterike digjitale për shpërndarjen apo shitjen e tyre, i cili lejon çdo individ të prenotojë jo më shumë se katër bileta dhe kjo është respektuar dhe nuk i është mohuar e drejta askujt dhe as nuk i është dhënë privilegji. Diskutimi këtu është se gruptimi i tifozëve Kuq e Zi apo edhe ndonjë grup tjetër, kërkon që të ketë bileta të rezervuara dhe siguruar nga FSHF-ja, sepse kjo ka qenë realisht dhe tradita e mëparshme se si është vepruar. Ne mendojmë se është më mirë që çdo njeri të ketë shanse të barabarta, duke pasur parasysh dhe rritjen e kërkesës për të mbështetur ekipin kombëtar në stadium dhe nuk ia mohojmë të drejtën askujt që të blejtë bileta, qoftë ai edhe grupi i tifozëve, të cilët ofenduan dhe shanë në stadium, në ndeshjen kundër Andorrës, dhe për të cilën ne, sepse nuk ofenduan dhe shanë vetëm presidentin e federatës, por bënë edhe thirrje, le të themi, nacionaliste, të cilat nxisin urrejtje apo provokojnë, dhe për të cilat ne përsëri jemi në proces disiplinor, për ato ngjarje. Edhe një herë, unë mendoj që ne nuk i mohojmë të drejtën gjithkujt, por i japim shanse të barabarta të gjithë atyre që duan të mbështesin kombëtaren shqiptare. Nëse i referohemi ndeshjes së fundit, siç thashë, ai grupimi që ishte në stadium ka blerë bileta për të hyrë në stadium, sepse pa blerë bileta nuk mund të hynte.
PYETJA: Zotëri Duka në Prishtinë ka pasur edhe polemika me këngën e famshme të artistes Shkurte Fejza – “Mora Fjalë”, një herë u mendua se u largua nga stadiumi komëbtar, por së fundmi u dëgjua përsëri, a do ta dëgjojmë sërish në ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë?
DUKA: Ju i ndërtoni argumentet vetë, jepni opinionet për ato argumente që i keni ndërtuar ju. I bëni vetë dhe i çbëni vetë. Ne as nuk heqim dhe as nuk bëjmë këngë, ne jemi domëthënë… në fund të fundit, ajo se çka e ka bërë më popullore atë këngë ka qenë kombëtarja shqiptare e futbollit, dhe meqë ne e bëmë kaq shumë popullore, ne ishim ato që e censuruam. Këto janë idiotësi, që nuk e di se kush i shpikë, dhe nuk e di kujt i interesojnë, si kjo idiotësi, ka edhe idiotësi tjera. Unë nuk e di se kujt i intereson që duhet të themi se Kosova dhe Shqipëria, që duhet të themi federata shqiptare e futbollit dhe federata kosovare e futbollit. Nuk e di se kujt i intereson që ne duhet të na fusi të tilla spica, që hoqëm këngën. Ne e kemi promovuar atë këngë, ne e kemi bërë që të jetë hit, për gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërie, edhe këtë nuk keni pse të na ktheni në negative, le t’i shohim gjërat pozitivisht. E keni dëgjuar gjithmonë dhe do të dëgjoni çdo lloj kënge që e motivon futbollistët dhe që është e dashur për spektatorë.
PYETJA: Zotëri Duka në Prishtinë është përshtypja se një përparim i hovshëm e i shpejt i futbollit shqiptar në shumë aspekte të zhvillimit, nga kombëtarja, kampionati e deri te struktura. Do të ndërtoni tri stadiume të reja, dhe janë ndërtuar disa të tjerë, si po e bëni këtë, a mund të na sqarosh pak më shumë në detaje?
DUKA: Kemi përfunduar një stadium, në Rrogozhinë, në të cilin do të luajë turneu final i kampionatit europian të vitit 2027 dhe kemi një projekt ndërtimit të gjashtë stadiumeve tjera, në Durrës, në Vlorë, në Korçë, në Kavajë dhe në Tiranë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Vërtetë infrastruktura në Shqipëri ka ndryshuar shumë, ka ndryshuar në stadiume, ka ndryshuar në fushat e stërvitjes, dhe këto i kanë shërbyer zhvillimit të futbollit në vend.
PYETJA: Por, si po e bëni këtë? A mund të na sqarosh?
DUKA: Janë projekte të mëdha, janë projekte të rëndësishme, dhe kryesisht ne me menaxhimin shumë të mirë të drejtave që ne kemi si organizator i futbollit në Shqipëri, nëpërmjet sponsorëve, nëpërmjet marketingut, nëpërmjet të drejtave televizive, reklamave, dhe një mbështetje shumë e fortë e madhe nga FIFA e UEFA.
PYETJA: A synon të jesh president i UEFA, në një të ardhme të afërt ose të largët?
DUKA: Jo, nuk e kam fare në objektivat e mi këtë, unë në planin personal jam shumë i lumtur, do i shërbej futbollit shqiptar, me gjithë mundësitë e mia dhe nëse qënia ime deri në këtë pozicion që jam, zëvendëspresident i UEFA-s i shërben futbollit shqiptar, le të jetë mbase edhe më gjatë. Nuk kam objektiva të mi për të qenë president, ne e kemi presidentin e UEFA-s, Aleksandar Ceferin, dhe unë e mbështes fortë atë.
PYETJA: Zotëri Duka, po dua me të njohur edhe më ndryshe, jashtë petkut të seriozitetit. Do t’i bëj disa pyetje pak më relaksuese. Tifoz i cilit ekip europian je?
DUKA: Kam qenë dikur milanist, mbase edhe për arsye të ngjurave kuq e zi, por ky lloj tifozllëku tani për klube është zbehur sepse jam i përqendruar te kombëtarja shqiptare dhe emocionet e kombëtares shqiptare nuk krahasohen me asnjë lloj kompeticioni tjetër, jo vetëm sportiv por edhe jashtë sportit. Mbetem një simpatizant milanist, por jo edhe tifoz.
PYETJA: Por, cili është lojtari shqiptar më i mirë i momentit? Broja, Asllani, Zhegrova, Rrahmani, Muriqi apo dikush tjetër?
DUKA: Kjo është pyetje e vështirë, të gjithë këta që the ti janë shumë të talentuar, qoftë Broja, qotë Zhegrova që më pëlqen shumë për nivelin teknik të tij dhe për ato që ka dhënë në fushë, Rrahmani që është solid, qoftë te Napoli apo te kombëtarja e Kosovës, Asllani pa dyshim, tani mbase përmenda ca emra, por mund të përmendësh shumë të tjerë. Nuk mund të themi për një individ që është më i miri, dhe kryesisht në Shqipëri. Nëse do të krahasojmë futbollistët tanë me ndonjë kombëtare tjetër, mbase nuk kemi yje aq shumë sa ata, por ajo që kemi më të mirë, kemi një skuadër kompakte, dhe çdo individ që them unë, do ta cenonte këtë skuadër kompakte.
PYETJA: Zotëri Duka, cilët lojtarë të Kosovës do të doje t’i kishe pasur pjesë të kombëtarja shqiptare?
DUKA: Zhegrova vërtet është lojtar i mirë, po të ishte do ta ndihmonte shumë ekipin komëbtar shqiptar, dhe Amir Rrahmani, të cilin e kemi pasur dhe e kemi humbur, dhe si kemi thënë kurrë pse ike në Kosovë, por përkundrazi e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim, atë dhe disa të tjerë që kanë lënë kombëtaret e Shqipërisë për Kosovën. Portieri Murici gjithashtu shumë i mirë, Muriqi tjetër sulmuesi, ka disa emra shumë të mirë.
PYETJA: President, një pyetje të fundit: Si e sheh rivalitetin mes Peles, Maradonës, Messit e Cristiano Ronaldos? Cili është lojtari më i mirë në histori të futbollit sipas jush?
DUKA: Kam pak konflikt interesi këtu, sepse nisem nga emri, Armando, do të zgjidhja Maradonën. Vërtet futbollist i madh, ka bërë epokë në futboll, futbollist i madh për mua është ai që e merr një skuadër dhe e bën të ndjehet vërtet edhe nëse nuk ka kualitetet e të tjerëve brenda, e këta futbollistë të mëdhenj, historia bjen pak, jo shumë. E bëri Napolin skuadër të madhe, e bëri Argjentinën kampione, pra është një futbollist vërtet shumë i madh. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe me emrat që përmendet ju. Ronaldo pa dyshim shumë i mirë, Messi po ashtu. Të tjerët që po vinë tani, Yamal e të tjerë.
PYETJA: Por, lojtari më i mirë në botë i momentit?
DUKA: Nga këto që luajnë sot, është e vështirë t’i ndaj, janë Ronaldo e Messi. Kanë karakteristika të ndryshme, por janë të dy vërtet shumë të mëdhenj. Ndërsa nga që premtojnë shumë, është Lamine Yamal./GazetaExpress/
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...