“Unë nuk e pëlqej shpërdorimin,” thotë Shigeru Ban. Një fjali e thjeshtë që përmbledh gjithë filozofinë e arkitektit japonez, i cili ndërton me materiale që të tjerët i hedhin poshtë: tuba kartoni, arka birre, stiropor apo kontejnerë transporti.
Në duart e tij, këto elemente të zakonshme kalojnë një lloj alkimie, ku brishtësia shndërrohet në qëndrueshmëri dhe e përditshmja në poezi arkitekturore.
Rezultati është një arkitekturë shpikëse, që lëviz mes luksit dhe nevojës, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes ndërtesave “të përkohshme” dhe atyre që zgjasin. Për Ban, në fakt, çdo ndërtesë është e përkohshme. Në qytete si Los Angeles apo Tokio, thotë ai, ndërtesat e mëdha zhduken shpejt për t’u zëvendësuar nga të reja më fitimprurëse. Ndërsa një ndërtesë prej letre mund të jetë e përhershme, nëse njerëzit e duan dhe e ruajnë.

Së fundmi i nderuar me Medaljen e Artë 2026 nga American Institute of Architects dhe i ftuar për të ligjëruar në Royal Geographical Society, Ban mbetet një arkitekt global. Megjithatë, misioni i tij kryesor është përmirësimi i jetës së njerëzve, sidomos në zonat e goditura nga fatkeqësitë. Aktualisht ai po ndërton një spital në Lviv të Ukrainës perëndimore, duke përdorur dru të laminuar, një material i prodhuar gjerësisht në vend, por i pashfrytëzuar për shkak të luftës.
Arkitektura, sipas Ban, duhet të jetë një sistem fleksibël, i lëvizshëm dhe reagues ndaj natyrës. Japonia, e ekspozuar ndaj tërmeteve dhe katastrofave natyrore, e ka formësuar këtë qasje. Pas tërmetit shkatërrues të Kobe-s në vitin 1995, Ban projektoi “Paper Dome”, një kishë e ndërtuar në vetëm pesë javë nga vullnetarë, me kolona prej tubash kartoni të ricikluar. Fillimisht e menduar si e përkohshme, ajo u shndërrua në një simbol të rindërtimit dhe, pas dhjetë vitesh, u çmontua dhe u zhvendos në Taomi të Tajvanit, një zonë e goditur gjithashtu nga tërmeti.

Ndryshe nga arkitektët me një stil të dallueshëm formal, Ban ka një “material firmë”: letrën. Që në vitin 1985 ai filloi të eksperimentonte me struktura prej kartoni të ricikluar, shumë përpara se çështjet mjedisore të bëheshin temë qendrore. Ai vërejti se tubat e kartonit të përdorur në industrinë tekstile ishin më të fortë sesa dukeshin dhe, së bashku me inxhinierë strukturorë, zhvilloi sisteme ndërtimi që u miratuan zyrtarisht në Japoni.
Përtej kishave dhe sallave koncertesh, Ban ka projektuar strehë modulare për komunitete të zhvendosura, ndarje të lehta për qendrat e emergjencës dhe shtëpi të thjeshta mbi themele prej arkash birre të mbushura me rërë. Nga kjo përvojë lindi edhe Voluntary Architects’ Network, një organizatë jofitimprurëse që zhvillon strehim të përkohshëm për viktimat e fatkeqësive natyrore dhe konflikteve në mbarë botën.

Një nga veprat më të njohura të tij është Katedralja prej Kartoni në Christchurch, e ndërtuar pas tërmetit të vitit 2011. Me tuba kartoni të përforcuar dhe një strukturë në formë A-je, ajo u bë simbol shprese për qytetin. Edhe këtu, materiali i thjeshtë fitoi një dimension pothuajse sakral.
Por Ban nuk kufizohet vetëm te arkitektura e emergjencës. Ai projekton edhe butikë luksi në Ginza të Tokios, muze arti në Aspen të Kolorados dhe një degë të Qendrës Pompidou në Metz të Francës. Aktualisht po punon për një distileri uiski në Speyside të Skocisë, me një strukturë që ngjan me një pyll fantastik.

Megjithatë, ai nuk e sheh veten si një “starchitect” tipik. “Arkitektët zakonisht punojnë për njerëz me pasuri dhe pushtet,” thotë Ban. “Unë dua ta përdor përvojën time edhe për ata që kanë humbur shtëpinë.”
Sot, ai është i angazhuar në rindërtimin e shtëpive në gadishullin Noto në Japoni, të shkatërruara nga tërmeti i 1 janarit 2024. Projekti do të përdorë dru të ricikluar nga një instalacion gjigant i ndërtuar për Expo Osaka. “Ta digjnin gjithë atë dru do të ishte një shpërdorim i madh,” thotë Ban. Si gjithmonë, filozofia e tij mbetet e njëjtë: asgjë të mos shkojë dëm, gjithçka mund të ketë një jetë të dytë. /GazetaExpress/