Kapiteni i Dinamo Zagreb dhe përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut – me prejardhje shqiptare – Arijan Ademi, po i jep fund kapitullit të gjatë në “Maksimir”.
Edhe pse kishte edhe një vit kontratë me klubin kroat, Ademi dhe Dinamo kanë arritur marrëveshje të përbashkët për ndërprerjen e saj.
Mesfushori 34-vjeçar ishte i pranishëm në grumbullimin e parë të ekipit nën drejtimin e trajnerit të ri Mario Kovačević dhe mori pjesë në seancën e parë stërvitore, por nuk do të udhëtojë me skuadrën në fazën përgatitore në Slloveni. E gjitha tregon se ai është në prag të një transferimi te klubi hungarez Újpest, që drejtohet nga ish-trajneri i Dinamos, Damir Krznar.
Ademi ka shprehur dëshirën që të luajë edhe një apo dy sezone në një ambient më të qetë dhe me më pak presion sesa ai që kishte te Dinamo. Pas kësaj periudhe, ai synon të nisë një karrierë si trajner – dhe Krznar ka ofruar ndihmën e tij për ta mbështetur në këtë tranzicion.
Ademi largohet nga Dinamo pas një karriere të gjatë e të lavdishme, ku u bë simbol i skuadrës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë moderne të klubit./GazetaExpress/