Avni Arifi i AAK-së ka deklaruar se posti i Presidentit të Kosovës duhet t’i besohet një figure politike me përvojë dhe kontakte ndërkombëtare, e jo një personi që, sipas tij, nuk ka peshë politike.
Arifi tha se në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mendojnë se Presidenti i vendit duhet të jetë një person politik që i njeh proceset dhe ka aftësi për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ne si AAK mendojmë se Presidenti duhet me qenë person politik që i njeh proceset, një person që nuk është ‘nana e kërkujt’, që nuk ia ngroh zemrën kërkujt, por që është lider, që ka kontakte, që e afron Kosovën te BE-ja, dikush që ka kontakte të mira me NATO-n, me Brukselin e me SHBA-në. Jo noter, duhet me qenë figurë serioze”, tha Arifi.
Sipas tij, Presidenti duhet të ketë peshë politike dhe diplomatike, si dhe të jetë në gjendje të forcojë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.