Arianit Ahmeti s'dorëzohet për postin e kryetarit të FFK-së, thotë se numri i nënshkrimeve veç po i shtohet - Gazeta Express

Arianit Ahmeti s’dorëzohet për postin e kryetarit të FFK-së, thotë se numri i nënshkrimeve veç po i shtohet

Sport

Gazeta Express

07/12/2019 20:44

Edhe pse institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore i kanë dalë në përkrahje Agim Ademit, rivali i tij i shkarkuar nga FFK-ja, Arianit Ahmeti, nuk po dorëzohet për postin e kryetarit. Ai thotë se Ademi dhe FFK-ja po e manipulojnë opinionin, derisa i është kundërpërgjigjur edhe deklaratave të forta të Eroll Salihut mbrëmë në emisionin Favorit në T7.

Arianit Ahmeti rrëfehet në një intervistë për Zëri.info ku flet për punësimin e tij në Federatën e Futbollit të Kosovës, shkarkimin së fundmi nga pozita e zëvendës/sekretarit dhe hapat që do t’i ndërmarrë për t’u bërë kryetar i FFK-së.

Ahmeti flet edhe për 41 nënshkrimet e shumëpërfolura dhe programin që e ka përpiluar për t’u bërë kryetar i FFK-së në vend të Agim Ademit.

Për këtë të fundit vazhdon të pretendojë se është zgjedhur në mënyrë të parregullt dhe se i ka kaluar mandati.

Kaluan dy ditë që jeni shkarkuar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, si e vlerësoni këtë vendim?

Ahmeti: Së pari për ta vlerësuar një vendim, duhet që ta kem në dorë atë vendim. Unë asnjë vendim nuk kam marr sot e kësaj dite. Unë vetëm nga mediumet, nga portalet dhe nga zyrtarët e FFK-së e kam marr vesh. Nuk kam asgjë në dorë me shkrim.

Image

Nga nisi gjithë kjo histori që ta pretendoni kreun e FFK-së?

Ahmeti: Historia ka filluar kur ka nisur që të interpretohet brenda FFK-së tash e një kohë, çështja e mandatit të kryetarit aktual (Agim Ademi). Gjatë kërkesës së klubeve apo delegatëve, klubet e pakënaqura kanë kërkuar të ketë zgjedhje dhe të ato të shpallen. Unë e kam bërë një interpretim në bazë të fakteve dhe jam bazuar në statut të FFK-së, neni 39 pika 3, në bazë të praktikave të tjera shembull nga UEFA ku në të njëjtën procedurë është zgjedhur edhe zoti Aleksander Ceferin (kryetar i UEFA-s) si dhe praktikave të tjera si rasti i Maqedonisë, e kështu me radhë.

Keni thënë se keni mbledhur 41 nënshkrime, ndërkohë që në FFK e mohojnë një gjë të tillë. Cila është e vërteta?

Ahmeti: Në momentin kur ka dal opinioni ligjor i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, në atë moment është vërtetua se kishte shkelje të procedurave për mandat 4-vjeçar të kreut të FFK-së (Agim Ademi) dhe MKRS e kanë dhënë konstatimin se mandati nuk mund të jetë i plotë në momentin që ka shkelje të nenit 39 pika 3. Nga ai moment, me përkrahjen e klubeve me iniciativën e tyre, unë kam thënë se ata më kanë përkrahur dhe kanë mbledhur 41 nënshkrime e tash që duket se janë edhe më shumë. Në atë moment e kam shpallur kandidaturën për kryetar, duke e patur përkrahjen e madhe të klubeve, duke më lejuar ligjet në fuqi, kushtetuta e Kosovës dhe konventa mbi të drejtat e njeriut.

Image

Si fillim u publikua një opinion ligjor nga MKRS ku u tha se Agim Ademi është zgjedhur në mënyrë te jashtëligjshme në krye të FFK-së, por me pas Ministri Kujtim Gashi tha se MKRS nuk qëndron prapa kësaj komunikate, çka ndodhi?

Ahmeti: E, tash dalim në një situatë krejt tjetër. Zyra ligjore, departamenti ligjor në bazë të ligjit të sportit, në bazë të udhëzimit administrativ, është i vetmi organ i cili e mbikëqyrë punën administrative të Federatës dhe të klubeve sportive. Pra, është i vetmi organ që ne i nënshtrohemi. Në këtë rast, kjo është ndërhyrje e pastër e politikës. Ministri Gashi nuk e di se për çfarë arsye, nga e ka marr këtë guxim dhe nga e ka këtë mbështetje juridike. Ai ka dal dhe ka ndërhyrë dhe përmes zyrës për informim thuhet se Ministria nuk qëndron prapa këtij opinioni ligjor. Kjo na kthen në një situatë shumë interesante juridike. Kjo është punë e juristëve. Opinioni ligjor nuk mund të ndërrohet me një deklaratë, me një njoftim për media. Opinioni ligjor ndërrohet me një opinion të ri ligjor. Kjo do të thotë se juridikisht, ai dokument prodhon efekt juridik. Për të ardhur ajo përgjigje, dikush e ka bërë një kërkesë dhe e ka protokuluar në arkivin e Ministrisë. Pra, duhet të bëhet një vendim i ri. Përgjigje deri më tash është vetëm ajo që është shkelur neni 39 pika 3.

Ditët e fundit jeni akuzuar se nuk keni lënë klub pa lobuar, madje sipas sekretarit Eroll Salihu, delegatëve ju keni bërë edhe presion. Si i komentoni këto deklarata?

Ahmeti: Unë e kam dëgjuar dhe këto ditë jam në defanzivë. Jam befasuar nga Erolli dhe nuk kam patur asgjë të keqe me Erollin. Tash po thotë se unë nuk ka punuar mirë, nuk di anglisht, nuk din asgjë. Po habitem dhe do të kisha dëshirë që ta kemi një ballafaqim, por më së lehti mund t’i merrni raportet qysh nga fillimi i aktiviteteve të mia, çka thotë UEFA, jam i vetmi delegat për herë të parë i deleguar në UEFA për ndeshje ndërkombëtare. I kam udhëhequr të gjitha ndeshjet, deri te kulminacioni i ndeshjes me Anglinë, janë raportet e UEFA-s të shkruar anglisht. Unë nuk e di që i kam kërkuar Erollit ndonjëherë përkthyes. Kam qenë edhe në seminare të UEFA-s.

Të kthehemi te tema. Gjejeni vetëm një fakt. Tash e dy javë ditë, relacioni më i largët që kam qenë, ishte Prishtinë – Hotel Emerald. Jashtë Prishtinës kurrë nuk kam dal. Ma gjeni një delegat, një klub ata kanë emra, urdhëroni dhe pyetni të gjithë se çfarë presoni kam bërë. Deri në Emerald kam shkruar dhe atë me familje. Ai po thotë se s’kam lënë katund pa shkuar. Unë po them se Erolli është i keqinformuar. Tjetra, tashmë jam afër klubeve dhe jam në fushatë dhe afrohen njerëzit që ma kërkojnë programin, kërkojnë ide për të sjell ndryshimin, ata më thonë se janë në presion të hatashëm nga kreu i FFK-së me të gjithë siç them unë ‘klikën’ e tij. Ndoshta edhe Erolli ka keqpërdorur duke i bërë disa telefonata ndoshta edhe duke kërcënuar, nuk e di a është e vërtet, ashtu më kanë interpretuar.

Image

Mund të na zbuloni se cilat klube janë pro kandidimit tuaj për kryetar. Një gjë e tillë i intereson opinionit?

Ahmeti: Nuk do të kisha patur dëshirë që t’i publikojë klubet pasi që nuk është korrekte. Nëse e shihni reagimin dhe praktikat e mëhershme se si ka funksionuar kreu i FFK-së dhe ‘klika’ e tyre me disa përkrahje me disa sulme të vazhdueshme me medota shumë të sofistikuara të cilat fillonin me disa përkrahje. Këtu filloi një tentativë e njëjtë, por nuk pati përkrahje, unë nuk i kam ndalur ata njerëz. Unë nuk jam takuar me ta dhe të them të drejtën, nuk i njoh mirë. Unë kam qenë njeri që kam punuar në zyre e dinë krejt punën time. Më së miri e dinë klubet dhe ata që kanë patur punë me mua.

Akuzoheni se në këtë lojë janë përfshirë edhe njerëz të politikës, biznesit madje edhe estradës. Si i vlerësoni këto deklarata?

Ahmeti: E kam dëgjuar Erollin. Do të kisha patur dëshirë që ta deshifronte. Më erdhi mirë kur pas një bisede është kyçur edhe Astrit Haraqija dhe sqaroi gjithçka dhe edhe Erolli pas dy-tri ditëve reflektoi dhe e pranoi se nuk ka lidhje me këtë punë. Tash është mirë që të flitet me emra konkret. Le të tregon Erolli apo kushdo që ka informata, të shkojmë një për një. Aludohet në një foto dhe bëhet dhunë psikike nga kreu i FFK-së me metoda që i ka në qejf dhe të dërgojë njerëz duke më fotografuar në vende publike. Nëse i referoheni asaj fotoje me Adem Grabovcin, dua ta them një të vërtet. Unë kurrë nuk kam pirë kafe me Adem Grabovcin në jetën time. Adem Grabovcin e njoh pikërisht nga zotëri Agim Ademi dhe zotëri Eroll Salihu duke i rezervuar disa bileta për ndeshjet e Kombëtares të cilat unë gjithmonë i kam rezervuar dhe shpërndarë. Pra, njoftimi im me të (Adem Grabovcin) është ky. Pra, ai zakonisht rrinë në atë lokal, rrimë edhe ne, rrinë edhe Erolli. Ai zotëria që më ka fotografuar me aparat, shihet se jam në këmbë duke u përshëndetur ndërsa zotëria Ademi është ulur. Ai ka qenë ulur me një mik të tij, atë sekuencë e kam larguar. Unë nuk e di sa çka më ndihmon Ademi. Unë nuk e di se Ademi është në politikë.

Image

Kur jemi te politika, a ka politikë në FFK. A ka njerëz nga politika që ndikojnë në Federatë?

Ahmeti: Më së miri është që t’i referoheni deklaratave të fundit nga Federata e Futbollit të Kosovës ku këta e thërrasin politikën dhe shtetin që të ndërhyjë siç thonë ata nga sulmet. Po cilat sulme. Nuk e di se çfarë sulmesh, vetëm nëse referohen te anëtarët e klubeve, delegatët. Politika është në shërbim total të Agim Ademit. Është parë dhe është e vërtetuar kjo punë. Ju e dini më mirë. Mos të flasim se çka kanë bërë me Kombëtaren. Edhe marketing kanë bërë për persona apo parti të caktuara.

T’i rikthehemi historisë tuaj në FFK, cila është e vërteta e punësimit tuaj në këtë institucion?

Ahmeti: Ka qenë iniciative personale e ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri. Ai ka insistuar, nuk ka qenë në vullnetin tim. Të them të drejtën unë nuk e kam menduar ndonjë pozitë pasi kam qenë shumë mirë, shumë komod, jam njeri që punoj. Pra ka qenë iniciativë e tij. Vokrri e ka thirrur Komitetin Ekzekutiv, tash me data mund të gabohem, mirëpo e ka thirrur në një restorant, kemi qenë në fshatin ndërkombëtar komplet KE ka marrë pjesë, ka qenë si drekë. Unë nuk kam marrë pjesë, kam qenë në katin e sipër lart. Restoranti ishte dy katë. Mbledhja ka zgjatur 1 orë dhe vetëm e di se sekretari Erolli e ka lëshuar i pari mbledhjen dhe ka dal. Ju betohem se nuk e ka ditur se do të zgjedhem zëvendës/sekretar, ju betohem. Fadili nuk më ka thënë asgjë. Atëherë ka qenë edhe Agron Mustafa dhe ai më ka uruar i pari.

Jeni akuzuar edhe për ndikim në vendime të Komisione të FFK-së nga Eroll Salihu…

Ahmeti: Më së miri është që t’i pyetni vet Komisionet, nuk janë shumë. Pyetni komisionet kush ndikon, pyetni klubet a është Arianit Ahmeti, merre pyete personelin administrativë që punon në Federatë. Ma gjeni një vendim, një klub që kam interferuar. Një fakt ma gjeni, nuk ekziston o zotëri. Jam qetë dhe rri rehat për këtë punë. Nuk jam duke e kuptuar pse këto sulme ndaj meje.

Keni qenë në pozitë të lart në FFK, a ka nepotizëm në FFK, shpeshherë është komentuar kjo çështje?

Ahmeti: Nepotizëm nuk mund të them që ka. Ndoshta në kohët e fundit pas disa ndryshimeve që i kanë bërë në Lidhjet Rajonale. Zotëri Erolli e ka nipin. Pyete atë se çka punon në Lidhjen Rajonale Burim Murseli. Burimi është shumë djalë i mirë dhe ka luajtur futboll pse mos të punësohet. Dje (Eroll Salihu) tha se unë nuk e kam punësuar askënd. Unë nuk e kam asgjë Burimin që është shumë djalë i mirë. Unë nuk e kam askënd dhe nuk kam marrë pjesë në komisione. Për mua e ke pastër si Arianit Ahmeti. Nepotizëm mund të ketë në Lidhje Rajonale. Në FFK nuk kam parë.

Image

Nuk jeni i vetmi që keni dal hapur kundër politikave të FFK-së, edhe djali i ish-kryetarit Fadil Vokrri (Gramozi) muaj më parë doli me akuza dhe u largua nga FFK. Pse po ndodh një gjë e tillë?

Ahmeti: Djali i Fadil Vokrrit, unë e di shumë mirë këtë histori dhe kam qenë aty. Ai së bashku me një biznesmen Hysin (Hysen Sadiku, ish-pronar i klubit KF Hysi që është shuar) dhe është ndërmjetësuar për një pozitë në FFK. Kishte mos-pajtime për një pozicion që Gramozi e ka kërkuar. Ndoshta Agim Ademi nuk ka dashur dhe nuk ka gjetur vullnet për atë pozitë duke u thirrur në një organogramin e FFK-së se nuk ekziston. Të them të drejtën, prej se jam në Federatë nuk kam parë asnjë organogram. E kam dëgjuar Erollin duke thënë se ka organogram, por nuk e di që ka, unë nuk e kam parë.

Pse në këta muaj po ndodhin akuza të tilla?

Ahmeti: Unë nuk po kuptoj bre cilat akuza. Akuzat i ka filluar pala tjetër. Atyre u ka skaduar mandati, s’ka akuza. Nuk ka akuza as për hajni e as për asgjë. Nuk kam fakte se do t’i kisha publikuar. Ata i kanë filluar sulmet ndaj meje në momentin që unë e kam dhënë opinionin se afati ka skaduar. Sipas kësaj logjike, do të ndodh një precedent që nuk e ka parë bota. Federata e Futbollit të Kosovës do të jetë e vetmja në botë që do të ketë çdo dy vite zgjedhje. Pra, në janar të vitit 2020 do të mbahet zgjedhjet e Lidhjeve Rajonale dhe Komitetit Ekzekutiv ndërsa në vitin 2022 do të mbahen zgjedhjet për kryetar. Kjo krijon destablitet. Nuk ka sulme. Ne po flasim me terme juridike, me statute me norma. Ndoshta është e dobësi e imja që po futem në përmbajte dhe po i lodhi më këto terme. Ndoshta po mendojmë se jam puçist.

Cilat janë hapat që do të ndërmerrni në vazhdim?

Ahmeti: Jemi duke pritur që institucionet të reflektojnë pas ndërhyrjeve të politikës. MKRS-ja nuk ka bërë asgjë, pra ai vendim, ai opinion është në fuqi, pra derisa të bëhet një opinion i ri, nuk ndërrohet. Ai opinion tregon se na kemi fuqi. Ajo tregon se është baza më e madhe juridike deri më tash. MKRS e licencon dhe e mbikëqyrë FFK-në. Pra hapat janë që me Ministrinë e Administratës Publike me një vendim që ka shfaqur shumë huti, i cili thirret në nenin 39 që është shkelur. Ai është i vetmi nen që e zgjedh kryetarin e FFK-së. Pra neni 39 pika 3 thotë se pas deponimit të 15 nënshkrimeve, kandidati duhet të pres dy muaj që të futet në zgjedhje. Në rastin konkret te Agim Ademi kur delegatët kanë kërkuar nënshkrimet ka qenë data 14 qershor ndërsa kuvendi është mbajtur me datën 9 korrik. Kjo është matematikë e thjeshtë. Edhe diçka se tash mu kujtua. Ministria e Administratës Publike më datën 2 dhjetor e ka lëshuar një opinion ku shumë saktë precizohet se kryetari i FFK-së zgjidhet konform nenit 39. Pas dy ditëve e ndërron këtë opinion. Jam gati që të dal në një ballafaqim me Agim Ademin pse jo edhe me Erollin që t’i them argumentet e mia.

Së fundmi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka thënë se nëse vazhdohet me ndërhyrje politike në FFK, FIFA do të ndërhyjë…

Ahmeti: Edhe unë jam në kontakte me UEFA-n. Sa i përket FIFA-s, në bazë të statusit dhe kompetencave që i ka, FIFA nuk ndërhynë në Federata dhe kjo mund të jetë një dezinformatë e radhës si duket. Diçka nuk është në rregull. FIFA ndërhynë në punët e konfederatave, ajo është kompetencë e FIFA-s. Këto dezinformata mund të shiten diku, por jo te unë.

Image

Kapiteni i Kosovës Samir Ujkani e ka mbështetur Agim Ademin dhe FFK-në, cili është komenti juaj?

Ahmeti: I kisha thënë Samir Ujkanit që më mirë është që të merret me punët e tij. Të ushtrojë dhe ta gjejë një ekip. Puna e tij dhe e shokëve të tij na ka sjell deri këtu, Pra, kontributi i tij më i madh është në fushën e gjelbër. Për interesin e FFK-së është që ta gjejë një ekip dhe ta bëjë punën që di ta bëjë më së miri. Ndoshta dikush e ka detyruar Samirin. Ajo është temë tjetër.

Për fund, e përmendet një program që e keni përpiluar për t’u bërë kryetar. Çka përmban ai program?

Ahmeti: Është një program që nuk e keni parë deri më tash. Është një revolucion në futbollin kosovar. Është kompatibil me federata që kanë bërë gjëra substanciale që do të ndodhin posa të vijë unë me ekipin time në FFK. Shpresojë shumë që do të reflektojë kreu i FFK-së dhe Komiteti Ekzekutiv që ta thërras Kuvendin. Të mbahen zgjedhje të rregullta dhe të kthehet normaliteti juridik. Në atë kohë pres kundër-kandidat. Ju garantojë që zgjedhje do të ketë dhe nuk i frikohem askujt. Cilido është i lirë që të kandidojë dhe të mbledh nënshkrime. Në momentin që ka dal opinioni ligjor, zgjedhje do të ketë. Nëse nuk reflekton FFK, ju garantojë se shumë shpejt do të deponohen nënshkrimet dhe delegatët do t’i detyrojnë ata që ta mbajnë kuvendin që nuk do të jetë i jashtëzakonshëm, por i rregullt.