Trajneri i Real Madrid, Álvaro Arbeloa, është shprehur i kënaqur pas fitores dramatike të skuadrës së tij ndaj Celta Vigo, një triumf që e mban ekipin madrilen në garë për titullin.
“Los Blancos” siguruan tri pikët falë golit të vonshëm të Federico Valverde në minutat shtesë, duke ngushtuar diferencën me kryesuesit e La Liga në vetëm një pikë.
Pas ndeshjes, Arbeloa theksoi se fitorja erdhi si rezultat i luftës së madhe të lojtarëve të tij.
“Për ta fituar ndeshjen, kjo është ajo për të cilën luan Real Madridi. Kjo është ajo që donim dhe objektivi që kishim sot,” deklaroi ai.
Tekniku madrilen vlerësoi edhe kontributin e lojtarëve të rinj nga akademia, duke theksuar se ata treguan cilësi dhe personalitet në një ndeshje të vështirë.
“Kemi një akademi që duhet të vlerësohet më shumë. Lojtarët e rinj treguan se kanë cilësi të mëdha dhe kjo është një lajm shumë i mirë për klubin,” u shpreh Arbeloa. ⚽