Álvaro Arbeloa foli pas humbjes së Real Madridit nga Bayern Munichu, duke e analizuar ndeshjen dhe duke i mbajtur gjallë shpresat për ndeshjen e kthimit.
Gjiganti bavarez fitoi në “Santiago Bernabeu” me rezultat 2:1, por madrilenët s’e kanë ndërmend të dorëzohen para ndeshjes së kthimit çerekfinale të Championsit, e cila do të luhet javën tjetër në “Allianz Arena”, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri madrilen deklaroi: “Jemi gjallë, kjo është e qartë. Jemi vetëm një gol larg barazimit të kualifikimit. Jemi të aftë të fitojmë në çdo fushë dhe e kemi treguar me rastet që kemi krijuar. Kundërshtari nuk ishte aspak i lehtë dhe është për të ardhur keq që nuk shënuam më shumë pasi i kishim rastet tona.”
Më pas ai e analizoi edhe zhvillimin e lojës: “Kemi qenë pak më të tërhequr nga sa donim, nuk ishte kjo ideja. Ndoshta kjo u ka dhënë atyre shumë kontroll. Me topin, na kanë munguar momentet kur duhej ta mbanim dhe ta qarkullonim. Është e lehtë të thuhet nga jashtë, por nëse nuk e mban topin, bëhet shumë e vështirë.”
Arbeloa u ndal edhe te gabimet vendimtare: “Dy golat e tyre erdhën nga dy humbje topi për të cilat kishim folur më parë. Kundërshtarë të tillë të ndëshkojnë menjëherë. Nuk është vetëm humbja e topit, por mënyra se si reagon pas saj: nëse je i hapur, ata të ndëshkojnë.”
Megjithatë, trajneri kërkon besim për ndeshjen e kthimit: “Duhet të mendojmë për gjërat që i kemi bërë mirë. Mund ta rikthejmë rezultatin, i kemi cilësinë dhe karakterin për ta bërë këtë.”
Në fund, mesazhi i tij ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë për ambientin madrilen: “Nuk do të jetë e lehtë, por kush nuk beson te përmbysja, le të qëndrojë në shtëpi.”
Një deklaratë e fortë nga Arbeloa, që mban të hapur gjithçka për sfidën e kthimit dhe kërkon reagim nga skuadra e tij. /Gazeta Express