Ara e vdekur - Gazeta Express
string(12) "ara-e-vdekur"

Ara e vdekur

OP/ED

Gazeta Express

04/02/2024 23:14

Po shëtisja në periferi të Tiranës. Fllad. Ngjyra. Tinguj. Aroma. Kur befas më del para një kodër e butë, e bukur. Mbi kodër, ara të mbjella me ngjyra të zjarrta si të Kubit të Rubikut. Njëra nga arat ishte arë djerrë, arë e shkretë, arë e vdekur. Më afrohet nga pas dikush si hizër. Hizri bëhet kurioz me kuriozitetin tim për arën e vdekur. Kthehem pyes Hizrin: -E kujt është kjo arë e vdekur? – Hizri fut kokën brenda supeve si periskop nëndetëseje, që pasi sheh rrezikun në sipërfaqe, e përpin terri i thellësive.

Shkruan: EDISON YPI

Lexo Edhe:

Një arë e vetme e vdekur mes qindra arave të gjallave të kësaj parajse frymëndalëse, s’është për t’u çuditur. Ka dhe do ketë edhe ara të shkreta, ara të pambjella, ara të vdekura. Kjo arë që dikur ka qenë e gjallë, mund të ketë vdekur sepse, ta zëmë, ka konflikte pronësie mes familjes ose fisit. Ndoshta i zoti i kësaj are të vdekur ka vajtur në kurbet dhe tani për tani s’ia ka ngenë, e ka lënë për më vonë, kur të kthehet. Ose mund të jetë e dikujt që mbi arën e vdekur ka ndërmend të ndërtojë sarajet e veta si i ka parë nëpër ëndrra: vilë me tri kate, kangjella të larta, basen të kaltër, tarracë për helikopter dhe pret t’i bëhet mbarë, t’i vijë siraja.

Më mbeti mendja tek ara e vdekur si te një femër e bukur e vdekur parë shkarazi nga dera hapur përgjysmë e morgut të spitalit. Pas ca kohe vajta përsëri te kodra e bukur me pëshpërima gjethesh, përrua te këmbët, arë të vdekur. Prit e prit për ndonjë kalimtar ta pyes për arën e vdekur. Asnjë për be. Të trokisja te ndonjë shtëpi andej rrotull, s’bëhej fjalë. Do më merrnin për ndonjë bos nga ata që u duhet një truall. Veç hap gojën. E paguajnë me çdo çmim. Merr sa të duash te thesi i pareve në bagazhin e makinës. Edhe atë kisha mangët. Mund t’u dukesha edhe si nipi i beut që ka ardhur me pretendime pronësie. Dhe ec e duro pastaj reagimet refuzuese të rreckamanëve majmur rishtaz. U largova pa e mësuar shkakun e vdekjes së arës, që pak nga pak mu bë e dhimbsur si vdekja e njeriut të afërt.

Me kalimin e kohës, sa herë më vinte ndërmend ara e vdekur, më erreshin sytë, më merreshin mentë, më mbështillej një si lëmsh në fyt. Durova sa durova. Vajta sërish mbi kodrën e bukur. Këtë herë i vendosur të mos kthehem gjallë pa e zbuluar shkakun e vdekjes së arës. Duke u afruar mu ngjall shpresa se tashmë konfliktet e pronësisë do ishin zgjidhur, i zoti është kthyer nga kurbeti dhe ka filluar punën, sarajet e ëndrrave me princesha të bardha në dritare dhe princër të kaltër mbi kuaj kanë nisur të ngrihen, ara e vdekur është ngjallur. Një i moshuar me kapuç në kokë që mos i mërdhifte tulla dhe shami në hundë për të ndalur rrjedhjen e qurrave mos i bëhej pellg te këmbët, më tha me zë të ngjirur dhe duke u kollitur se mbi atë kodër do ngrihet një bazë ushtarake.

Baza do vrasë të gjitha arat e asaj kodre. Arën e vdekur do e vrasë e do e vdesë për së dyti. Tjetri, një gango kokërruar me cigare në gojë, më tha se pronari i arës së vdekur e ka rregulluar me një kompani celulare, që në këmbim të një qiraje të majme, mbi arën e vdekur të ngrihet një antenë e gjallë. Një student me kufje në vesh që kaloi andejpari më tha shkurt dhe shkoqur se pronari i arës së vdekur bën një biznes të suksesshëm.

Një dajo infermier në Gjermani i ka sjellë një metal detector me të cilin gjen nën tokë thesare të fshehura si të Edmond Dantesit, Kontit të Monkristos. Mos ia qaj hallin kërkuesit dhe gjetësit të sepeteve me bizhuterira, kurorave mbretërore të praruara me diamante, monedhave të arit, gjerdanëve me perla. Ai arën e vdekur e ka qime bythe. E ka harruar fare. Nuk u përkula nga shpjegimet negativiste të delirantëve, që çdo gjë e lidhin me halucinacionet e veta prej parazitësh fukarenj. Pyet njërin e tjetrin tutje e tëhu, më së fundi e gjeta një burrë serioz që dinte gjithçka. Seriozi tha: Mos pyet brenda katundit ku të gjithë janë në konflikt interesi dhe të gjithë të rrejnë. Të vërtetën e arës së vdekur mund ta mësosh vetëm prej meje që s’jam prej këtu, por prej Cacabeci. N’daç me e dit’, arën e vdekur kur ishte gjallë e pretenduan dy çuna të këtij katuni. Njëri bërtiste sa tundej dheu, “E kom tokën e babës”.

Tjetri ulërinte duke shkulur flokët “E kom tokën e babës”. Njeri shpjegonte me detaje sesi baba atë arë e kishte meritu me gjak dhe e kishte ble me flori. Tjetri ia priste se po atë tokë, baba e kishte me ligj. Katunit i iku gjumi. Luajti mendsh i madh e i vogël. Pas aspirinave dhe paracetamolëve, farmacia u boshatis dhe nga qetësuesit dhe gjumëndjellësit. Si ka mundësi dy baballarë të lënë trashëgim të njëjtën arë?! Pyetën të habitur katunarët. Çfarë po ndodh në katundin tonë është diçka e pashqiptuar nga asnjë gojë, e padëgjuar nga asnjë vesh, e palexuar në asnjë libër, e paparë në asnjë film. Pas pak doli në shesh e vërteta. U mor vesh se vërtet të dy çunat arën e vdekur e kishin të babës. Por, njëri me letra të vjetra.

Tjetri me Ligjin 7501. Njëri me myhyr Turqie dhe vulë Mbretërie. Tjetri me ligj demokracie. Plasi sherr i madh. Ngatërresat me babë, flori, gjak, ligj, vulë, myhyr, letra të vjetra, letra të reja, vazhduan me vite. Kërcënimet: “Largohu, s’ke punë te toka e babës tem, e ka ble baba me verdhushka, hiqmu sysh se do të vras”, ose, “Ik se ta pres kokën ta ngul në hu, e kam nga baba, e kam me ligj”, u bënë të zakonshme. Burra e moçëm u thanë çunave të rinj të mos e teprojnë sherrin. Ta zgjidhin në paqe. Për shembull, ara të mos jetë as e njërit, as e tjetrit. Të jetë arë ku të rriten ferrat dhe shkurret, të fluturojnë harabelat, të zvarriten gjarpërinjtë dhe breshkat. Arë që të mos e prekë kush. Arë e askujt. Arë e shenjtë, arë vakëf. Çunat nuk i dëgjuan këshillat. Derisa një ditë, çuni i babës së Turqisë dhe çuni i babës së demokracisë problemin e arës vendosën ta zgjidhin si kreshnikët e motit. Me duel. Te përroi. Njëri në emër të turkut. Tjetri në mbrojtje të ligjit. Bam-bam. Të dy të vdekur. Tre bashkë me arën, ku tash e tutje do të rriten ferrat dhe do zvarriten breshkat.