“Unë nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, por në një formë është, sepse bota është shumë e madhe”, kështu shkruan pos tjerash për Hotelin Grand, gazetari i prestigjiozes “The New York Times”, Andrew Higging, i cili njihet si një promovues i shumë vendeve që i viziton.
Gazetar: Liridon Spahiu
Ai pohon se ky hotel është i humbur në kujtimet e të kaluarës së Kosovës dhe thekson se kati i 13-të i këtij hoteli ishte bërë strehë për pëllumbat, gjë të cilën e dëshmon përmes fotografive.
Ky artikull nuk ka kaluar pa vëmendjen e arkitektëve në vendin tonë.
“Në origjinal thuhet se një person, ai gazetari ka qëndru në Grand, edhe thotë që mundet me qenë një prej hoteleve më të këqija që ka vizitu ai, dmth nuk është edhe bash qashtu qysh është shkru për media. Por, kjo nuk do të thotë që gjendja e Grandit është e mirë. Unë i kam pas disa mysafir, qysh në 2002-tën, kur ka qenë edhe hera e fundit që e kom rekomanduar si hotel. Më kanë thanë kështu me t’mirë të lutem mos ia refero askujt me shku atje sepse nuk është për vizitor.”, është shprehur për emisionin #gjesin arkitekti Astrit Nixha.
Në anën tjetër, Eliza Hoxha thotë se pajtohet me një pjesë të mirë të shkrimit nëse bazohemi në pamjen që ka marr hoteli prej kohësh.
“Nëse flas si arkitekte, normalisht pajtohem me plot nga gjana që janë thanë aty sepse është dhimbje e madhe për ata që kanë hy këto kohët e fundit në grand për çfarëdo lloj arsye dhe e kanë eksploru pak a shumë Grandin përbrenda edhe hapësirat e poshtme ku dikur ka pas edhe shumë dhunime por edhe dhomat sipër, se në çka janë shndërru. Si qytetare normalisht e pres në një tjetër emocion dhe tjetër dritë sepse kam lidhshmëri të shumta emocionale, memorie kolektive që kemi në relacion me këtë objekt, e që në fakt ish dashtë me e trajtu në një formë tjetër” u shpreh ajo.
Tutje, Hidding artikullin e vazhdon duke u munduar t’i shpalosë gjërat e bukura që posedon Grandi e që, sipas tij janë, të pakta. Ai këmbëngul se “me pak grim”, ky hotel mund të bëhet “simbol i suksesit” për një vend që, siç shprehet ai, ende po përpiqet të gjejë hapin e tij edhe pas kaq shumë vitesh pas bombardimeve të NATO-s që asgjësoi kontrollin e Serbisë mbi të.
Se duhet rinovim dhe qasje më serioze sa i përket shërbimeve, e thotë edhe Nixha.
“Rangu i Grandit në arkitekturë ndoshta nuk e ka më, po me një investim mundet edhe me u mbajt se kriteret arkitektonike dhe ato të mirëmbajtjes janë për 5 yje, e për Grand janë pak ma nalt ku ky i gjendjes së sotshme nuk e plotëson as pragun”.
Ndërkaq, Hoxha thotë se do ta dëshironte imazhin që ky hotel kishte para shumë vitesh.
“Me e shndërru në vend për qenë dhe për tu parë dhe për te ardh, sepse është në zemër të qytetit, reprezenton një kohë të kaluar ku ka qenë koha kur ka shkëlqy sepse ka qenë hoteli më i madh jo vetëm në Prishtinë por edhe në Kosovë. Këtë rrëfim të madh të asaj kohe mund ta risjellë tani në një rrëfim tjetër premtues, për mënyrën se si mundemi ne objektet që dikur kanë pas një tjetër shkëlqim dhe kanë pasur rënie për shkak të aspektit historik, politik ose ekonomik, çka do çoftë ajo. Me një ide tjetër dhe me një mundësi tjetër dhe me një partneritet qoftë edhe me publik apo privat, apo bashkërisht, pra me një program të duhur mund të rikthehet dmth edhe për të mirën komerciale apo të investitorëve privat, por edhe për të mirën publike”, përfundoi Hoxha.
Edhe qytetarët ndajnë mendime të ndryshme sa i përket pamjes që hoteli Grand ka momentalisht.
Gazetari i “The New York Times” shton se Grandi meriton vlerësime më të mira se ato që merr në internet.