Aq qytetarë sa ka vaksinuar Kosova për 19 ditë, Serbia e Shqipëria e kanë bërë për një ditë - Gazeta Express

Lajme

Arbresha Berisha

15/04/2021 16:42

Aq qytetarë sa ka vaksinuar Kosova për 19 ditë, Serbia e Shqipëria e kanë bërë për një ditë

Lajme

Arbresha Berisha

15/04/2021 16:42

Për 19 ditë, që nga furnizimi i vendit me 24 mijë vaksina të Astra Zenecas nga COVAX, në Kosovë janë vaksinuar mbi 12 mijë persona. Shtetet tjera i kanë kryer brenda ditës mbi 12 mijë vaksinime, shkruan Gazeta Express.

Derisa shtetet tjera si si Shqipëria e Serbia po kryejnë mbi 10 mijë vaksinime në ditë kundër COVID-19, në Kosovë brenda një dite po vaksinohen më pak 1 mijë persona.

Zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë thënë për Express, se në Kosovë brenda ditës vaksinohen rreth 1 mijë persona.

Nga kjo ministri është thënë se kanë kapacitete për të kryer më shumë vaksinime, por që kanë pritur që të ketë interesim më të madh për ta marrë vaksinën.

“Brenda ditës vaksinohen aq persona sa vinë për t’u vaksinuar nga grupet prioritare. Brenda ditës vaksinohen rreth 1,000 persona, ndërsa ka kapacitete për shumë më tepër, por që është pritur të ketë një përgjigje më të madhe për t’u vaksinuar, sidomos nga personeli shëndetësor. Nga nesër nis vaksinimi i grup-moshës 75-79 vjeçe me sëmundje kronike dhe duke qenë që këta janë grupacion më i madh, 24,000 dozat në dispozicion do të administrohen të gjitha brenda pak ditësh”, është thënë nga kjo ministri.

Ndërsa, menaxheri i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë për Express se ditëve të fundit ka rënë numri i vaksinave të administruara në këtë qendër.

Ai ka thënë se deri tani janë vaksinuar mbi 12 mijë persona në vend, ndërsa vetëm sot në këtë qendër janë vaksinuar 38 persona, 18 mbi 80 vjeç, 14 persona me dializë dhe 6 punëtorë shëndetësorë.

Bardhi ka treguar se më 13 prill në këtë qendër janë vaksinuar 134 persona, ndërsa më 14 prill 102.

“Më 13 prill janë vaksinuar 134 persona, ndërsa më 14 prill 102 persona. Ditëve të kaluara janë vaksinuar mbi 300 persona, por nga 8 prilli ka rënë intensiteti, jo për fajin tonë”, ka shtuar ai.

Për dallim nga komuna e Prishtinës, komunat tjera po vaksinojnë më pak qytetarë.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka treguar për gazetën se më 13 prill në këtë komunë janë vaksinuar 70 persona, më 14 prill janë vaksinuar 54 persona, ndërsa sot rreth 60 persona.

Derisa Kosova po vaksinon rreth 1 mijë persona në ditë, Serbia gjatë javës së fundit ka vaksinuar rreth 45 mijë persona për çdo ditë.

Ndërkohë, edhe Shqipëria qëndron shumë më mirë se vendi sa i përket vaksinimit.

Gjatë javës së fundit Shqipëria ka vaksinuar rreth 11 mijë persona në ditë. Ndërsa, ka pasur ditë kur në këtë shtet janë vaksinuar mbi 20 mijë persona.

Në anën tjetër, gjatë javës së fundit, Mali i Zi ka vaksinuar rreth 1 mijë e 900 persona në ditë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka kryer rreth 2 mijë vaksinime në ditë.

Në një grafikë të publikuar nga faqja “Ourworldindata”, ku përfshihen të dhënat e dozave të vaksinës të administruar për 7 ditë, për 100 persona në popullsinë totale, Kosova radhitet e fundit në listë me numrin më të vogël të dozave të administtruara.

Shqipëria i paraprin listës, e pas saj Serbia.


Grafika e dozave të administruara në 7 ditë për 100 persona në popullsinë totale.

Ndërsa, sipas një grafike të publikuar gjatë këtij muaji nga “Euronews” për numrin më të madh të vaksinave të siguruara nga vendet evropiane, në krye të listës qëndron Mbretëria e Bashkuar, pastaj Turqia, Gjermania dhe Rusia.

Kosova nuk përfshihet në këtë listë, ndërsa Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor qëndrojnë në fund të listës, por përjashtim bën vetëm Serbia./GazetaExpress/