Apple pritet ta lansojë iPhone 12-shin me 5G në dy faza - Gazeta Express

Apple pritet ta lansojë iPhone 12-shin me 5G në dy faza

Lajme

Gazeta Express

08/09/2020 11:01

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Apple, së voni konfirmoi se lansimi i modelit iPhone 12 do të shtyhet së paku deri në tetor për shkak të vonesave në prodhim, por sipas një raporti të ri, lansimi i telefonit të ri do të ndahet në dy faza.

Prodhuesi i njohur pritet që gjatë këtij viti të lansojë katër modele të telefonave të mençur dhe burimet brenda zinxhirit furnizues kanë zbuluar se modelet me 6.1 inçë do të dalin të parat në treg.

Raportohet se dërgesat e telefonave të rinj tashmë janë nisur, ndërsa dërgesat modelet me 5.4 inçë dhe 6.7 inçë priten më vonë, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Vonesat janë shkaktuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, që e detyroi kompaninë t’i mbyllte fabrikat në Kinë më herët gjatë këtij viti në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Shtatori është caktuar si muaji kur Apple do ta lansojë modelin e ri të iPhone-t, por kriza e vazhdueshme shëndetësore dhe kufizimet në transport e kanë detyruar kompaninë që t’i ndryshojë planet.

“Apple mund t’i lansojë telefonat iPhone 5G në dy faza, së pari modelet me 6.1 inçë dhe më pas modelet me 6.7 dhe 5.4 inçë në fazën e dytë”, raportoi faqja “Digitimes”.