Kompania Apple, është duke shqyrtuar rritjen e çmimeve për linjën e ardhshme të iPhonëve të vjeshtës, megjithatë do të shmangë lidhjen e kësaj ngritjeje me tarifat amerikane për importet nga Kina, ku edhe montohen shumica e pajisjeve të kompanisë, ka raportuar Wall Street Journal.
Edhe pse Uashingtoni dhe Pekini kanë rënë dakord për një ulje reciproke të përkohshme të tarifave, dihet se importet kineze do të jenë ende subjekt i një takse prej 30% në ShBA, e Apple është ndër kompanitë më të mëdha e kapur në tensionet tregtare ShBA-Kinë, të cilat u intensifikuan në muajt e fundit pas një serie tarifash të iniciuara nga presidenti Donald Trump.
E kontaktuar nga Reuters, për të marrë një koment mbi raportin e WSJ, kompania nuk është përgjigjur. Megjithatë, mediat e huaja shkruajnë se rritja e çmimeve mund të ndihmojë Apple të zbusë kostot më të larta që rrjedhin nga tarifat që kanë penguar zinxhirët globalë të furnizimit dhe e kanë detyruar kompaninë të zhvendosë më shumë prodhim në Indi.
Më parë, gjatë këtij muaji Apple ka thënë se tarifat mund të shtonin rreth 900 milionë dollar kosto gjatë tremujorit prill-qershor dhe se shumicën e iPhone-ve të shitur në ShBA në këtë periudhë, do t’i siguronte nga India.
Për një ngritje çmimesh nga Apple, ka pasur spekulime për muaj me radhë, megjithatë analistët kanë paralajmëruar se një veprim i tillë mund t’i kushtojë kompanisë, në veçanti pasi rivalët, si Samsung po përpiqen të tërheqin konsumatorë me anë të veçorive të inteligjencës artificiale, me të cilat Apple ka qenë me e ngadaltë.
Modeli më i lirë i iPhone 16 është lançuar në ShBA me një çmim fiks prej 799 dollarësh, por sipas parashikimeve të muajit të kaluar nga Rosenblatt Securities, të cilat thonë se kostoja mund të rritet me 43%, tani mund të kushtojë deri në 1,142 dollarë për shkak të tarifave.
Ndërkohë sipas raportit të WSJ, Apple kishte në plan që të shoqëronte rritjen e çmimeve me veçori të reja dhe ndryshime në dizajn, duke përfshirë një dizajn ultra të hollë, i cili mund të ndihmonte në justifikimin e rritjeve.