Gjykata e Apelit në Novi Sad ka liruar nga paraburgimi dy aktivistë dhe profesoreshën Marija Vasic, duke i caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak, ndërsa për pjesën tjetër të aktivistëve çështja është kthyer për rigjykim.
Ndërkohë, në qytetin e Çaçakut u mbajt një protestë dymbëdhjetë orëshe me moton “Treni i fundit për Çaçakun”, e organizuar nga studentët e Fakultetit të Shkencave Teknike dhe maturantët e gjimnazit lokal. Protesta përfundoi pa incidente në orët e mbrëmjes, ndërsa studentët nisën pastrimin e qytetit. Pavarësisht ndalimit nga ana e autoriteteve për të përdorur rrymën elektrike në shesh, organizatorët siguruan një gjenerator nga Beogradi për të mbajtur aktivitetin.
Në protestë morën pjesë edhe profesorë, veteranë dhe aktivistë të njohur nga qytete të ndryshme të Serbisë. Disa studentë udhëtuan në biçikletë apo në këmbë nga qytete si Novi Pazari, Valjeva, Obrenovci, Kraljeva dhe Krushevci për të qenë pjesë e protestës.
Ndërkohë, tensione janë shënuar në qytetin Kula, ku protestuesit janë përballur me mbështetës të partisë në pushtet, SNS. Policia vendosi një kordon për të ndarë dy grupet pas incidenteve të vogla fizike.
Studentët e Tehnologjikut në Leskovc vazhdojnë bllokadën e fakultetit, duke kundërshtuar vendimin për kthimin në mësimin online, të cilin e konsiderojnë si presion ndaj kërkesave të tyre.
Gjithashtu, mbrëmjen e sotme në Novi Sad, përpara ndërtesës së bllokuar të gjykatës, u shfaq dokumentari “Heshtja më e zhurmshme” nga regjisori Aleksandar Reljic, kushtuar aktivistëve të organizatës STAV, të cilët janë në arrati dhe të akuzuar për përpjekje për rrëzimin e rendit kushtetues.