Gjykata e Apelit ka kthyer sërish në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit kishte revokuar dorëzanin ndaj të akuzuarit Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, në vlerën prej 50 mijë euro dhe ndaj të njëjtit kishte lëshuar urdhërarrest.
Rasti ka të bëjë me çështjen penale ku Ismet Osmani, bashkë me Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Osmani në një rast tjetër dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në qytetin e Graçanicës, në të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Për këtë, ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest tjetër.
Sipas Apelit, vendimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale për faktin se dispozitivi i vendimit është i paqartë, kundërthënës me shkresat e tjera të lëndës dhe i paekzekutueshëm, duke filluar nga kohëzgjatja e caktimit të paraburgimit si dhe rrethanat tjera.
Në vendimin e Apelit thuhet se në shkresa të lëndës gjendet një urdhërarrest i lëshuar në të njëjtën ditë për Osmanit dhe në të njëjtën ditë i njëjti urdhërarrest është revokuar , gjë që e bënë të paqartë vendimin për caktim të paraburgimit.
Tutje, sipas vendimit të Apelit, në çështjen penale ku Osmani po akuzohet është caktuar seanca më 8 tetor 2024 dhe se nga shkresat e lëndës, avokati Besnik Berisha i ka premtuar gjykatës se i mbrojturi i tij mund të jetë prezent edhe në seancat e muajit shtator.
Krejt kjo sipas Apelit pasi që ndaj Osmani është anuluar urdhërarresti i lëshuar ndaj tij dhe se tashmë janë krijuar kushtet që Osmani të jetë prezent në gjykim.
Po ashtu sipas Apelit, Themelorja edhe në rivendosje nuk ka vepruar konform rekomandimeve të Apelit pasi që nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të mbrojtësit të Osmanit, avokatit Berisha.
Apeli në vendim po ashtu ka sqaruar se sa i përket afatshmërisë së ankesës së avokatit Berisha ushtruar ndaj vendimit të Themelores nuk ka mundur të vlerësohet pasi që sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale afati për ushtrim ankese rrjedh prej momentit kur i akuzuari pranon vendimin, e që në këtë rast sipas Apelit vendimi i Themelores i është dorëzuar vetëm avokatit Berisha, prandaj bazuar në këto dispozitat ligjore të njëjtat interpretohen në favor të akuzuarit Osmani.
Ndërkaq, për procedurën tjetër penale që Osmani ka të hapur si rast, Apeli ka sqaruar se nuk mund të vlerësojë një rrethanë të tillë si gjykatë.
Kujtojmë se Themelorja në rigjykim kishte revokuar dorëzanin ndaj Currit dhe kishte lëshuar urdhërarrest ndaj të njejtit.
Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021.
Pesë të akuzuarit, në seancën e mbajtur më 15 korrik 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Kosovare Kelmendi, Besnik Berisha, Naser Sopjani dhe Artan Qerkini.
Kurse, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores përmes të cilit ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”.
Edhe këtë vit, sikur vitin e kaluar, Qeveria subvencionon nëse bleni pajisje efiçiente për ngrohje gjatë dimrit dhe freski...