Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës i ka rrëzuar shumicën e argumenteve të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shalës, i cili, përmes mbrojtjes, kishte kërkuar lirimin e tij ose kthimin e çështjes në rigjykim.
Paneli i Apelit fillimisht ka rrëzuar tri pika të ngritura nga mbrojtja e Shalës.
Pika e parë që u rrezua nga Apeli është në lidhje me nxjerrjen e materialeve kjo pasi sipas trupit gjykues mungon baza e nevojshme.
“Në lidhje me aspektin e nxjerrjes me vonesë të provave lidhur me dëshmitarin 25, paneli i Apelit konstaton se zotëri Shala nuk ka arritur të provojë pretendimin për dëm. Rrjedhimisht, paneli i Apelit e rrëzon këtë pikë”.
Pika e dytë që u rrëzua është për kufizimet e tepruara për dëshmitarët të cilët mund të thirreshin nga mbrojtja.
“Paneli i Apelit konstaton se zotëri Shala ka hequr dorë nga e drejta e tij për të kundërshtuar në fazën e Apelit vendimin e trupit gjykues që urdhëroi heqjen e pesë dëshmitarëve nga lista e mbrojtjes. Ai as nuk e ngriti këtë kundërshtim gjatë gjykimit, as nuk provoi rrethana të posaçme që shqyrtonin argumentin e tyre. Rrjedhimisht, paneli rrëzon edhe këtë pikë”.
Apeli ka miratuar pjesërisht vetëm njërën nga pikat e ngritura nga mbrojtja e Shalës.
“Paneli i Apelit konstaton se verdiktet e fajësisë së zotërisë Shala për torturë ndaj pesë personave dhe ndalim arbitrar ndaj dy personave janë dhënë në shkelje të rregullës 120, paragrafi 4. Rrjedhimisht, paneli miraton pjesërisht pikën e 7 të Apelit dhe rrëzon pjesën tjetër të kundërshtimeve të zotërisë Shala, të paraqitura në këtë pikë”.
Paneli ka rrëzuar argumentet e Shalës edhe për sa i përket pretendimit se trupi gjykues ka shkelur të drejtën për gjykim të drejtë.
“Në aktgjykim u mbështet kryesisht në deklaratat e autoriteteve belge në vitin 2019. Në lidhje me këtë, paneli konstaton se deklarata e dhënë autoriteteve belge u trajtua me kujdesin e duhur dhe trupi gjykues u mbështet në të vetëm kur konfirmoheshin edhe prova të tjera. Paneli rrëzon edhe prova të tjera të zotërit Shala në lidhje me këtë deklaratë”, është thënë nga trupi gjykues.
Specialja rrëzoi edhe argumentet e Shalës se trupi gjykues ka shkelur parimin e ligjshmërisë.
“Paneli i Apelit do të trajtojë pretendimet e Shalës se trupi gjykues ka shkelur parimin e ligjshmërisë. Paneli i Apelit rrëzon këto argumente, duke pasur parasysh se ato janë shqyrtuar më parë nga gjykatësi i procedurës paraprake, dhomat e Gjykatës së Apelit dhe dhoma e Gjykatës Kushtetuese”.
Paneli i Apelit konstatoi se zotëri Shala nuk arriti të provojë asnjë gabim në konstatim të trupit gjykues. Shala nuk ishte i pranishëm fizikisht në këtë seancë por e ka ndjekur ndjek atë përmes video-konferencës.
Në korrik të vitit 2024, Shala u dënua me 18 vjet burg pasi sipas Speciales u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.
Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.
Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave. Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot, raporton AP