Apeli e ktheu në rivendosje vendimin e Themelores për masën e paraburgimit në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan – për çfarë arsye - Gazeta Express
string(124) "apeli-e-ktheu-ne-rivendosje-vendimin-e-themelores-per-masen-e-paraburgimit-ne-rastin-e-27-vjecarit-ne-lipjan-per-cfare-arsye"

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 17:36

 Apeli e ktheu në rivendosje vendimin e Themelores për masën e paraburgimit në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan – për çfarë arsye

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 17:36

Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan e cila më 9 korrik 2025 ua ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të dyshuarve, Apeli e ktheu çështjen në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores, e cila kishte caktuar paraburgimin kanë parashtruar mbrojtja e pesë policëve të dyshuar.

Apeli vlerëson se seanca dëgjimore është mbajtur në shkelje të dispozitave ligjore.

Sipas Apelit, prokurori i shtetit nuk e ka elaboruar kërkesën për caktim të paraburgimit dhe se nuk ekziston konstatimi se palët kanë hequr dorë për elaborim të kërkesës për paraburgim.

Shkalla e dytë thekson se vendimi i Themelores nuk përmban analizë dhe vlerësim të provave relevante për të konstatuar dyshimin e bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale për çka dyshohen.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë vetë ka listuar prova dhe se të njëjtat nuk janë vlerësuar apo analizuar për të kuptuar se a ekziston dyshimi i bazuar që të caktohet pastaj masa e paraburgimit, pasi që ekzistimi i dyshimit të bazuar llogaritet sipas vendimit, kusht për caktim të paraburgimit.

Po ashtu, në këtë vendim thuhet se në mungesë të analizimit të secilës provë veç e veç, i mungon individualizimi i veprimeve të secilit të dyshuar për të përcaktuar pastaj intensitetin e veprimeve të të dyshuarve.

Aty thuhet se po të përcaktohej veprimi individual nga gjyqtarja e procedurës paraprake për secilin të dyshuar, do të mund të caktohej masa e sigurisë në proporcion me veprimet e secilit të dyshuar.

Prandaj, sipas Apelit, shkalla e parë ka dështuar të bëjë analizën e dyshimit të bazuar duke rrëshqitur kështu në vlerësim formal dhe jo substancial të rrethanave për caktim të paraburgimit.

Apeli ka sqaruar se shkalla e parë ka dështuar të arsyetojë rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Sipas kësaj Gjykate, ka qenë i kushtëzuar vendimi për kthim në rigjykim për shkak se lënda është bartur në Sistemin për Menaxhimin Informativë të Lëndëve dhe se nuk ka poseduar shkresat e lëndës fizikisht sidomos për të vlerësuar CD dhe video-incizimet.

Andaj, në rivendosje, Apeli thekson se shkalla e parë duhet të vlerësojë standardin e dyshimit të bazuar, të bëhet individualizimi i veprimeve të secilit të dyshuar, të specifikohen rrethanat konkrete që përbëjnë rrezik të përsëritjes së veprës penale dhe të vlerësohet CD.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht mbi vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, Dosjen e Prokurorisë dhe deklarimin e të dyshuarve në Prokurori. /BetimipërDrejtësi