Ish-krerët e UÇK-së, të mërkurën dhanë fjalët e tyre përfundimtare në Gjykatën Speciale, ku kanë qëndruar mbi pesë vjet në paraburgim.
Bashkëluftëtarët e ish-krerëve të UÇK-së po e përcjellin me vëmendje të madhe zhvillimin e fundit në Gjykatën Speciale.
Mes shqetësimit dhe shpresës, ata kërkojnë që vendimi të jetë i drejtë dhe lirues, duke theksuar se ish-drejtuesit e UÇK-së duhet të rikthehen pranë familjeve të tyre.
Xhavit Jashari, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka thënë se ka shpresë që gjykata në Hagë do të ndajë vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka shtuar se prokuroria ka bashkëpunuar me prokurorët e Serbisë, çka e bën situatën edhe më të rëndë.
“Ne sot edhe ndjejmë shqetësim po edhe shpresë që do ta ndajë gjykata vendimin lirues ndaj prokurorisë sepse kjo është shqetësuese është pa drejtësi e madhe dhe me kë ka bashkëpunuar kjo prokurori pra me prokurorinë e Serbisë, çka është shumë e rëndë”, ka thënë Jashari.
Jashari ka shprehur shpresën që gjykata të mos marrë vendim politik, por të japë drejtësi, duke thënë se UÇK-ja ka qenë gjithmonë e drejtë dhe e pastër si loti, dhe se krerët e saj duhet të lirohen.
Ai ka shtuar se shpreson që vendimi përfundimtar të jetë lirues, pasi krerët e UÇK-së e meritojnë të kthehen tek familjet e tyre.
“Shpresa jonë është të mos marrin vendim politik po të ndanë drejtësi sepse UCK-ja ka qenë e drejtë e pastër si loti dhe krerët duhet te lirohen. Ne shpresojmë që verdiktin përfundim do të jetë lirues, sepse krerët e meritojnë të kthehen tek familjet e tyre”, përfundoi Jashari.
Lidhur me zhvillimet në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka folur për Front Online ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.
Ai ka thënë se ky gjyq ka qenë i stërngarkuar dhe shprehu pritshmërinë për një vendim lirues dhe shpreson që krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt te familjet e tyre.
“Procesi në Hagë i stërzgjatur jemi tani në përfundim të fjalëve përmbyllëse ne presim vendim lirues sepse s’ka arsye te dënohen. Ne presim qe krerët të kthehen sa më shpjet te familjet e tyre”, ka thënë Qeriqi