string(97) "ap-e-kie-konfirmon-heqjen-nga-rendi-i-dites-te-kerkeses-se-kosoves-per-marrjen-e-statusit-special"

AP e KiE konfirmon heqjen nga rendi i ditës të kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit special

Lajme

Gazeta Express

05/03/2025 14:20

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka konfirmuar për Gazetën Express se në hapjen e takimit të sotëm në Paris, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë vendosi të heqë nga rendi kërkesën e Kuvendit të Kosovës për marrjen e statusit special.

“Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të APKE-së vendosi të heqë nga rendi i ditës pikën 5: “Kërkesa për status të mysafirit special nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Lexo Edhe:

Më herët, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, që është pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës pranë Këshillit të Europës, ka thënë se sot në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci me kërkesë të  kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit të mysafirit special në KiE.

Gjithashtu, Musli-Shoshi tha për Gazetën Express se kërkesa e Kosovës mund të hyjë sërish në rend ditë në prill.

Statusi i mysafirit special mund t’i jepet shteteve europiane që s’janë anëtare të organizatës dhe kërkesa e shtetit për t’u bërë mysafir special i drejtohet Kryetarit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetari i parlamentit përkatës, në këtë rast të Kosovës.

Anëtarët e delegacioneve të mysafirëve speciale mund të ulen në Kuvendin e Asamblesë Parlamentare, por s’kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të flasin, por me autorizimin e Kryetarit të Asamblesë.

Po ashtu, ata mund t’i paraqesin kryetarit të komisionit propozime në lidhje me projekt-rendin e ditës të mbledhjeve të komisionit dhe propozime për amendamente në draft tekstet e shqyrtuara në këto mbledhje dhe ata mund të nënshkruajnë mocione për rezoluta dhe rekomandime dhe deklarata me shkrim.

Megjithatë, ato nuk do të merren parasysh për numrin e nënshkrimeve të kërkuara. Anëtarët e delegacioneve të ftuar të posaçëm mund të marrin pjesë në punën e grupeve politike sipas kushteve të vendosura nga grupet.