Është anuluar seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Radoja të ngarkuar për transportim dhe shitje të substancave narkotike.
Gjykatësi i rastit, Lutfi Shala ka njoftuar se është anuluar gjykimi për shkak se anëtari i trupit gjykues- gjykatësi Valon Kurtaj ka pasur aktivitet jashtë shtetit dhe se palët janë njoftuar paraprakisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, për këtë rast, të akuzuar janë 11 persona, por procedura është veçuar ndaj të akuzuarve Qerimi, Mustafa dhe Radoja.
Sipas vedimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 22 nëntor 2023, të akuzuarit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Radoja janë shpallur fajtorë, ashtu që Qerimi është dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë. Mustafa është dënuar me 5 vite dhe 10 mijë euro gjobë, kurse Radoja është dënuar me 2 vite e 6 muaj dhe 10 mijë euro gjobë.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me vendimin e 30 majit 2024, çështjen e ka kthyer në rigjykim, pasi që sipas Apelit aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të KPPRK-së, të cilat kanë kushtëzuar edhe anulimin e saj, pasi që nuk janë dhënë në kuptim të plotë çështjet thelbësore me të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë.
Sipas aktakzuës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 dhjetor 2022, Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa, Xhenan Shala, Gazmend Aliu, Bardhyl Rumija, Namzi Mziu, Gjulin Radoja, Suad Buliq, Fatlum Abdullahu, Jeton Aliu dhe Venhar Pajaziti, akuzohen që në bashkëveprim kanë shpërndarë dhe transportuar drogë në peshë deri në 91 kilogramë marihuanë.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Mexhaid Qerimi së bashku me Fehmi Mustafën akuzohen se përgjatë vitit 2021 deri më 9 shkurt 2022, së bashku me persona të tjerë, kanë shpërndarë dhe transportuar substanca narkotike pa autorizim me qëllim shitjeje.
Në aktakuzë thuhet e fillimisht, të akuzuarit kishin planifikuar që droga të transportohet drejt Serbisë përmes autobusëve të kompanisë “Deda Reisen”, pronë e Fehmi Mustafës. Ashtu që më 9 shkurt 2022, Qerimi me automjetin e tij ngarkoi narkotikët dhe u nis drejt fshatit Konushevc të Podujevës, ku u takua me Fehmi Mustafën. Në oborrin e shtëpisë së këtij të fundit, ku ndodheshin autobusët për transport, thuhet se kur Qerimi nxori çantat për t’i vendosur në autobus, vuri re një pajisje përgjuese duke kuptuar se po vëzhgohej, ai i ktheu çantat në automjet dhe tentoi të largohej. Policia tentoi ta zë, por ai arriti të ikë, duke lënë makinën e tij dhe narkotikët aty. Kështu, transporti i narkotikëve në Serbi u pengua nga ndërhyrja e Policisë.
Me këto veprime, ato akuzohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 2 lidhur me paragrafin 3, lidhur me nenin 31, po ashtu lidhur me nenin 275, paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.9 të Kodit Penal.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, Mexhaid Qerimi akuzohet se më 9 shkurt 2022, rreth orës 21:00, në fshatin Konushevc, Komuna e Podujevës, me qëllim për t’iu shmangur arrestimit, sulmoi zyrtarin policor Arben Elshani, në momentin kur ai i dha shenjë për ta ndaluar automjetin, i akuzuari vazhdoi lëvizjen me qëllim goditjeje, duke e përplasur me makinën e tij, me të cilën i shkaktoi lëndime trupore.
Me këtë, Qerimi akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Tutje, i akuzuari Xhenan Shala, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, akuzohet se më 11 mars 2022, rreth orës 21:50, në fshatin Brezne, Komuna e Dragashit, ka poseduar në shtëpinë e tij 399.24 gram marihuanë, një peshore elektronike për matjen e narkotikëve, 85 qese najloni të zbrazura dhe një foli plastike.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 1 të Kodit Penal.
Ndërsa, sipas dispozitivit të katërt të akuzës, Shala akuzohet që ndihmoi të akuzuarin Mexhaid Qerimi me qëllim që ai t’i shmanget arrestimit, duke i dërguar mjete financiare për t’u fshehur dhe e ndihmoi në sigurimin e transportit ilegal nga Serbia në Kosovë. Ai më 11 mars 2022, u ndalua nga Policia e Kosovës duke e transportuar Mexhaid Qerimin me automjetin e tij.
Për këto veprime, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” paragrafi 2, pika 2.8 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Tutje, sipas dispozitivit të pestë të aktakuzës, të akuzuarit Gazmend Aliu, Gjulin Radoja, Suad Buliqi, Bardhyl Rumija dhe Nazmi Mziu, akuzohen që duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, poseduan me qëllim shitjeje substanca narkotike, ashtu që Aliu dhe Rudoja në vazhdimësi përgjatë vitit 2022 kanë shpërndarë dhe transportuar substanaca narkotike, ne atë mënyrë që Rudoja i ka dërguar me qëllim të shitjes substanact narkotike Aliut përmes të akuzuarve Rumija dhe Buliq.
Kurse, i akuzuari Rumija akuzohet që ka transportuar narkotikë nga Shqipëria në Kosovë me veturë me qëllim shitjeje, në atë mënyrë, i njejti më 20 prill 2022, kaloi pikën kufitare në Vërmicë. Pas kalimit të pikës kufitare, ai u takua me Nazmi Mziun në fshatin Vaganicë, Komuna e Mitrovicës, ku së bashku shkuan në garazhin e shtëpisë së Nazmi Mziut, ku narkotikët prej 10.583 kg, të fshehur në bunkerin e modifikuar të automjetit, u ndanë në 15 paketime. Në të njëjtin garazh, Nazmi Mziu kishte në posedim edhe 18.905 kg substancë narkotike të destinuar për shitje dhe transport, e cila u sekuestrua nga policia.
Aktakuza thotë se po atë ditë, i akuzuari Suad Buliq, akuzohet se transportoi një tjetër sasi narkotikësh nga Shqipëria në Kosovë me veturë, ku gjatë orës 05:40, ai kaloi pikën kufitare në Vërmicë, por në Fushë-Kosovë u ndalua nga Policia. Gjatë kontrollit në bunkerin e modifikuar të automjetit, u gjetën 10.072 kg marihuanë.
Më këtë, të akuzuarit Aliu, Rudoja, Buliqi, Rumija dhe Mziu, akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndërsa, sipas dispozitivit të gjashtë, i akuzuari Gazmend Aliu akuzohet se më 16 shtator 2022, në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, shpërndau pa autorizim substanca narkotike me qëllim të shitjes së tyre. Ku sipas akuzës, rreth orës 10:00, në shtëpinë e tij, ai iu ofroi për shitje 205 g narkotikë, të ndarë në dy pjesë (102 g dhe 103 g), të akuzuarve Venhar Pajaziti dhe Fatlum Abdullahu.
Aliu më këtë akuzohet se ka kyer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Kurse, sipas dispozitivit të shtatë të akuzës, të akuzuarit Venhar Pajaziti dhe Fatlum Abdullahu akuzohen që më 16 shtator 2022, shkuan në shtëpinë e Gazmend Aliut i cili posedonte narkotikë me qëllim shitjeje, duke blerë 205 g marihuanë (të ndarë në 102 g dhe 103 g) për shumën prej 400 euro.
Më këtë, Pajaziti dhe Abdullahu akuzohen se kanë kryer veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafin 1 lidhur më nenin 31 të Kodit Penal.
Dhe, sipas dispozitivit të tetë të akuzës, i akuzuari Jeton Aliu, akuzohet që më 16 shtator 2022, në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, poedoi substanca narkotike me qëllim të shitblerjes së tyre. Sipas akuzës, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga Policia, të njejtit i janë gjetur dhe sekuestrar 151 gramë marihuanë, 3 gramë kokainë, një peshore elektronike, 4 llulla, 3 mullinj për bluarjen e marihuanës, disa qese najloni, një shufër metalike dhe 840 euro para të gatshme. Në një shtëpi ndihmëse (qilar), u gjetën edhe 17 gramë marihuanë.
Më këto veprime, i njëjti akuzohet për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragarfi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.