Panairi Ndërkombëtar i Lëvizshmërisë në Evropën Juglindore (SEE Mobility), i cili ishte planifikuar të mbahej më 24 dhe 25 prill në Beograd, është anuluar për shkak se kompanitë ekspozuese nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) e konsiderojnë si një rrezik sigurie pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre. Kjo ndodh për shkak se funksionarët më të lartë të Serbisë i cilësojnë individët nga jashtë si armiq.
Organizatori i këtij panairi, Klasteri i Hekurudhave të Evropës Juglindore, njoftoi se kompanitë nga pesë vende të BE-së dhe një pjesë e asociacioneve kryesuese të industrisë hekurudhore evropiane e anuluan pjesëmarrjen, gjë që i detyroi organizatorët të anulojnë panairin SEE Mobility, shkruan N1.
Kompanitë që do të merrnin pjesë si ekspozuese dhe folës theksuan se aktualisht ekziston një rrezik i konsiderueshëm për sigurinë e përfaqësuesve të tyre në Serbi, për shkak të dëbimit të individëve nga vendet e BE-së që marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare, një praktikë e zbatuar nga autoritetet shtetërore serbe. Po ashtu, ata përmendën etiketimin publik të drejtorëve të kompanive të njohura evropiane në Serbi.
Sipas njoftimit, ministritë e punëve të jashtme dhe ambasadat e vendeve të BE-së kanë paralajmëruar kompanitë pjesëmarrëse se përfaqësuesit më të lartë politikë të Serbisë kanë akuzuar publikisht Perëndimin, Evropën dhe vendet anëtare të BE-së për organizimin e një “revolucioni me ngjyra” në Serbi dhe i kanë etiketuar të huajt si armiq. Për pasojë, ekziston rreziku që siguria e biznesmenëve që vijnë në Serbi të vihet në rrezik.
Panairi SEE Mobility i këtij viti ishte përgatitur për më shumë se një vit dhe, për herë të parë në histori, në hapjen e tij në Beograd ishin parashikuar të merrnin pjesë si të ftuar drejtorët e tri asociacioneve më të mëdha evropiane të industrisë hekurudhore – Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave (UIC), Unioni i Furnizuesve Hekurudhorë Evropianë (UNIFE) dhe Shoqata Evropiane e Klasterëve Hekurudhorë (ERCI).
Sipas vlerësimit të Klasterit të Hekurudhave të Evropës Juglindore, ky anulim dëmton ndjeshëm imazhin e biznesit të Serbisë, pasi duhen vite për të rikthyer besimin e partnerëve ndërkombëtarë pas anulimit të një ngjarje të tillë të nivelit të lartë.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...