Anti-amerikanizmi i «të majtëve» dhe diaspora e dyvëshave - Gazeta Express
string(55) "anti-amerikanizmi-i-te-majteve-dhe-diaspora-e-dyveshave"

Anti-amerikanizmi i «të majtëve» dhe diaspora e dyvëshave

Gazeta Express

15/09/2020 10:36

Si sillet Qeveria e Republikës Kosovës së përballë përpjekjes së tjerëve për dominim mbi kulturosferën shqiptare? Presioni vjen nga Ankaraja, Moska dhe Brukseli – me disponim anti-amerikan? Dhe ç’kërkon polemika paralele mbi diasporën në këtë mes? Përshkrim përplasjeve të fundit agorave virtuale.

Xhemal Ahmeti

Lexo Edhe:

Dy tema bombarduan së fundi Facebookun. E para u lansua nga e majta pro-islamike dhe e dyta nga drejtori i «GazetaMetro» Valon Syla. Teza e kampanjës së parë është: «amerikanët intervenuan në Kosovë për shkak të interesave të tyre dhe për hiçgjë tjetër». Polemikat shpërthyen pas një reagimi në twitter të Shkëlzen Gashit, ish-këshilltarit të suspenduar nga Kurti. Teza e dytë, ajo për diasporën thotë: «diaspora shqiptare përbehet kryesisht nga asocialë destruktivë, të cilët ndihmojnë të majtën anti-shtet (ngase kjo e majta kosovare është kundër ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe luftën shqiptare e konsideron krim masiv) që të vijë në pushtet, prandaj ajo është anlafabete, destruktive dhe injorante».

RRETH TEZËS SË PARË

Interesat e SHBA-ve janë tejet komplekse. Ajo vazhdon të jetë superfuqia prima e planetit politik. Për t’i analizuar interesat e saja në trajtën kompetente duhet t’i lexosh amerikanologët më të mirë aktual. Dhe në fund të konstatosh se edhe pas lektyrës voluminoze qenka problem i madh formulimi i një gjykimi kompetent mbi çështjen. Për këtë arsye në diskurset ditore – e kemi fjalën për masmediat serioze – nuk debatohet asnjëherë për «interesat amerikane në Evropën Juglindore» (kjo bëhet me studime e libra), por debati izolohet brenda një ngjarjeje a dukurie të vetme, siç duhej të bëhej kësaj radhe edhe agorave histerike shqipfolëse.

Po cila ishte ngjarja që ende mban gjallë këtë ngatërresë: Ngjarja ishte kjo: SHBA-të e shoqëruara nga Britania me mund e mezi bindën Gjermaninë, Francën dhe vende tjera evropiane, që të e mos tolerojnë më një Bosnjë të dytë. Dështimi i Perëndimit në Bosnjë ia shkatërroi oksidentit (brenda demokracive të këtyre) imazhin të priret nga besimi në liritë dhe të drejtat e njeriut, humanizmin dhe paqen. Ky ishte fitili. Se pse pastaj zgjidhja ishte patjetër shteti i pavarur i Kosovës, duhet kërkuar në studime tjera (joshqiptare): lobeve, njëshave dhe organizatave politike shqiptare që vepronin në diasporë duhet falënderuar për punën e tyre intensive sidomos nga viti 1992 e këndej, të cilat me strategji konkrete ia dolën – plus me shumë pare- të bindin me kauzën e drejtë të shqiptarëve sa më shumë personalitete kyçe qeverive perëndimore. Nga këto studime vërtet zhveshët një interes, por ai nuk është i SHBA-ve por i amerikanëve dhe evropianëve të shumtë individual që u angazhuan pro kauzës kosovare. Ishte një dekadë pune të rëndë dhe djegie totale financiare për shumë ekonomi private, familjare e kolektive.

Pandehja se amerikanët dhe britanikët donin Trepçën dhe pasuritë tjera të Kosovës janë mite të zbrazëta: këtyre do t’u mjaftonte t’i kërkojnë Millosheviqit t’ua japë për 100 vjet këto firma në këmbim të qëndrimit indiferent ndaj spastrimit etnik që bënte ai dhe sot Kosova do të ishte edhe de facto Metohi, me serb dhe pa shqiptarë.

Me të drejtë këto valë anti-amerikane konsiderohen si putinizëm dhe neosmanizëm, ngase tri modele ekspansioni aktiv aktualisht shtrydhin Evropën Juglindore e sidomos botën shqiptare (si më fragjilja): ai i pansllavizmit rus, ai i neoosmanizmit turk dhe ai i «neoliberalizmit europian» nga BE. Amerikanët nuk bëjnë pjesë fare në këtë garë intensive. Të trija modelet aktive nuk konsoderohen të jenë në favor të Republikës së Kosovës e as Shqipërisë e shqiptarëve. Veçanërisht ngase BE gjendet aktualisht në ndikim të rëndë të modelit të parë: pansllavizmit si repulsion ndaj amerikanizmit. Për momentin rrymat shqiptare që nuk duan të gëlltiten nga makinat e ekspansionit turk, rus apo prorus të BE-së, amerikanët dhe britanikët me aleatët e tyre të ngushtë (si Izraeli dhe së fundi shtete të ndryshme arabe) i kanë avokatët e vetëm që u besojnë. Kosovarët e konsiderojnë Amerikën si garante për mbijetesën e tyre si shtet i pavarur. Qeveria kosovare beson se në parketin global ku këto tri makineri ekspansioniste mund t’ia bëjnë sërish si gjatë historisë mund të mbiejtojë vetëm me amerikanët në krah dhe jo ndryshe. Ndërkaq Qeveria shqiptare ka zgjedhur taktikën e futjes në lojë të këtyre blloqeve duke koketuar me Erdoganin dhe indirekt edhe me Putinin – thonë se do të dështojë.

EKSKURS

Analiza e derikëtushme na shpaloi pra edhe një konkurrencë interne: ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës. Njëra beson se do të ketë sukses me modelin turk të konfrontimit me evropianët dhe amerikanët. Tjetra beson se do t’ia dalë me amerikanët në krah pa u konfrontuar me Erdoganin dhe duke ia mbyll çdo udhë putinizmit. Politika e dytë, kjo e Kosovës është më e rëndë: por është si moralisht ashtu edhe politikisht më e drejta. E se të drejtit humbin shpesh kur nuk disponojnë me kapacitetet e duhura edhe këtë e kemi mësuar mirë.

Amerika nuk intervenoi për shkak të Trepçës dhe Diamanteve të Shtimes, por ngase u bind se shqiptarët kanë të drejtë dhe se etnocidi s’duhej lejuar të finalizohet po aq brutalisht si në Bosnjë, Ruandë e gjetiu. Pas kësaj ata i mbetën besnik projektit «Kosova shtet i pavarur». Deri sot vazhdon kjo besnikëri.

RRETH TEZËS SË DYTË

Nëse tjerët qenkan «gërrnaçë» ngase fyejnë, shajnë e janë agresiv, ç’ je ti që u përgjigjesh me të njëjtën «gjuhë»? Brenda këtij rrëfimi vlen vargu: «kush ia nisi luftës më i pari», pa u përpjekur ta rehabilitojmë të dytin sidomos nëse është njeri me përgjegjësi publike.

Intensifikimi i refuzimit dhe mos-durimit ndërmjet të kosovarëve me banim aty dhe atyre jashtë saj u vërejt pas aktiviteteve të PVV – së në qendra të ndryshme të diasporës, nga e cila i mori ca qindra vota. Pas shprehjes së pakënaqësisë nga eksponentë të partive tjera, emigrantët që votuan u përgjigjën me një fjalor aq agresiv, banal, fashist dhe vetëdeklasues – i njëjtë si gjatë polemikës ndërmjet ekstrafetarëve dhe tjerëve – saqë konfirmoi atë aforizmin që thotë «se as parajsa nuk të bën njeri, nëse s’ta rrok».

Megjithatë nuk ka shtëpi pa toalet. Ai që jeton i zgjuar e di këtë pa qenë domosdo i shkolluar. Ky i fundit nuk paushalizon. I shkolluari. Nëse asgjë nuk ka mësuar gjatë trusjes së bankave shkollore, ai një gjë është dashur ta kap: nuk gjykohet një botë aq komplekse si kjo që thirret «diasporë», duke marrë si shembull vetëm njërën dukuri që të vjen nga andej. Arkitekti, i cili në një pallat 100 katesh e zbulon një toalet të punuar në stilin gotik nuk shpall gjithë pallatin të tillë. As ndonjë që i ka 30 vjet aktive me shkrime e studime mbi e për diasporën nuk do të duhej të guxoj të gjykoj atë përgjithësueshëm e lere më ndonjë injorant partie që të përgjigjet: «hajna ka gjithandej prandaj ia bëna like», kur ti problematizon karakterin paushallizues të postimit si dhe përgjegjësinë e tij (likerit) të deputetit si përfaqësues i parlamentit dhe partisë që ka fatkeqësinë ta ketë atë brenda vetes. Ç’ partie është ajo që përfaqëson veten nga njerëz që s’dinë ta bëjnë dallimin as ndërmjet individuales dhe asaj që s’është ashtu? Ndoshta as partia nuk ka faj – votuesit ndoshta!

Partitë duhet ta kuptojnë një gjë: ato do të varen në të ardhmen edhe më shumë nga vota e «diasporave» se sa deri më tani. Ndihma që dje ishte komplete me pare e me njerëz, e që sot është reduktuar në financiare, nesër do të behet edhe më politike. Nuk është ky çmimi që partitë kosovare duhet ta paguajnë (si karma) ngase është diaspora ajo që u ka krijuar komoditetin të futen e dalin në parlament pa u gurëzuar çdo ditë nga grupe demonstruesish të acaruar e të pabukë, por trend procesesh tjera globale. E paqeja sociale aktualisht nuk sigurohet nga «gërrnaçat», por nga ata që ende nuk janë dukuri e që do bëhen nesër me votë.

Dukuria veçse ka shpërthyer. Në të ardhmen vota nga jashtë do të jetë edhe më determinuese se ç’është deri tash. Ky trend mund të lexohet fare qartë gjatë episodeve elektorale në vendet tjera perëndimore e lindore. Nomadizmi global i shtyrë nga interdependenca ekonomike dhe digjitalizimi total i kapitalit do t’i bëj shtetet nacionale edhe më djathë zviceran se ç’janë. Ky proces nuk ndalet më. Prandaj përzierja e reprezentantëve të partive në kësisoj debatesh qofshin vetëm me like apo pjesëmarrje aktive dëmtojnë partitë e tyre e jo tjerët.

Valon Syla si person është i sulmuar rëndë nga falanga gojëprishur, të cilat edhe pse duken injorante e kanë një qëllim: armiqësimin e sa më shumë votuesve brenda në kuadër të konfliktit diasporë – Kosovë, që pastaj t’i kanalizojnë me sukses votat e të revoltuarve në adresën «shpëtimtare», të «nderit» të Gjonbalajve.

PËRFUNDIM

Parasëgjithash Kosova kishte nevojë për interesimin amerikan. Ashtu siç e ka edhe sot interesimin dhe miqësinë e SHBA-ve ekzistencial. Timonierët e debatit anti-amerikan besojnë se me kampanja të këtilla ia dalin që shqiptarët të rreshtohen me në vijën Ankara-Moskë (këto i kanë punët mirë ndër-veti). Këtyre u del BE në asistencë me refuzimin dhe qasjen e padrejtë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Për fatin e kundërshtarëve të kësaj vije, vektorët e kampanjës nuk kanë potenciale as intelektuale e as masën e duhur që t’ia dalin – ende jo.

Polemika e Valon Sylajt me «diasporat» nuk duhet t’i kalojë kufijtë e luftës së tij me «gërrnaçat» e PVV – së edhe kur ai shkakton përgjithësime të tipit si Reçaku është në Kosovë e jo në Zürich. Nëse jo patjetër Reçaku atëherë fëmijët e Koshares janë me siguri aty e gjetiu!