Ann Christine Eek: Qëndrimi në Kosovë më tregoi aspekte të tjera të jetës - Gazeta Express
string(72) "ann-christine-eek-qendrimi-ne-kosove-me-tregoi-aspekte-te-tjera-te-jetes"

Arte

Donjeta Abazi

21/05/2024 16:35

Ann Christine Eek: Qëndrimi në Kosovë më tregoi aspekte të tjera të jetës

Arte

Donjeta Abazi

21/05/2024 16:35

Intervistë me Ann Christine Eek, fotografen suedeze e cila vizitoi Kosovën në vitet e 70-ta, dokumentoi jetën e përditshme dhe traditat e vendit tonë duke botuar më vonë librin ‘Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976’.

Portreti i Ann Christine Eek /Foto nga: Carl Eek

Ann Christine Eek ka lindur në Falun të Suedisë në 1948. Është rritur në një familje të zakonshme të klasës së mesme dhe lehtë do të mund të ishte bërë skijatore në vend se të bëhej fotografe profesionale. Një inspirim i mundshëm i saj duket të ketë qenë babai i saj, një fotograf i vëmendshëm amator, i obsesionuar me natyrën dhe gjithnjë me fotoaparat rreth qafës. Në vitin 1968, Eek u shpërngul në Stokholm ku filloi shkollimin e saj për fotografe nën mbikqyrjen e Christer Strömholm në Fotoskolan, vit ky i ringjalljes dhe përmbysjeve politike. Strömholm, i njohur ndërkombëtarisht për ‘fotografinë e rrugës’ bardh e zi dhe portretet e të huajve, në shkollën e tij kishte edukuar fotografët më të mirë të Skandinavisë.

Lexo Edhe:

Eek vizitoi për herë të parë Kosovën në vitin 1976 dhe qëndroi këtu për gati shtatë javë në fshatin Isniq, bashkë me antropologen Berit Backer (1947-1993), të cilës, si e huaj e parë, i ishte dashur të merrte leje për të punuar në Kosovë për periudhën 1974-1975. Duke planifikuar të bëjnë një libër rreth zhdukjes së jetës tradicionale në fshat, Becker dhe Eek punuan një dokumentar të shkurtër të bazuar në fotografi. Për këtë arsye, Eek bëri disa mijëra fotografi në kolor dhe bardh e zi.

GE: Gjatë kohës sa ishit pjesë e grupit ‘SAFTRA’, në ekspozitën ‘Work – don’t wear yourself out’, keni punuar për së afërmi me 9 gra duke dokumentuar jetën e tyre për së afërmi, në fotografitë e shkrepura gjatë qëndrimit tuaj në Isniq ne poashtu shohim detaje nga jetesa e grave në atë periudhë kohore…

ACE: Si studente në Fotoskolan në Stokholm, gjatë viteve 1968-1971, e ndikuar nga disa prej mësuesve, kisha një dëshirë të fortë të studioja nga afër jetën e njerëzve, të përpiqesha të “futesha nën lëkurën” e aspektit që njerëzit zakonisht e prezantojnë para botës. Metoda që zhvillova ishte shumë e dobishme: të takoja njerëz haptasi, sy më sy, të prezantohesha sa më sinqerisht që të ishte e mundshme, duke iu treguar atyre se çfarë ishte e rëndësishme për mua, në jetë dhe në punë. Kjo bëri që gratë me të cilat punova të përgjigjeshin me të njëjtën çiltërsi.

GE: Në librin tuaj “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976” ju rrëfeni për jetën e një populli pak të njohur për botën dhe për një vend që në atë kohë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, përmes fotografive dhe intervistave të bëra në atë kohë, cili ishte mesazhi që donit t’i tregonit botës dhe cili ishte qëllimi kryesor i këtyre përmbledhjeve?

ACE: Ajo që më njoftoi me jetën e shqiptarëve që jetonin në Kosovë ishte mikja ime e ndjerë Berit Backer (1947-1993), i cila e kishte punuar në terren si antropologe në Isniq, në vitin 1975, dokumentuar në tezën e saj të vitit 1976 “Behind Stone Walls – Changing household organiztation among the Albanians of Kosovo” (Universiteti i Oslos). Ajo që tregoi për përvojat e saj nga jeta e fshatit në Kosovë më bëri një përshtypje aq të fortë sa vendosëm të shkonim atje së bashku, të bënim një dokumentim me tekste dhe fotografi. Edhe pse jeta e fshatit në fillim duket ekzotike për një të huaji si unë, shpejt kuptuam se jeta e grave që takuam nuk ishte shumë e ndryshme nga jeta e grave perëndimore, ishin rrethanat e përgjithshme që e bënin situatën e tyre të ndryshme.

GE: Gjatë periudhës së qëndrimit në Isniq, ju jeni ndeshur me një sistem jetese ndryshe, me tradita që nuk i keni hasur më herët, me gra e fëmijë që punojnë (të dokumentuara edhe në fotografi) dhe një sistem patriarkal të të jetuarit. Jeni kthyer edhe disa herë pas asaj periudhe, nga rrafshi individual si e shihni mënyrën e të jetuarit në Kosovë gjatë etapave të ndryshme kohore?

ACE: Gratë punojnë edhe këtu në Perëndim, por këtu ka më shumë barazi, edhe pse jo plotësisht, mes gjinive, sa i përket punës dhe pagave dhe fëmijët mbrohen nga punët e vështira. Shëndeti dhe edukimi i fëmijëve janë më të rëndësishëm se puna, pasi kjo do të rrisë shanset e tyre për sukses në jetë. Një zhvillim ekonomik ka pasur edhe në Kosovë, duke i dhënë më shumë rëndësi arsimit. Mundësitë për të studiuar janë zgjeruar, duke u dhënë vajzave dhe djemve më shumë mundësi të barabarta.

GE: Ju qëndruat në Kosovë për një periudhë jo pak të shkurtër, 7 javë, kur ktheheni sot në retrospektivë, çka do të thotë kjo periudhë për ju, me pak fjalë si çka e kujtoni qëndrimin këtu?

ACE: Kam kujtime shumë të mira nga qëndrimi në Kosovë, ky qëndrim më tregoi aspekte të tjera të jetës dhe ndikoi në mënyrën time të të jetuarit. Jeta e përditshme ishte ende e dominuar nga lufta për mbijetesë, dhe për këtë arsye njerëzit nuk ishin të preokupuar me ekspozimin e pasurive ekstravagante si: rrobat, makinat ose shtëpitë.

Në rrafshin e gjerë përpos pamjeve që ne i shohim si publik, cilat janë sakrificat e një reporteri mbrapa fotoaparatit?

ACE: Ndonjëherë do t’ju duhet të sakrifikoni nevojën tuaj për rehati, për të kapërcyer dembelizmin tuaj dhe për të përdorur në maksimum situatën që keni përballë. Ndoshta nuk do të jeni në gjendje të ktheheni në të njëjtin vend, t’i bëni gjërat për herë të dytë. Gjithashtu, si fotograf duhet t’u tregoni gjithmonë njerëzve respekt dhe të mos i shfrytëzoni duke i dokumentuar në situata që mund të jenë të sikletshme ose të dhimbshme. Mund të fotografoni çfarë të doni, por duhet të jeni jashtëzakonisht të kujdesshëm kur bëhet fjalë për publikimin – çfarë të tregoni dhe jo.

Ju keni ndjekur shkollimin për fotografinë e formatit bardhë e zi, vazhdoni të punoni në projekte private. Si e shihni këtë lloj formati në aspektin profesional dhe emocional (më saktë çfarë ndjesish ju ngjallë një fotografi bardhë e zi)?

ACE: Ndihem shumë më rehat duke punuar bardhë e zi, ku mund të përqendrohem te drita, përbërja dhe përmbajtja e imazhit, – duke mos pasur nevojë të marr parasysh ndikimin që ka ngjyra në imazhin përfundimtar. Duke punuar në mënyrë dixhitale tani, gjithmonë i konvertoj imazhet në bardh e zi kur publikoj, për të shmangur shkatërrimin e përmbajtjes së fotografisë për shembull nga dikush me jelek të verdhë, që shfaqet papritur në sfond.

Çka duhet të ketë parasysh një fotoreporter i cili dëshiron të dokumentojë rrafshin social në punën e tij?

ACE: Fotografi duhet të jetë sa më i sinqertë dhe që në fillim të deklarojë qartë qëllimet e tij/saj me imazhet që do të realizohen dhe të mos i vendosë njerëzit në situata degraduese, të sikletshme ose të padrejta.

Mes ekspozitash kolektive e personale, mes punëve të realizuara ndër vite, a ju ka mbetur peng ndonjë fotoreportazh i pa realizuar për një arsye a tjetër?

ACE: Jam e sigurt që duhet të ketë pasur situata kur nuk kam mundur t’i realizoj idetë e mia, pasi kam punuar si fotografe për 33 vjet në Muzeun e Historisë së Kulturës, Universiteti i Oslos. Por nga ana tjetër, ajo punë më dha shumë liri dhe mundësi për të kryer dhe botuar gjithashtu studimet e mia fotografike historike bazuar në koleksionet e muzeut, si ato të eksploruesve të njohur norvegjezë Roald Amundsen dhe Carl Lumholtz.

Pasi kam punuar me fotografinë për gati gjashtëdhjetë vjet, sigurisht që duhet të kem pasur pengesa gjatë rrugës, por nuk mund të kujtoj të gjithë njerëzit dhe situatat që kam hasur. Megjithatë – jeta ime ka qenë shumë interesante, magjepsëse dhe e mbushur plotë me të dyja edhe momente të lumtura dhe të trishtuara, megjithëse nuk kam mundur t’i fotografoj të gjitha.

Eek është kthyer në Kosovë dhe Shqipëri për të dokumentuar jetën e përditshme të shqiptarëve. Ky studim i saj i historisë së Ballkanit e bëri atë edhe më të involvuar. Gjatë viteve të 90-ta, përderisa ishte bërë e rrezikshme të udhëtohej për në Kosovë, Eek vizitoi regjionin dhe Kosovën pas luftës së 1998-1999 në disa raste.

Ajo vazhdon të punojë me fotografitë bardhë e zi, me vetëdije duke vëzhguar dhe kaluar kufij për të na bërë ne të shohim atë që ajo sheh, apo për të na dëshmuar se si fotografia është tmerrësisht fascinuese, fizikisht kërkuese por mentalisht mjaft e kënaqshme.

Të gjitha fotografitë në artikull janë përdorur me lejen e autores

/GazetaExpress