Dëshmitari i mbrojtjes në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ish-këshilltari juridik i ekipit kosovar në Rambuje, Paul Williams, ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë dy ditëve dëshmi, ai ka dhënë detaje mbi negociatat e Rambujesë, marrëdhëniet me UÇK-në, rolin e FARK-ut dhe angazhimet e figurave politike dhe ushtarake gjatë vitit 1998-1999, përfshirë, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin, Bujar Bukoshin, Hashim Thaçin dhe Veton Surroin.
Williams foli edhe për marrëdhëniet e Lidhjes Demokratike të Kosovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi, duke përmendur fondet e kontrolluara nga Bukoshi dhe përpjekjet e tij për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), si “elemente” që ndikuan në “tensionimin” e raporteve.
Eksperti amerikan, i cili kishte ofruar ndihmë falas për palën kosovare në negociatat e Rambujesë, rrëfeu edhe ngjarje që kishin ndodhur brenda godinës ku po zhvilloheshin bisedimet që më pas sollën fushatën bombarduese të NATO-s ndaj forcave serbe.
Dëshmitari ndau një moment ku Hashim Thaçi ishte nervozuar pasi që një fotograf francez kishte hyrë në dhomë dhe i kishte fotografuar pjesëtarët e delegacionit kosovar. Sipas tij, Thaçi kishte ankth, duke menduar se fotografitë do ndikonin që ai të shënjestrohej nga forcat serbe si kryesues i delegacionit.
Një “brengë” të tillë, sipas Williams, nuk e kishin pasur edhe Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi e Veton Surroi.
Dëshmitari i dytë i mbrojtjes foli edhe për rolin e diasporës shqiptare në Konferencën e Rambujes dhe zhvillimet politike e ushtarake në atë periudhë, zhvillime këto që lidheshin me çështjen e Kosovës.
Sikurse ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, i cili ishte dëshmitari i parë i mbrojtjes, edhe Paul Williams tha se Hashim Thaçi nuk kishte autoritet të merrte vendime pa miratimin e komandantëve të zonave.
Trupi gjykues ka njoftuar se dëshmitari i tretë i mbrojtjes do të fillojë të japë dëshminë e tij të hënën, më 22.09.2025. Dëshmia e tij pritet të zgjasë deri të mërkurën, më 24.09.2025.
Në vazhdim mund të lexoni një përmbledhje të dëshmisë së Paul Williams në Gjykatën Speciale nga 17 deri më 18.09.2025.
Gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues dhe avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, dëshmitari Paul Williams ka folur kryesisht për marrëdhëniet e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, me udhëheqësit e UÇK-së.
Ai ka deklaruar se gjatë vitit 1998 Bujar Bukoshi kishte synuar të krijonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe kjo ishte pjesë e tensioneve politike me UÇK-në.
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, i ka prezantuar Williamsit një artikull të Radio Evropës së Lirë nga viti 1998, ku thuhej se qëllimi i FARK-ut ishte marrja e kontrollit mbi UÇK-në dhe të ishte në tavolinën e bisedimeve me një pozicion force ndaj qeverisë, parlamentit dhe ushtrisë.
“Unë di që Bukoshi përpiqej të krijonte një FARK, bazuar fillimisht në Shqipëri, dhe që përbëhej nga oficerë shqiptarë, apo oficerë që kishin shërbyer në forca të Jugosllavisë. Bukoshi nuk më ka kërkuar kurrë konkretisht këshillë lidhur me FARK-un, por në bisedat e mia me Bukoshin dhe me diasporën shqiptaro-amerikane, kjo ishte temë e bisedave. Kjo ishte pjesë e tensionit të thellë. Ishte ndërmarrje e re e LDK-së për të krijuar një krah të armatosur” – ka thënë Williams.
I pyetur nëse FARK-u do të përdorej për të marrë kontrollin mbi UÇK-në, Williams ka sqaruar: “Me sa më kujtohet, është që FARK-u do të ishte aktor tjetër i armatosur joshtetëror i cili do të luftonte në emër të popullit të Kosovës. Duke qenë se do të ishte profesional, sepse përbëhej nga oficerë të ushtrisë shtetërore, kishte gjasa të bëhej më efikas dhe rrjedhimisht do të mënjanonte UÇK-në”.
Në kontekstin e “tensioneve” mes Bukoshit e UÇK-së, Williams nuk u la pa u pyetur për kërkesat që UÇK-ja të ndihmohej financiarisht.
Williams tha se Bukoshi hezitonte t’i ndihmonte UÇK-së.
Në pyetjet e trupit gjykues, Williams tha se UÇK-ja kishte bërë thirrje të vazhdueshme që Bukoshi dhe qeveria e tij të siguronin fonde, të cilat sipas tyre ishin në dispozicion.
“Po, më kujtohet. Një nga dimensionet e marrëdhënieve të tensionuara dhe jo të tensionuara ka qenë përpjekja e UÇK-së për të krijuar hapësirë politike, duke e bërë të pavlefshme LDK-në. Deri në një shkallë, kjo është normale. Por veçanërisht Bujar Bukoshi, sepse ai ishte kryeministri dhe ishte jashtë Kosovës”- tha Williams.
Ai theksoi se këto kërkesa kishin shkaktuar tension mes palëve.
“LDK-ja ka qenë efektive në grumbullimin e fondeve prej diasporës. Edhe pse Bukoshi nuk i kontrollonte drejtpërdrejt këto fonde, ai ishte pjesë e LDK-së që i bënte kontrollet e tyre. Kishte kërkesa vazhdimisht prej komuniteteve shqiptare, refugjatëve apo të tjerëve dhe UÇK-ja, që këto fonde të shpenzoheshin në mënyrë të caktuar. Ata thoshin: ‘Nëse keni kaq para, pse nuk na i jepni këto?’” – tregoi ai.
Sipas Williams, Bujar Bukoshi kishte shprehur hezitim për të ofruar ndihmë financiare për UÇK-në, për disa arsye.
“Po, Bujar Bukoshi hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në. Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara. Ishin mbledhur për të financuar sistemin arsimor paralel që funksiononte në Kosovë dhe për të financuar kujdesin shëndetësor. Kur vjen çështja e parave dhe armëve nuk mund të flas, por ai më ka thënë se kishte dy probleme: ‘I kemi mbledhur këto para për shëndetësinë dhe arsimin, dhe këtu duam t’i shpenzojmë.’ Mos më merrni këtë përfundimtare’. Së dyti, nëse duan para për armë, ka mënyra të tjera. Dhe ata e gjetën”- u shpreh Williams.
Dëshmitari shtoi se hezitimi i Bukoshit nuk lidhej vetëm me natyrën e fondeve, por edhe me rivalitetin politik.
Paul Williams, dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka treguar një moment tensioni gjatë negociatave të Rambujesë, kur një fotograf francez hyri në dhomën e delegacionit të Kosovës.
“Unë kam perceptimin e stresit dhe kërcënimit të mëngjesit. Francezët dërguan një fotograf për të bërë fotografi tipike të protokollit. Ky fotograf gati sa nuk i prishi negociatat e Rambujesë. Ai u fut në dhomën ku ishte delegacioni i Kosovës dhe bëri fotografi të Hashimit, Rugovës dhe të tjerëve. Hashimi u nervozua shumë, totalisht” – tha Williams.
Sipas tij, Hashim Thaçi u shqetësua se këto fotografi do të përdoreshin nga Serbia për ta shënjestruar atë.
“Hashimi u stresua shumë sepse fotografitë e tij në kështjellën ku bëheshin negociatat do të përdoreshin nga Serbia për ta shënjestruar atë. Nuk e di si e bëri këtë lidhje. Ky ishte fotograf i zakonshëm, megjithëse rrallë kishte fotografë, përveç kur aty ishte Albright” – shtoi ai.
Williams theksoi se ankthi i Thaçit ishte i lidhur me frikën për sigurinë personale.
“Por, ky nivel ankthi dhe nervozizmi lidhur me sigurinë personale, për shkak të një fotografi i cili ishte francez, lidhej me faktin se ai kishte mbajtur këtë pozitë si kryesues, gjë që i kishte sjellë vëmendje më të madhe nga forcat serbe ndaj tij. Në kontekstin më të gjerë, më shumë se 12 klientë me të cilët kam punuar në negociata janë vrarë nga pala tjetër. Pra, frika ishte e bazuar, kishte një ndjenjë se ai mund të binte në shënjestër duke qenë kryesues i negociatave”- u shpreh Williams.
Ndërkohë, figura të tjera të delegacionit kosovar, sipas Williams, reaguan më qetë ndaj situatës.
“Rugova e Surroi u bënë nervozë më pak. Rugova, Bukoshi e Surroi ishin më rehat me protokollin. Bukoshi kishte dhënë intervista më herët. Ai kishte dalë në kamera e filmime”- tha eksperti amerikan.
Ai shtoi se Rugova kishte një status të veçantë të mbrojtur nga diplomacia amerikane.
“Rugova kishte pozicion që ishte i shkëputur. Departamenti i Shtetit ia kishte bërë të qartë Millosheviqit se Rugova nuk preket. Dhe nëse forcat serbe do t’i bënin diçka Rugovës, kjo do të ishte vija e kuqe”- tha Williams.
Për Surroin, ai tha se kishte mbetur në Kosovë gjatë bombardimeve dhe kishte marrë mbështetje ndërkombëtare për sigurinë e tij.
“Bukoshi rrinte në Gjermani, Vetoni në Prishtinë gjatë bombardimeve dhe kishte përpjekje që të siguronte mbështetjen për Vetonin dhe shokët e tij nga ndërkombëtarët, që t’i dërgoheshin mesazhe Millosheviqit se Vetoni nuk preket. Pra, mos dërgoni forcat që ta merrnin Vetonin”-tregoi Williams.
Në seancën e së mërkurës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitari Paul Williams ka folur për përfshirjen e Dino Asanajt në proceset politike të kohës së Rambujesë dhe përfaqësimin e përkohshëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara.
Trupi gjykues pyeti Williams nëse gjatë konferencës së Rambujesë ishte takuar me anëtarë të diasporës që kishin lidhje me UÇK-në. Ai tregoi një episod kur njëri prej tyre i kishte shkruar një mesazh në një letër të cilën më pas ia dha për ta dërguar te delegacioni kosovar.
“Ky person ishte Dino Asanaj. Për faktin se Dino Asanaj ishte amerikan, ai kujdesej të mos ishte pjesë e UÇK-së. Amerika i ndalon këto. Qeveria e përkohshme ishte e interesuar të kishte përfaqësim politik në Uashington në mënyrë që të siguronte njohje politike, dhe për këtë arsye i kanë kërkuar Dino Asanajt, meqë ai ishte shqiptaro-amerikan” – tha Williams.
I pyetur nëse ishte në dijeni që Asanaj mund të ketë pasur probleme si përfaqësues i qeverisë së përkohshme të Kosovës në SHBA, për shkak se UÇK-ja fillimisht konsiderohej si organizatë terroriste nga administrata amerikane, Williams pranoi se kishte tensione.
“Po, tensionet mund të kenë qenë për faktin se NATO kishte nisur fushatën bombarduese. Ata po kërkonin të gjenin një bazë për administrimin ndërkombëtar të Kosovës. Pra kosovarët ishin aktivë dhe kishin caktuar një përfaqësues në Uashington. Kështu që pjesë e reagimit politik prej qeverisë amerikane ishte – prisni një çast, është ende herët, nuk i kemi sqaruar të gjitha gjërat”- deklaroi ai.
Sa i përket rolit të Asanajt, Williams theksoi se ai ishte aktiv kryesisht në rrethin e komunitetit organizativ dhe përpjekjeve për ta futur Kosovën në diskutimet politike ndërkombëtare.
“Unë dhe ai kemi bërë biseda të shumta. Ai kryesisht ka qenë i kufizuar te komuniteti i organizatave të ndryshme për të siguruar që Kosova të ishte pjesë e bisedave të ndryshme, grupe pune, mbledhje etj.” -tha dëshmitari.
Dino Asanaj vdiq në vitin 2012, teksa ishte shef i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë, dëshminë e tij e nisi duke treguar për rolin e tij në negociatat e Rambujesë. Ai tha se angazhimi i tij si këshilltar jurdik erdhi pas një vendimi të delegacionit kosovar.
Ai ka sqaruar se ishte zgjedhur zyrtarisht vetëm dhjetë ditë para nisjes së negociatave.
“Bukoshi më kishte thënë, nëse ka negociata në Rambuje, a do jesh ti?” – ka rrëfyer Williams.
Sipas tij, gjatë verës së vitit 1998 kishte punuar me Bukoshin, Rugovën dhe Veton Surroin, duke ofruar ndihmë vullnetare në aspektet që do të diskutoheshin në të ardhmen.
“Fizikisht nuk kam shkuar, ndryshe nga Rambuje kur isha” – ka thënë ai.
Williams ka theksuar se ftesa për pjesëmarrje në Rambuje i erdhi nga Bujar Bukoshi, në emër të presidentit Ibrahim Rugova.
“Më 7 shkurt 1999 u mor vendimi zyrtar nga delegacioni përmes të cilit më ftuan në bisedime dhe të isha këshilltari i tyre juridik. Ky vendim u nënshkrua nga Edita Tahiri dhe Bajram Kosumi” – ka deklaruar Williams
Në orët e para të dëshmisë së tij, në Dhomat e Specializuara në Hagë, juristi amerikan Paul Williams, dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit, ka treguar se një nga pikat kyçe të diskutimeve në Rambuje kishte qenë roli i Tribunalit Penal për ish-Jugosllavinë (TPNJ).
“Juridiksioni dhe aftësia e TPNJ-së që të vepronte në mënyrë efektive ishte e rëndësishme për disa arsye; konteksti konkret specifik përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut dhe prokurorja përpiqej të kishte qasje në Kosovë, por nuk kishte vizë. Asaj iu mohua viza. Më kujtohet se ka qenë Masakra e Reçakut dhe ambasadori William Walker që përdori fjalën ‘krime kundër njerëzimit’. Prokurorja do të hetonte atje, por i thanë që nuk ke vizë” – tha Williams.
Ai shtoi se një arsye tjetër për të mbështetur fuqizimin e TPNJ-së ishte ruajtja e “barazisë morale”.
Williams theksoi se gjatë bisedimeve në Rambuje kishte punuar ngushtë me delegacionin e Kosovës, përfshirë edhe me anëtarë të diasporës.
Ai tregoi se iu kërkua që të përgatiste “gjuhën gjithëpërfshirëse” të marrëveshjes, në mënyrë që Tribunali të kishte të gjitha kompetencat për të zbatuar mandatin e tij.
“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përgatis gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij” – deklaroi ai.
Sipas Williams, delegacioni kosovar kishte shprehur interesim të madh për këtë temë dhe kërkonte sqarime shtesë.
“Për kontekst të mëtejshëm gjatë dy ditëve të para, sa isha në kështjellë, më ftuan që t’i jepja një prezantim delegacionit kosovar për katër tema. Tema e katërt ishte juridiksoni dhe aktivitetet pra hetimet, aktakuzat e Gjykatës së Tribunalit për Ish-Jugosllavinë. Të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të pranishëm, kjo përfshinte edhe mësime që kishin nxjerrë nga koha kur unë punoja si këshilltar ligjor për boshnjakët në Marrëveshjen e Daytonit”- ka theksuar Williams.
Ai kujtoi se përshtatja e gjuhës së dokumenteve iu kërkua nga Fehmi Agani.
“M’u kërkua që në këtë gjuhë gjithëpërfshirëse të përfshihej qasja e mjaftueshme e TPNJ-së për të ushtruar mandatin e saj edhe brenda Kosovës” – tha ai.
Në sallën e gjyqit, Williams pohoi se edhe vetë Hashim Thaçi kishte mbështetur këtë qasje.
“Ai tha se kjo pasqyron këtë që na intereson edhe neve”- bëri të ditur Williams.
Dëshmitari tregoi gjithashtu se ishte i vetëdijshëm që bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte edhe hetime potenciale për UÇK-në.
“Delegacioni i Kosovës që përfaqësonin UÇK-në duke përfshirë edhe Hashim Thaçin kishin mundësinë që të shihnin se si TPNJ-ja vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjës dhe se Tribunali kishte ngritur aktakuzë ndërmjet këtyre palëve” – u shpreh ai.
Williams shtoi se dihej që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme, përfshirë edhe ndaj aktorëve të armatosur joshtetërorë.
Në seancën e datës 17.09.2025, në Dhomat e Specializuara të Hagës, Prokuroria ka kërkuar që si provë të pranohet një deklaratë e dhënë nga Veton Surroi për BBC-në, ku ai kishte thënë se Hashim Thaçi në Rambuje përdori “gjuhë kërcënuese” kundër marrëveshjes dhe se kushdo që do ta nënshkruante atë do të ishte “armik i kombit”.
Prokurori i Specializuar, gjatë pyetjes së dëshmitarit të mbrojtjes Paul Williams, kërkoi të sqarohej nëse ndonjëherë Surroi i kishte thënë se ishte ndjerë i kërcënuar nga Hashim Thaçi.
Williams u përgjigj prerazi duke e mohuar këtë pretendim.
“Jo”- tha ai, duke theksuar se “asnjëherë nuk më ka thënë, nuk më ka lënë të kuptoj, ose nuk më ka shfaqur sjellje që ai ka qenë i kërcënuar nga Hashim Thaçi. Asnjëherë nuk më ka thënë se është ndjerë i kërcënuar nga Hashim Thaçi”.
Në këtë pikë, Williams përsëriti disa herë se nuk ka pasur asnjë tregues nga ana e Surroit se ai ishte ndjerë i kërcënuar nga ish-udhëheqësi i UÇK-së.
Paul Williams u pyet nëse kishte dëgjuar për “tensione” mes Bujar Bukoshit e Hashim Thaçit, por ish-këshilltari ligjor i delegacionit tha se nuk ishte në dijeni nëse kishte pasur ndonjë incident mes tyre.
Për dallim nga Paul Williams, të cilit i mjaftuan një ditë e gjysmë për të dëshmuar, ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, i cili ishte edhe dëshmitari i parë i mbrojtjes, dëshmoi për tri ditë me radhë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...