Ankohet Koemani: VAR-i po përdoret vetëm për vendime në dëm të Barcelonës - Gazeta Express

Ankohet Koemani: VAR-i po përdoret vetëm për vendime në dëm të Barcelonës

Gazeta Express

25/10/2020 9:14

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka thënë se video asistenti i referimit (VAR) është duke u përdorur vetëm për të marrë vendime kundër Barcelonës, pasi penalltia e Sergio Ramosit i ndihmoi Real Madridit ta fitojë El Clasicon të shtunën.

Federico Valverde e kaloi Realin në epërsi pas një pasimi të mrekullueshëm nga Karim Benzema qysh në fillim të ndeshjes, transmeton Gazeta Express.

Por Ansu Fati e barazoi rezultatin vetëm pak çaste më vonë, i ndihmuar nga Jordi Alba, duke u bërë golashënuesi më i ri në moshë në histori të El Clasicos.

Ramos e ktheu epërsinë duke shënuar nga penalltia para se Luka Modric ta vuloste fitore e madrilenëve në sekondat e fundit.

Por pika kthyese në këtë takim ishte vendimi i VAR-it për t’i dhënë penallti Realit. Gjyqtari Juan Martinez Munuera nuk e pa që Clement Lenglet e kishte tërhequr Ramosin për fanelle, por penalltia u dha më vonë pasi rasti u rishikua në ekran.

Barcelona, nga ana e saj, i kërkoi dy penallti por të dyja iu mohuan, një për ndërhyrjen e Raphael Varane ndaj Lionel Messit dhe tjetrën për një prekje të mundshme të topit me dorë.

“Unë s’e kuptoj VAR-in, mendoj se po përdoret vetëm për të marrë vendime kundër Barçës”, tha Koeman pas ndeshjes.

“Në zonë gjithmonë ka tërheqje për fanelle dhe mendoj se Ramosi bëri faull në Lenglet i pari. Kishte tërheqje të fanellës por jo aq të fortë sa për ta bërë atë të rrëzohej siç u rrëzua. Për mua nuk ishte penallti”, shtoi Koeman.

Trajneri holandez nënvizoi: “Në pesë ndeshje që i kemi luajtur deri tani, VAR-i është përdorur vetëm kundër Barçës. Kurrë në të mirën tonë”./Gazeta Express/