Anibar mban panel të veçantë rreth sfidave dhe mundësive në animacion - Gazeta Express
string(69) "anibar-mban-panel-te-vecante-rreth-sfidave-dhe-mundesive-ne-animacion"

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 14:32

Anibar mban panel të veçantë rreth sfidave dhe mundësive në animacion

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 14:32

Një grup animatorësh, producentësh dhe krijuesish nga Ballkani dhe më gjerë u mblodhën të
enjten për një diskutim mbi temën “Si të fillosh (dhe të mbash) një karrierë në animacion në
Ballkan.” Ky panel u zhvillua në kuadër të edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të
Animacionit Anibar, që po mbahet këtë javë në Pejë.
I moderuar nga regjisorja dhe producentja e njohur e animacionit Vessela Dantcheva, paneli
bashkoi profesionistë nga Kosova, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe më tej, të cilët sollën
perspektivat e tyre mbi mënyrat për të mbajtur gjallë frymën krijuese në një rajon që jo
gjithmonë njihet për mbështetje të qëndrueshme ndaj arteve.
“E nisëm me animacione të vogla. Dhe ja ku jemi sot,” tha Dantcheva.
Në fjalën e tij, regjisori kroat i animacionit dhe artist i librave komikë, Marko Dješka, theksoi se
çelësi në krijimin e filmave është qëndrueshmëria: “Kur bëhet fjalë për film-bërje, nuk mendoj
që ka rëndësi se ku je. Nëse flasim për filma të shkurtër, flasim për një audiencë ndërkombëtare.
Çelësi është të jesh konstant. Ndërtimi i një karriere kërkon vazhdimësi, por të fituarit të holla
prej saj varet nga vendi ku jeton,” tha Dješka.
Flaka Kokolli, një animatore e re nga Kosova, tregoi para publikut sesi studioja e saj u krijua më
shumë nga nevoja sesa nga ambicia, duke shtuar se në fillim të karrierës së saj, të gjitha
mundësitë në Kosovë ishin vetëm për motion graphics.
“E kam nisur studion më shumë nga dëshpërimi sesa nga dëshira për të pasur një studio,” tha ajo.
“Kur nisa karrierën, të gjitha mundësitë në Kosovë ishin për motion graphics, dhe unë nuk doja
të merresha me atë.”
Ndërkohë, animatori kroat Draško Ivezić, që aktualisht jeton dhe punon në Francë, shtoi se
vështirësitë nuk zhduken edhe në vende me industri më të zhvilluara. “Problemi ekziston edhe në
Francë,” tha ai. “Po, mund të duket si Eldorado, por njerëzit atje po ashtu e kanë të vështirë. Nuk
është e lehtë.”
Nga Maqedonia e Veriut, animatori Krste Gospodinovski foli mbi sfidat e punës në një vend ku
industria e animacionit pothuajse nuk ekziston.

“Në Maqedoni ‘nuk ka industri’,” tha ai. “Nëse punon vetëm në animacion, duhet ta duash me të
vërtetë. Animacioni është një proces i vështirë. Nëse nuk e do, nuk mund të ecësh përpara.”
Diskutimi u përmbyll duke theksuar se, pavarësisht mungesës së infrastrukturës tradicionale,
Ballkani mbetet një rajon plot potencial krijues.