Anglia do të bëhet vendi i parë në botë që do të nisë vaksinimin kundër infeksionit seksualisht të transmetueshëm, gonorrea.
Sipas mediave britanike, vaksina nuk do të jetë e disponueshme për të gjithë. Fillimisht, fokusi do të jetë tek meshkujt homoseksualë dhe biseksualë që kanë pasur shumë partnerë seksualë ose që kanë pasur më parë ndonjë infeksion seksualisht të transmetueshëm.
Bëhet e ditur se kjo vaksinë ka një efektivitet prej 30-40%, megjithatë Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Anglisë shpreson se do të ndihmojë në uljen e numrit në rritje të rasteve.
Sipas raporteve vetëm në vitin 2023 janë regjistruar mbi 85,000 raste me infeksionin, i cili nuk jep gjithmonë simptoma.
Vaksina kundër gonorresë, nuk është krijuar posaçërisht për këtë infeksion, por është vaksina që u ipet foshnjave aktualisht kundër meningjitit B. Është zbuluar që bakteret që shkakojnë të dyja sëmundjet janë të ngjashme, prandaj vaksina e njohur si MenB mendohet se do të ulë rastet e infeksionit të gonorresë me një të tretën.
Vendimi për përdorim të kësaj vaksine është marrë edhe për arsye se infeksioni po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u trajtuar, duke sjellë frikë se një ditë mund të bëhet totalisht i patrajtueshëm.