Kombëtarja angleze ka arritur të mposht Irlandën me rezultat 2-0 në udhëtim, në kuadër të ndeshjes së parë të këtij edicioni në Ligën e Kombeve.
Anglezët e kryen të gjithë punën në pjesën e parë kur shënuan të dyja golat, shkruan Gazeta Express.
Declan Rice realizoi golin e parë në minutën e 11-të.
Kurse 15 minuta më vonë, Jack Grealish dyfishoi epërsinë falë një asistimi nga Rice.
Pjesa e dytë ishte më e qetë sa i përket rasteve dhe deri në fund gola nuk pati.
Kështu, Anglia fitoi tre pikët e para të Ligës B në grupin 2.
Kjo njëherit ishte edhe fitorja e parë për trajnerin Lee Carsley, i cili është pasardhës i Gareth Southgate në stolin e “Tre Luanëve”.
Të drejtuarit e Carsleyt ndeshjen e ardhshme e luajnë ndaj Finlandës, kurse Irlanda do të ketë punë me Greqinë. /Gazeta Express