Aktorja e njohur hollivudiane dhe aktivistja e kauzave humanitare, Angelina Jolie, ka udhëtuar sërish drejt Ukrainës. Këtë herë ajo ka vizituar qytetin Kherson, një prej zonave më të prekura nga lufta dhe që vazhdon të jetë në vijën e frontit të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.
Edhe pse detajet e plota të qëllimit të vizitës nuk janë bërë publike, besohet se Jolie ka udhëtuar në Kherson në kuadër të një programi bamirësie dhe mbështetjeje për civilët e prekur nga lufta. Gjatë qëndrimit, ajo ka vizituar disa institucione shëndetësore, përfshirë një spital pediatrik dhe një maternitet, ku është takuar me mjekë, pacientë dhe familjarë të tyre.
Në rrjetet sociale janë publikuar edhe disa fotografi nga kjo vizitë, ku Jolie shihet duke u shoqëruar me fëmijët, duke biseduar me ta dhe madje edhe duke luajtur, një gjest që ka ngjallur shumë reagime dhe emocion tek ndjekësit e saj në mbarë botën.
Kjo është vizita e dytë e aktores në Ukrainë. Ajo e vizitoi vendin për herë të parë në vitin 2022, në kuadër të një misioni humanitar, ku pati takime me persona të zhvendosur nga lufta, fëmijë të prekur nga traumat e konfliktit dhe vullnetarë të organizatave humanitare.
Angelina Jolie është prej vitesh e angazhuar në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sidomos në mbrojtjen e fëmijëve në zona lufte. Ajo ka qenë Ambasador Nderi i Vullnetshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe ka kryer vizita në disa prej zonave më të rrezikuara në botë, nga Siria e deri te Afganistani.
Së fundmi, Jolie ka përdorur edhe tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Romë, ku prezantoi veshjen “Couture” të stilistes Alice Winocour, për të ngritur zërin mbi krizën humanitare në Gaza dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Ajo shprehu publikisht shqetësimin dhe trishtimin e saj për situatën e rëndë që po përjetojnë civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët në zonat e konfliktit.
Vizita në Kherson vlerësohet si një tjetër mesazh i qartë për solidaritet me popullsinë civile dhe thirrje për ndërgjegjësim ndërkombëtar ndaj pasojave të luftës. /GazetaExpress/