Anëtari i PDK'së në KQZ: Qeveria s'është përgjigjur në kërkesën për buxhet shtesë për zgjedhjet lokale - Gazeta Express
string(99) "anetari-i-pdkse-ne-kqz-qeveria-seshte-pergjigjur-ne-kerkesen-per-buxhet-shtese-per-zgjedhjet-lokale"

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 15:25

Anëtari i PDK’së në KQZ: Qeveria s’është përgjigjur në kërkesën për buxhet shtesë për zgjedhjet lokale

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 15:25

Anëtari i PDK’së në KQZ, Ilir Gashi, ka thënë se sot janë bërë 30 ditë prej që kanë bërë një kërkesë zyrtare për buxhet shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale, mirëpo shton se ende Qeveria nuk ka kthyer përgjigje.

“Sot janë bërë plot 30 ditë që nga momenti kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka adresuar një kërkesë zyrtare për buxhet shtesë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, në funksion të organizimit të Zgjedhjeve Lokale 2025. Por fatkeqësisht, edhe pas një muaji të plotë, Qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje, ndonëse kjo përbën jo vetëm një papërgjegjësi institucionale, por edhe shkelje të detyrimit ligjor të përcaktuar në Nenin 113 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku thuhet qartë: “Qeveria e Kosovës financon mbajtjen e zgjedhjeve.””

Gashi ka shkruar se kjo është situatë e paprecedentë për KQZ’neë.

“Kjo është një situatë e paprecedentë për KQZ-në, asnjëherë më parë në historinë e proceseve zgjedhore në Kosovë nuk ka ndodhur që një kërkesë për buxhet të injorohet në këtë mënyrë, duke rrezikuar drejtpërdrejt organizimin e zgjedhjeve dhe besimin publik në procesin demokratik.”

Ai ka thënë se mbledhja e sotme e KQZ’së është shtyrë për shkak të mungesës së përgjigjes nga Qeveria.

“Si anëtar i KQZ-së, kam ngritur këtë shqetësim në dy mbledhjet e kaluara dhe kam kërkuar që Sekretariati i KQZ-së të na informojë mbi statusin e kërkesës për buxhet shtesë. Por, deri më sot, nuk është ofruar asnjë informacion konkret. Për më tepër, mbledhja e sotme e KQZ-së, në të cilën pritej që të adresohej ky shqetësim, është shtyrë vetëm dy orë para se të mbahej, për shkak të mungesës së përgjigjes nga Qeveria.”

Ai ka thënë se drejtori i Sekretariatit të KQZ’së ka përgatitur një raport vlerësues, në të cilin planifikohet rishpërndarja e mjeteve ekzistuese buxhetore, për t’u përdorur për zgjedhjet lokale.

“Kjo tregon qartë se organizimi i zgjedhjeve po cenohet me dijeni të plotë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa përgjegjësia po tentohet të bjerë padrejtësisht mbi KQZ-në. Sipas informatave që na janë dhënë, Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së ka përgatitur një raport vlerësues, në të cilin planifikohet rishpërndarja e mjeteve ekzistuese buxhetore, për t’u përdorur për zgjedhjet lokale. Ky veprim nuk është kërkuar dhe as miratuar nga anëtarët e KQZ-së dhe nuk është i mjafteushëm e as zgjidhje e qëndrueshme. Ne këmbëngulim që Qeveria të përgjigjet zyrtarisht dhe pa vonesa, sepse financimi i zgjedhjeve është detyrim kushtetues dhe ligjor, jo opsion politik. Institucionet e Kosovës (Presidenti), publiku kosovar dhe spektri politik duhet të informohen për këtë situatë, sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të mbajë një barrë që s’është e tij.”