string(53) "anetaret-e-be-se-presin-sanksione-te-reja-ndaj-rusise"

Lajme

Gazeta Express

03/06/2025 9:29

Anëtarët e BE-së presin sanksione të reja ndaj Rusisë

Lajme

Gazeta Express

03/06/2025 9:29

Kur Komisioni Evropian muajin e kaluar filloi të informojë vendet anëtare të BE-së për paketën e ardhshme të sanksioneve që pritet ndaj Rusisë, 27 vendet anëtare prisnin propozime konkrete me shkrim. Ende po i presin.

Zakonisht, dokumente të tilla – në këtë rast, raundi i 18-të i mundshëm i masave kufizuese që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini para më shumë se tre vjetësh – dorëzohen vetëm disa ditë pas brifingut, ose “rrëfimit”, siç i quajnë në Bruksel.

Këto dokumente përmbajnë detaje për atë që Komisioni po konsideron të vendosë sanksione. Në këmbim, vendet anëtare të BE-së paraqesin “vijat e kuqe” të tyre – pra, me çfarë mund të bien dakord – pasi për miratimin e sanksioneve nevojitet pëlqimi unanim i të gjitha vendeve anëtare.

Po cili është atëherë shkaku i vonesës? Dy janë arsyet.

E para është se disa vende anëtare të BE-së – përfshirë ato më të mëdha si Gjermania dhe Franca – duan të presin dhe të shohin se si do të shkojnë negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës më 2 qershor në Stamboll.

Disa zyrtarë të BE-së kanë thënë për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se nuk besojnë që Moska është serioze për të arritur përparim në bisedimet me Kievin, dhe prandaj donin të prisnin rezultatin e bisedimeve.

Përfaqësues nga delegacionet ukrainase, turke dhe ruse morën pjesë në raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta në pallatin Ciragan në Stamboll, më 2 qershor 2025.

Bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë zgjatën pak dhe përfunduan pa asnjë përparim.

Përveç se u pajtuan për shkëmbimin e mijëra ushtarëve të vdekur dhe të plagosur rëndë, të dyja palët nuk arritën asnjë përparim drejt përfundimit të konfliktit më të gjatë dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhe këtu janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deri më tani, presidenti Donald Trump ka shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, edhe pse ka kërcënuar disa herë se do ta bëjë këtë.

Arsyeja që jep është e njëjtë me atë të evropianëve: ai dëshiron t’u japë negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës çdo mundësi për sukses. Dhe Brukseli dëshiron me çdo kusht që Uashingtoni të përfshihet në çdo paketë të re sanksionesh.

Diplomatët evropianë thonë se u është hequr një barrë nga fakti që SHBA-ja, të paktën për tani, nuk ka pranuar një “marrëveshje të nxituar e të keqe për paqe” apo nuk është tërhequr krejtësisht nga procesi, pavarësisht kërcënimeve të mëparshme.

Edhe pse SHBA-të e pranojnë se sanksionet nuk janë më aq të harmonizuara sa ishin gjatë administratës së Joe Biden-it, përsëri është e rëndësishme për to që çdo raund i ardhshëm masash të koordinohet, në mënyrë që të forcohet efekti i tyre dhe të dërgohet një mesazh i fuqishëm.

Sanksionet nga Uashingtoni mund të ndihmojnë gjithashtu për të bindur disa vende anëtare të BE-së, si Hungaria – e cila udhëhiqet nga aleati i Trump-it, Viktor Orbán – që t’i bashkohen valës së re të masave, pavarësisht dyshimeve të mëparshme për efektivitetin e sanksioneve.

Atëherë, çfarë mund të përmbajë paketa e 18-të e sanksioneve?

Diplomatët e BE-së të njohur me këtë çështje theksojnë se për një masë të caktuar do të nevojitet miratimi i Shteteve të Bashkuara: ulja e çmimit tavan për naftën ruse, të caktuar nga grupi G7, në 45 dollarë për fuçi.

Ky tavan prej vitesh është 60 dollarë, edhe pse çmimi i tregut për naftën shpeshherë ka qenë më i ulët se ky nivel.

Plani është që liderët të arrijnë një marrëveshje për uljen e këtij tavani të paktën në 50 dollarë gjatë samitit të G7 që do të mbahet në Kanada nga 15 deri më 17 qershor.

Ministrat e financave të kësaj grupi nuk arritën një marrëveshje në maj, sepse Uashingtoni e kundërshtoi këtë hap. Disa zyrtarë të BE-së kanë thënë për RSE se besojnë se së shpejti mund të ketë përparim në këtë drejtim.

Ngjashëm me paketën e 17-të të sanksioneve, e miratuar më 20 maj, masat e reja përfshijnë shtimin e personave në listën e zezë dhe shënjestrimin e të ashtuquajturës flotë hije ruse.

Sa i përket kësaj flote, BE-ja ka vendosur tashmë sanksione ndaj më shumë se 300 anijeve që dyshohet se përdoren nga Moska për të anashkaluar sanksionet, veçanërisht në lidhje me eksportin e naftës.

Duke qenë se vlerësohet se kjo flotë përfshin edhe rreth 600 anije të tjera, qëllimi i paketës së ardhshme është të përfshijë sa më shumë nga këto mjete lundrimi, edhe pse diplomatët evropianë pranojnë se është sfiduese të mblidhen prova që mund të qëndrojnë në gjykatë dhe të vërtetojnë se Kremlini i financon këto anije.

Priten gjithashtu ndalime shtesë për dhënien e vizave dhe ngrirje pasurish, me synimin që BE-ja të shtojë edhe rreth 100 individë dhe kompani në listën tashmë të gjerë të të sanksionuarve, e cila numëron mbi 2.400 njësi.

Komisioni Evropian gjithashtu mund të propozojë rikthimin në listën e zezë të personave që më parë janë hequr prej saj.

Një tjetër hap i mundshëm është vendosja e masave ndaj diplomatëve rusë të vendosur në vendet evropiane, për të cilët dyshohet se spiunojnë për Moskën.

Propozimi përfshin gjithashtu sanksione ndaj gazsjellësve Nord Stream që lidhin Rusinë me Gjermaninë.

Aktualisht përmes këtyre tubacioneve nuk rrjedh gaz, por Berlini ka treguar se dëshiron që ato të përfshihen zyrtarisht në sanksione, pasi në Gjermani po rikthehen diskutimet për përdorimin e tyre nëse marrëdhëniet me Moskën do të përmirësoheshin.

Gjithashtu po shqyrtohet ideja për përjashtimin e më shumë se 20 bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, edhe pse shumica e bankave të mëdha ruse tashmë janë sanksionuar.

Në shënjestër mund të jetë edhe fondi rus për investime të drejtpërdrejta, ndërsa BE-ja planifikon të vendosë kufizime tregtare që do t’u ndalonin kompanive evropiane eksportin e përbërësve të ndryshëm industrialë që Rusia mund t’i përdorë për të zhvilluar luftën.

Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së do të duhet të presin që Komisioni t’i përpilojë zyrtarisht të gjitha këto propozime. /REL

aaaaa