Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar me ambasadorët e shteteve të QUINT’it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.”
ZKM thotë se temë qendrore e diskutimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa kujtojmë se për të ecur tutje procesi i anëtarësimit, shtetet e QUINT’it kanë kërkuar që Qeveria ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë kanë konfirmuar se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare. Ai theksoi se avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane. Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komuniteteve joshumicë dhe grupeve tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien.
ZKM thotë se gjatë takimi është diskutuar “edhe për rrugën përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e fundit në vend”.