Publicisti Ben Andoni nuk e beson pretendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë një vizite në Prishtinë të hënën tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është kërcënuar për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për shkak se, siç tha ai, s’i ka lënë të kryejnë kontrolle në zyrën e Presidentit.
Sipas tij, Vjosa Osmani “po kërkon një lloj protagonizmi të tepruar në këto situata”
“Nuk besoj të ketë pasur kërcënim për zonjën Osmani, ashtu siç shtrohet për median ky lajm. Prokuroria kërkon dokumente, po nuk mund të kontrollojë një zyrë presidenti, kur mendon se Dhomat e Specializuara dhe vetë Prokurioria e Hagës janë nën tagrin e Ligjeve të Kosovës. Por, protagonizmi i saj i kohëve të fundit është i lodhshëm dhe paçka qëndrimeve të saj të fundit në mbrojtje të liderve në Hagë nuk duhet harruar retorika e saj për ato personazhe. Nëse mund të kishte kërcënime mund të kishte Kurti, kurse zonja Osmani po kërkon një lloj protagonizmi të tepruar në këto situata, ku Kosova është ende në zgrip dhe ende pa gjetur ekuilibrin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Është ende një ngërç që mund të shkaktojë zgjedhje të tjera. Ka kohë që z. Rama po e mbështet dhe duket si një lloj qasje tjetër institucionale e Ramës ndaj Kosovës përmes marrëdhënies me të. Komunikimi i mirë dhe pragmatizmi i bashkon shumë kohët e fundit Ramën me Osmanin, kohë kur të dy kanë shumë probleme në vendet respektive”, tha ai në një intervist1% me shkrim për Gazetën Express.
Andoni dyshon se Osmani do të mund të rizgjidhet presidente, duke marrë një mandat të dytë si shefe e shtetit.
“Personalisht e dyshoj rizgjedhjen, sepse me kalimin e kohës ka humbur shumë si figurë unifikuese dhe pozicionin e besueshmërisë mbi partitë, ndërsa “Guxo”, formacioni i saj, nuk është më faktor si më parë në Kosovë. Në shumë raste, ajo nuk ka qëndruar dot mbi palët, kurse shemria me gratë e tjera të qeverisë Kurti e bëjnë atë jo një figurë aq të dashur te LVV, ashtu si qëndrimi që ka mbajtur ndaj partive të tjera, ku LDK-ja do e ketë të vështirë ta pranojë dhe një mandat tjetër, gruan, që gati e shpërbeu këtë formacion me ikjen e saj”, tha ai.