“Babai i Andit, Avdiu, është shumë i lumtur që Andi do ta përfaqësojë Kosovën”, kishte thënë ditë më parë numri një i FFK-së. Sot, Zeqiri është ftuar nga Zvicra U-21 dhe “e pret me emocion ftesën e Petkovic te ekipi A”, thotë babai i lojtarit, Avdi Zeqiri.
Disa muaj më parë ishte punë e kryer, Andi Zeqiri kishte vendosur ta përfaqësonte Kosovën.
Madje talenti i transferuar së fundmi te Brighton ishte takuar edhe me krerët e FFK-së, Agim Ademi dhe Eroll Salihu, por sot Zeqiri është pjesë e Zvicrës U-21 dhe me një këmbë po e pret edhe ftesën nga Petkovic për ekipin A.
Edhe babai i lojtarit, Avdi Zeqiri, muaj më parë kishte konfirmuar se Andi e ka zgjedhur Kosovën, madje sipas Klan Kosovës ai edhe ka nënshkruar një dokument me FFK-në, diçka që e ka konfirmuar edhe Agim Ademi i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Ne e kemi një marrëveshje me presidentin Agim Ademi, por situata e pandemisë ia ka pamundësuar presidentit ardhjen në Zvicër për ta nënshkruar zyrtarisht shkresën me të cilën vërtetohet se Andi do t’i bashkohet Kosovës. Pra, gjithçka ka të bëjë me problemet e ndalesës së fluturimeve Prishtinë-Cyrih. Unë mund t’iu them se 99.9 përqind kjo punë është e kryer, por meqenëse nuk e kemi vendosur ende nënshkrimin mbi letër nuk dua të them 100 përqind. Ne. realisht jemi marrë vesh me presidentin Ademi që Andi t’i bashkohet Kosovës qysh në mars kundër Maqedonisë, por koronavirusi shtyri gjithçka”, kishte thënë Avdi Zeqiri në një intervistë dhënë në qershor.
Këto i ka hedhur tani poshtë vet Avdiu, duke thënë se është shtrembëruar deklarata e tij.
“Fjalët e mija për atë se qëllimi i tij është që ai t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës në të ardhmen janë përshtatur dhe janë deformuar. Ajo që është e sigurt për Andin është se ai është i vendosur që ta vazhdojë aventurën me U21 të Zvicrës deri në fund. Pas kësaj dhe vetëm pas kësaj ai do të shikojë se cilat zgjedhje do t’i bëjë trajneri Petkovic. Me besoni, nëse ai e fton në Kombëtaren e Zvicrës, ai do ta pranonte me plot entuziazëm dhe lumturi këtë ftesë”, u shpreh ai.
Por veprimet dhe fotografitë, e tregojnë të kundërtën.
Andi disa herë është takuar me numrin një të FFK-së, Agim Ademi, dhe po ashtu me sekretarin, Eroll Salihu.
Ai madje e ka veshur edhe fanellën e Kosovës, dhe sipas Ademit, “çdo gjë ka përfunduar”.
“Andi Zeqiri është futbollist i Kosovës. Unë e kam mbyllur çështjen e përfaqësimit të tij nën fanellën e Kosovës. Andi me vullnetin e tij ka dëgjuar zemrën që i rreh për Kosovën. Ata janë një familje atdhetare. Përkundër të mirave që iu ka dhënë Zvicra, babai i Andit, Avdiu, është shumë i lumtur që Andi do ta përfaqësojë Kosovën. Andi për Kosovën ka nënshkruar fillimisht në zemër e pastaj në letër. E kemi dërguar dokumentin në Zvicër dhe në FIFA. Tani presim të drejtën t’i bashkohet grupit”, ka deklaruar ditë më parë Ademi për Olle.
Pra po, Andi kishte zgjedhur Kosovën sipas Ademit dhe çdo gjë ishte e kryer, sipas tij, edhe me vullnetin e babait të lojtarit dhe ai edhe kishte nënshkruar – por sot Andi do të luajë për Zvicrën U-21 dhe e ka zgjedhur Zvicrën sipas Avdi Zeqirit që e pranon se “e pret me padurim ftesën nga trajneri, Vladimir Petković”.
I tha ‘po’ Kosovës, por i tha ‘po’ edhe Zvicrës dhe nëse Petkovic e fton për sfidat e nëntorit, ai s’do të hezitojë. Ademi tha se “zemra i rrah për Kosovën”, atij zemra i rrah edhe për Zvicrën.
Shpresa vazhdon, Andi ende mund t’i bashkohet Kosovës, por këto shpresa ia ka shuar ‘Dardanëve’ tani për tani babai i lojtarit, sipas të cilit “nëse Petkovic e fton në Kombëtaren e Zvicrës, ai do ta pranonte me plot entuziazëm dhe lumturi këtë ftesë”. /Gazeta Express/
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...