Kandidati për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Andi Belegu, ka prezantuar programin e tij politik, duke theksuar se vizioni për kryeqytetin bazohet në tri shtylla: punë, kujdes dhe zhvillim me njerëzit.
“Programi ynë është ndërtuar mbi një ide të thjeshtë. Prishtina duhet të jetë qytet që punon, kujdeset dhe zhvillohet bashkë me njerëzit e saj,” ka deklaruar Belegu.
Ai ka theksuar se prioritet do të jetë ndalimi i ndërtimit të egër dhe pa plan, si dhe krijimi i më shumë hapësirave të gjelbra dhe parqeve në çdo lagje.
“Do të krijojmë hapësira publike për fëmijët, prindërit dhe të moshuarit. Një qytet i pastër, i gjallë dhe i ndërtuar për jetë më të mirë,” ka shtuar ai.
Belegu ka premtuar zhbllokimin e trafikut dhe modernizimin e transportit publik, duke përfshirë rrugë të sigurta, ndriçim në çdo lagje dhe rend urban që respekton qytetarin.
Në fushën ekonomike, ai ka paralajmëruar përkrahje për ekonominë lokale, për bujqit, gratë sipërmarrëse dhe artizanët që mbajnë gjallë jetën e qytetit.
“Zhvillimi nis me punën e ndershme të njerëzve të zakonshëm,” ka theksuar Belegu.
Ai ka njoftuar edhe për ndërtimin e Qendrave Multifunksionale në lagje e fshatra, hapësira për sport, kulturë, shërbime dhe bashkëjetesë komunitare, si dhe për Spitalin e Qytetit, që do të ofrojë kujdes cilësor e të qasshëm për të gjithë.
Në planin arsimor, Belegu ka theksuar ndërtimin e shkollave dhe çerdheve të reja në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Prishtinës, si dhe kujdes të shtuar për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Do të ketë logopedë në Qendrat e Mjekësisë Familjare, më shumë asistentë edukativë dhe mbështetje për familjet e tyre. Një qytet i drejtë matet me kujdesin që tregon ndaj më të ndjeshmëve,” ka theksuar ai.
Në fund, Belegu ka përmbyllur:
“Ky është vizioni ynë për një Prishtinë që punon, që kujdeset dhe që ecën përpara me dinjitet. Koha për Prishtinën është tani.”