Kandidati për Asamble të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Andi Belegu, ka ngritur çështjen e mijëra familjeve që edhe pas më shumë se 15 vitesh nuk kanë mundur të legalizojnë banesat e blera me kursimet e jetës.
“Nga përvoja ime në tregun e patundshmërive dhe nga takimet e shumta me qytetarë gjatë kësaj fushate, kam dëgjuar një problem që prek mijëra familje – banesa të blera me kursimet e jetës, që edhe pas më shumë se 15 vitesh nuk janë legalizuar. Ka familje që i kanë blerë banesat që në vitin 2006, sot nuk mund t’i shesin, t’i trashëgojnë apo t’i regjistrojnë. Këta qytetarë nuk janë fajtorë! Ata kanë blerë në besim, në një sistem që ka dështuar t’i mbrojë,” – ka deklaruar Belegu.
Ai ka theksuar se shumë ndërtues dhe qytetarë janë futur në këtë situatë për shkak të mungesës së planeve rregulluese dhe dështimit institucional për të krijuar kushte të rregullta ndërtimi.
“Ka edhe raste kur ndërtimet, sidomos të shtëpive individuale, janë bërë pa leje – jo për lakmi, por për shkak të mungesës së planeve rregulluese, që për vite të tëra i ka lënë qytetarët dhe ndërtuesit pa mundësi ligjore për të ndërtuar në mënyrë të rregullt. Edhe këto raste duhen trajtuar me përgjegjësi, por edhe me mirëkuptim,” – ka shtuar ai.
Belegu ka propozuar krijimin e një Task-Force për Legalizim, që do të ketë për qëllim përshpejtimin e procedurave dhe garantimin e transparencës në çdo rast.
“Në 6 muajt e parë të mandatit në udhëheqje të kryeqytetit, do të krijojmë një sistem që i pavarëson blerësit individualë nga ndërtuesit, do të lehtësojmë procedurat e legalizimit për banesat e blera me dokumente të rregullta, dhe do të zhbllokojmë kapitalin e qytetarëve që sot është i ngrirë në letër e burokraci,” – ka thënë Belegu.
Sipas tij, ky nuk është vetëm një proces urbanistik, por “një akt drejtësie për qytetarët e ndershëm të Prishtinës”.
“Qyteti bëhet i drejtë vetëm kur ligji shërben për njerëzit, jo kundër tyre,” – ka përfunduar Belegu.
#andibelegu50 #kohapërprishtinën #uranismaili #PDK191