Kandidati për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Andi Belegu, ka thënë se prioritet i tij dhe i ekipit që përfaqëson është arsimi, të cilin e sheh si bazën e zhvillimit të kryeqytetit.
“Arsimi është themeli i Prishtinës që duam. Nëse duam një qytet të zhvilluar, duhet të fillojmë nga arsimi. Fëmijët tanë meritojnë më shumë se klasa të mbingarkuara dhe kushte minimale,” ka deklaruar Belegu.
Ai premton se në mandatin e ardhshëm do të dyfishohet numri i çerdheve publike, ndërsa prindërit do të ndihmohen edhe përmes subvencioneve në çerdhet private. Po ashtu, sipas tij, edukatorët do të kenë kushte më dinjitoze pune.
Në programin e tij parashihet që shkollat e Prishtinës të kalojnë në sistemin gjithëditor, ku përveç mësimit, nxënësit do të zhvillojnë aktivitete dhe aftësi personale.
“Do të kemi psikologë dhe oficerë sigurie kundër bullizmit, shujta të shëndetshme dhe mbështetje për çdo nxënës,” ka theksuar Belegu, duke shtuar se arsimi nuk duhet parë si shpenzim, por si investimi më i madh për të ardhmen e kryeqytetit.
“Koha për Prishtinën është koha për nxënësit tanë,” ka përfunduar kandidati i PDK-së.