Ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e ka pranuar se ai nuk kishte nevojë ta udhëzonte Cristiano Ronaldon gjatë kohës sa ata ishin bashkë në Santiago Bernabeu, përderisa ka shtuar se portugezi ia bënte atij detyrën edhe më të lehtë.
Strategu italian është njëri ndër trajnerët më të suksesshëm në epokën moderne të futbollit, pasi i ka udhëhequr edhe disa nga klubet më të mëdha të botës. Ai ka shijuar suksese me Milanin, Juventusin, Chelsean, Real Madridin, Bayern Munich, Paris Saint-Germainin, ndërsa tani është kthyer në Angli si trajner i Evertonit, transmeton Gazeta Express.
Në vitin 2013, Ancelotti e mori një telefonatë nga Real Madridi. Pas e pranoi ofertën e madrilenëve, Los Blancos arritën ta triumfojnë në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e tij.
60-vjeçari ka bërë të ditur se e kishte shijuar shumë kohën e tij në kryeqytetin spanjoll, që zgjati vetëm dy vjet. Ai tha se do të jetë gjithmonë mirënjohës që iu dha mundësia të jetë trajner në Santiago Bernabeu, gjë që beson se duhet të jetë synimi i çdo trajneri.
Në mesin e lojtarëve që i pati në skuadër Ancelotti ishte edhe pesë-herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo.
“Sulmuesve si Ronaldos, të cilët mund të shënojnë në çdo ndeshje, nuk ke nevojë t’u japësh udhëzime apo shumë informata për aspektin defansiv të lojës”, ka thënë Ancelotti.
“Është mënyra më e lehtë për të qenë trajner – ta menaxhosh një lojtar fantastik sepse ata janë profesionista, janë seriozë, kanë karakter dhe janë të motivuar – kështu që kjo është mënyra më e lehtë”. /Gazeta Express/