Një kapitull i ri në historinë e kombëtares braziliane po nis me një emër të madh në stolin teknik.
Carlo Ancelotti është tashmë në rrugë drejt Brazilit për të marrë zyrtarisht drejtimin e përfaqësueses së pesë herë kampionëve të botës.
Lajmin e konfirmon gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili shkruan se italiani do të fillojë detyrën e tij si trajner i Brazilit nga dita e hënë.
“Ancelotti do të nisë punën me ‘Seleção’ nga e hëna, ndërsa lista e parë me lojtarët e përzgjedhur pritet të publikohet së shpejti”, njofton Romano në një postim ekskluziv.
Me përvojën e tij të pasur si trajner i Milanit, Chelsea-t, Real Madridit, PSG-së e shumë klubeve të mëdha evropiane, 64-vjeçari Ancelotti pritet të sjellë stabilitet dhe mentalitet fitues në një Brazil që po kërkon rikthimin në majën e futbollit botëror.
Ai zë vendin e lënë vakant pas një periudhe të paqëndrueshme për “Seleção”, duke sjellë me vete pritshmëri të larta për Copa América dhe Botërorin 2026.