Carlo Ancelotti ndihet mjaft i zhgënjyer me paraqitjen e Real Madridit ndaj Barcelonës në finale të Superkupës së Spanjës.
“Los Blancos” u dominuan nga Barcelona, e cila fitoi me rezultat 5:2 në ndeshjen e zhvilluar në Arabinë Saudite mbrëmë.
“Ishte një natë e shëmtuar, një natë e rëndë, jemi të trishtuar, njëjtë si krejt tifozët tanë. Është një dëshpërim e zhgënjim: nuk duhet ta fshehim, por ky është futbolli. Ndonjëherë je në gjendje të fitosh e ndonjëherë duhet të mësosh nga humbja. Duhet të shikojmë përpara, nuk kemi çka të bëjmë tjetër. Vetëm duhet të shikojmë përpara”, deklaroi fillimisht trajneri italian për “Movistar”, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas trajnerit të Real Madridit, është e rëndësishme që ekipi të mësojë nga humbja.
“Jemi mbrojtur keq, kjo e përkeqësoi lojën. Ata e gjenin lehtësisht golin. Nuk jemi mbrojtur mirë, as në presingun e lartë e as në ‘murin’ e ulët”, shtoi Ancelotti.
Ai zbulon se çka iu ka thënë lojtarëve pas përfundimit të pjesës së parë.
“Fillimisht ju thash të provojnë të luajnë futboll sepse në pjesën e parë nuk po luanim futboll. Luanim me topa të gjatë, por kjo nuk ishte ideja. Ideja ishte të luanim dhe ne nuk e bëmë këtë. Iu thash se mund t’i humbnin ndeshjet, por jo duke luajtur siç bëmë në pjesën e parë”, shtoi ai.
Tash, Reali do të mundohet ta harrojë këtë humbje dhe të fokusohet në kampionatin spanjoll dhe në Ligën e Kampionëve, përmes së cilëve mund ta shpëtojë sezonin. /Gazeta Express/