string(61) "ancelotti-i-gatshem-per-sfiden-e-re-si-perzgjedhes-i-brazilit"

Futboll

Gazeta Express

23/05/2025 13:17

Ancelotti i gatshëm për sfidën e re si përzgjedhës i Brazilit

Futboll

Gazeta Express

23/05/2025 13:17

Carlo Ancelotti ka deklaruar se lidhja e tij me Real Madridin “është e përjetshme” ndërsa përgatitet të largohet këtë fundjavë nga klubi spanjoll për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Brazilit.

Federata Braziliane e Futbollit (CBF) konfirmoi më herët këtë muaj se Ancelotti do të marrë drejtimin e kombëtares nga data 26 maj.

Duke e zyrtarizuar këtë lajm, Real Madrid ka konfirmuar se periudha e Ancelottit në “Santiago Bernabéu” do të përfundojë pas ndeshjes së së shtunës kundër Real Sociedad.

“Klubi ynë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe dashurinë për një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe futbollit botëror,” thuhej në deklaratën zyrtare të klubit.

Ancelotti ka fituar 15 trofe gjatë dy periudhave si trajner i Realit, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe La Ligën sezonin e kaluar. Periudha e parë e tij zgjati nga 2013 deri në 2015, ndërsa e dyta nisi në vitin 2021, kur ai u largua nga Everton për të marrë drejtimin e madrilenëve.

Kontrata e 65-vjeçarit me klubin madrilen ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2026, por largimi i tij është përshpejtuar dhe ai do të fillojë detyrën e re të hënën.

Në vend të tij, pritet të emërohet Xabi Alonso, ish-lojtar i Real Madridit, Liverpoolit dhe kombëtares spanjolle. Alonso, 43 vjeç, ka konfirmuar largimin nga Bayer Leverkusen dhe Real dëshiron ta ketë në post përpara fillimit të Kupës së Botës për Klube muajin e ardhshëm.

Brazili iu drejtua Ancelottit pas shkarkimit të Dorival Junior në mars, pas humbjes 4-1 ndaj Argjentinës në kualifikueset e Kupës së Botës.

“Seleção” ndodhet aktualisht në vendin e katërt në grupin e Amerikës së Jugut, me pesë humbje në 14 ndeshje, por është ende në pozita të mira për të siguruar një vend në Botërorin 2026.

Ndeshjet e para të Ancelottit si trajner i Brazilit do të jenë në qershor, ndaj Paraguajit dhe Ekuadorit, në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës.