Sulmet izraelite ndaj kapaciteteve bërthamore të Iranit mund të shkaktojnë një hakmarrje masive iraniane dhe të rrezikojnë zhytjen e rajonit në një luftë të plotë, kanë paralajmëruar prej kohësh analistët dhe ekspertët, shkruan CNN, trasnmeton Express.
Mediumi amerikan raporton se nëse Izraeli dhe Irani përfshihen në një konflikt më të gjerë, kjo mund të tërheqë edhe SHBA-në në luftë, pasi SHBA-ja është aleati më i ngushtë i Izraelit dhe furnizuesi kryesor i armëve të tij.
Shenja të këtij rreziku u shfaqën këtë javë kur SHBA-ja urdhëroi largimin e personelit jo thelbësor nga disa lokacione në Lindjen e Mesme, pasi paralajmërimet e inteligjencës treguan se një sulm izraelit ndaj Iranit ishte i afërt.Zyrtarët izraelitë njoftuan se po përgatiteshin për hakmarrjen e Iranit, duke shpallur gjendjen e emergjencës.
Frika do të jetë e përhapur mes atyre që jetojnë në Izrael dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, pasi sulmet e Izraelit e çojnë rajonin në një terren të panjohur.
Shtrirja rajonale e Iranit: Irani mbikëqyr një të ashtuquajtur “Aks të Rezistencës” në rajon, që përfshin përfaqësues besnikë si Hezbollah në Liban, Houthi-t në Jemen dhe grupe të ndryshme milicie në Irak dhe Siri.
Ekspertët thonë se një sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane ka gjasa të shënojë fundin e negociatave të Iranit me SHBA-në.
Vitin e kaluar, lufta e gjatë ndërmjet Izraelit dhe Iranit shpërtheu hapur me një seri sulmesh të drejtpërdrejta me raketa ndaj njëri-tjetrit.
Në atë kohë, SHBA-ja paralajmëroi Izraelin të mos godiste infrastrukturën energjetike apo bërthamore të Iranit. Irani nxitoi të minimizonte sulmet, duke u përgjigjur me një hakmarrje të dukshme, por të kalibruar me kujdes, që shkaktoi dëme të kufizuara.
Territor i ri: Sulmi i së premtes nga Izraeli shkon shumë më tej, duke goditur në zemër të kompleksit bërthamor dhe ushtarak të Iranit. Izraeli goditi objektin kryesor të pasurimit në Natanz dhe vrau gjeneralin Hossein Salami, komandantin e përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, si dhe gjeneralmajorin Mohammad Bagheri, oficerin më të lartë ushtarak të Iranit.
Irani tani është “nën kërcënim ekzistencial” dhe si i tillë, izraelitët presin “një hakmarrje masive, shumë më të madhe se ajo që panë herën e fundit,”, ka deklaruar analistja e sigurisë e CNN, Beth Sanner.