Sipas një analize të Reuters mbi raportimet korporative, lufta tregtare e nisur nga Trump me tarifa, u ka kushtuar kompanive në botë më shumë se 34 miliardë dollarë humbje nga shitjet dhe shpenzimet e larta.
Reuters ka rishikuar deklaratat e kompanive, dosjet rregullatore, transkriptet e konferencave dhe thirrjeve mediatike për të përmbledhur për herë të parë një pasqyrë të kostos së tarifave deri më tani për bizneset globale.
Në Shtetet e Bashkuara, Azi dhe Evropë, kompani të mëdha si Apple, Ford, Porsche dhe Sony kanë ulur ose hequr parashikimet e fitimeve, dhe shumica dërrmuese kanë thënë se natyra e paparashikueshme e politikave tregtare të Trump e ka bërë të pamundur të vlerësohen saktë kostot.
Ndërsa sipas analizës, shuma e humbur prej 33 miliardë dollarësh është një total i vlerësimeve nga 32 kompani në indeksin S&P 500, tre kompani nga STOXX 600 e Evropës dhe 21 kompani në indeksin Nikkei 225 të Japonisë. Poashtu bëhet e ditur se ekonomistët thonë se kostoja për bizneset do të jetë shumëfish më e madhe sesa ajo që kompanitë kanë raportuar deri tani.
“Mund ta dyfishoni apo trefishoni këtë shifër dhe përsëri do të themi… kosto është shumë më e madhe sesa shumica e njerëzve mund ta kuptojnë,” ka thënë Jeffrey Sonnenfeld, profesor në Yale School of Management, për Reuters.
Ai tutje ka shtuar se efektet zinxhir mund të jenë edhe më të rënda, duke përmendur rënien e shpenzimeve nga konsumatorët dhe bizneset, si dhe pritshmëritë për rritje të inflacionit.
Kujtojmë se edhe pas një pezullimi të tensioneve tregtare ndërmjet Kinës dhe SHBA-së, si dhe një hapi prapa të Donald Trump pas kërcënimit për tarifë prej 50% për Europën, situata është lehtësuar pak. Megjithatë, klimë të pasigurtë ka shtuar edhe një bllokim i tarifave të Trump nga një gjykatë amerikane, që u pezullua më pas.
Përkundër pakënaqësive për tarifa ndaj vendeve të ndryshme, Trump ka argumentuar vazhdimisht se tarifat do të reduktojnë deficitin tregtar të Amerikës dhe do të shtyjnë kompanitë të zhvendosin operacionet në vend, duke sjellë vende pune në shtëpi. Ai gjithashtu ka thënë se tarifat do t’i detyrojnë vende si Meksika të ndalojnë rrjedhën e emigrantëve të paligjshëm dhe drogës në SHBA.