Analistët: Posti i kryeparlamentarit, karta më e fortë e Vetëvendosjes - Gazeta Express
string(69) "analistet-posti-i-krye-parlamentarit-karta-me-e-forte-e-vetevendosjes"

Analistët: Posti i kryeparlamentarit, karta më e fortë e Vetëvendosjes

Gazeta Express

04/12/2019 16:08

Derisa VV-ja e LDK-ja ende nuk kanë arritur marrëveshje për krijim të koalicionit, formimi i institucioneve të reja mbetet në dorë të presidentit Hashim Thaçi për të thirrur seancën konstituive. Mirëpo, Presidenca nuk ka treguar se kur do të ndodhë një gjë e tillë. E në anën tjetër analistët thonë se Vetëvendosja me postin e kryeparlamentarit mund t’i bllokojë partitë për t’ia marrë pushtetin dhe ta çojë vendin në zgjedhje, shkruan Gazeta Express

GAZETA EXPRESS

Lexo Edhe:

Sot është bërë një javë prej kur KQZ-ja ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, ku u konfirmua si parti e parë Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Të dy këto parti kishin pasur një dakordim qysh para zgjedhjeve, se kushdo që del i pari do të marrë pozitën e kryeministrit, e së bashku të formonin qeverinë e re që pason atë të koalicionit PAN. Mirëpo, tash VV-së e LDK-së u kanë dalë tjera telashe.

Derisa partia e Albin Kurtit, e ajo e Isa Mustafës të mos dakordohen për nënshkrimin e koalicionit, tash kur kanë edhe votat që u duhen në Kuvend, hesapet mund t’i ndryshojë presidenti Hashim Thaçi.

Ka mbetur në dorë të presidentit që brenda 30 ditëve të thërrasë seancën konstituive ku do të betohen deputetët e kësaj legjislature, të zgjidhet kryetari i Kuvendit, nënkryetari e të votohet për kryeministrin e ri. Sot janë bërë 7 ditë nga afati ligjor që ka Thaçi.

Gazeta Express ka provuar të marrë një përgjigje përmes postës elektronike nga Presidenca, nëse është vendosur se kur Thaçi do ta thërrasë këtë seancë, mirëpo është deklaruar. Presidenti për këtë temë nuk pranoi të flasë as kur u pyet nga gazetarët pak ditë më parë.

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Vela, thotë për Gazetën Express se sa i përket afateve kohore për Kuvend, është vetëm ai i seancës konstituive, që parashihet të thirret brenda 30 ditëve, nga i pari i shtetit.

Vela shpjegon se legjislatura e re fillon punën në momentin kur betohen deputetët dhe u verifikohet mandati. Kjo seancë pastaj nuk mund të mbyllet pa u votuar kryetari i Kuvendit dhe pesë nënkryetarët.

“Ekziston vetëm një afat që lidhet me funksionimin e Kuvendit dhe ai ka të bëjë me konstituimin e tij. Kjo nënkupton që seanca konstituive duhet të thirret brenda 30 ditësh nga presidenti i vendit. Legjislatura e re fillon punën nga momenti kur deputetëve u verifikohet mandati dhe japin betimin. Por, seanca konstituive nuk mund të përmbyllet pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe 5 nënkryetarëve. Në këtë kuptim, nuk ka afate të përcaktuara se kur duhet të përmbyllet kjo seancë konstituive dhe nga praktika në të kaluarën në vitin 2014 dhe 2017 ajo ka zgjatur me muaj. Andaj, Kuvendi do të jetë funksional porse nuk do të mundë të vazhdojë me punën e tij dhe votimin e qeverisë pa përmbylljen e seancës konstituive. Kohëzgjatja e seancës konstituive do të zgjatet në varësi nëse LVV-ja dhe LDK-ja u duhet kohë shtesë për të finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje”, deklaron njohësi i çështjeve politike.

Vela thotë se presidenti i vendit e bën vetëm thirrjen e seancës konstituive, por, që kjo nuk lidhet me votimin e mandatarit.

“Presidenti i vendit bën vetëm thirrjen e seancës konstituive dhe ajo nuk ka lidhje me votimin e mandatarit dhe përbërjes së qeverisë së re. Procesi i caktimit të mandatarit është i ndarë dhe zhvillohet tek pas përmbylljes së seancës konstituive. Parimisht, presidenti nuk ka kufizime kohore se kur duhet të bëjë nominimin e mandatarit për kryeministër, pasi që kushtetuta nuk përmban afate kohore rreth procedurës së caktimit të mandatarit herën e parë”, thotë ai.

Analisti politik Vela, ka sqaruar se procesi i krijimit të institucioneve të reja e edhe skenari i zgjedhjeve  është në dorë të partisë që ka dalë si më e votuara nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, derisa shton se VV e ka në dorë që të bëjë nomimin për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, nëse partia e Albin Kurtit refuzon që të bëjë nominimin e dikujt në këtë pozitë, mund të shkohet në zgjedhje.

“Është herët të flitet për mundësinë e tillë që Lëvizja Vetëvendosje të dështojë në krijimin e qeverisë dhe që partitë tjera të tentojnë formimin e saj pa të. Thjeshtë, LVV e kontrollon fillimin dhe në masë të caktuar edhe fundin e procesit të formimit të institucioneve (çuarjen e vendit në zgjedhje të reja). Krijimi i institucioneve të reja nuk mund të fillojë pa zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit. Sipas Kushtetutës, partia fituese duhet të bëjë nominimin për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Pra, LVV ka në dorë mekanizmin e vetos për të parandaluar secilin opsion ku ajo nuk është në qeverisje. Më konkretisht, duke refuzuar që të bëjë nominimin e kryetarit të Kuvendit, e pamundëson zgjedhjen e qeverisë së re (që hipotetikisht mund të krijohet pa të).  Pra, LVV ka në dorë mekanizmin që të detyrojë partitë të bashkë qeverisin me të ose të pajtohen që të shkojnë në zgjedhje të reja”, ka deklaruar Vela.

Për veprimet që duhet të ndiqen në vazhdimësi për të konstituar institucionet e reja, ka folur sot gjatë ditës për Gazetën Express analisti Artan Murati. Ai thotë se në rast se VV dhe LDK dështojnë sa i përket krijimit të koalicionit, një situatë e tillë do të mund të sillte implikime politike.

“Afati për thirrjen e seancës konstituive të legjislaturës së shtatë veçse ka filluar, nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së. Presidenti i vendit, sipas kompetencave kushtetuese, mund ta thërras këtë seancë në ditët në vijim. Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes VV dhe LDK sa i përket koalicionit, e rrjedhimisht edhe pozitës së Krye parlamentarit, një situatë e tillë do të mund të sillte implikime politike në këtë seancë”, shton ai.

Murati përmend postin e të parit të kuvendit, teksa shton se nuk ka afat ligjor për konstituimin e Kuvendit.

“Skenar i parë do të ishte mos-propozimi i personit për Kryetar Kuvendi, meqë nuk ka një afat ligjor për konstituim të Kuvendit. Pra, do të mund të ketë zhagitje deri në arritjen e një marrëveshjeje mes VV dhe LDK. Skenar tjetër, më pak i mundshëm, do të ishte propozimi i një individi për pozitën e Kryetarit të Kuvendit, pa pasur dakordim paraprak me subjekte tjera politike. Kjo do të sillte një risk në vete, meqë nuk do të ishte e sigurt nëse ai/ajo kandidat/e do të merrte 61 votat e nevojshme nga ana e deputetëve”, ka bërë të ditur ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit janë mbajtur me gjashtë tetor. Si më e votuara me 29 ulëse në Kuvend ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK me 28 deputetë.

Këto nuk janë zgjedhjet e para kur çështja e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë mori muaj kohë. Në zgjedhjet e vitit 2017-të kishin kaluar disa muaj e Kuvendi kishte dështuar disa herë që t’i zgjedhë organet drejtuese. Situata ishte zhbllokuar kur koalicionit PAN arriti marrëveshje me AKR-në.

Sa i përket mundësisë që nëse subjekti fitues dështon të krijojë qeverinë, Gjykata Kushtetuese kishte dalë me vendim se presidenti i Republikës së Kosovës, emëron mandatar të nominuarin e partisë që ka dalë fitues prej zgjedhjeve.

Presidenti i propozon Kuvendit të Kosovës kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose koalicioni parazgjedhor që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend. Në këtë rast, presidenti nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër nga partia politike apo koalicioni fitues.

Nëse kandidati i parë nuk i merr votat e mjaftueshme, atëherë presidenti e ka në diskrecion të tij të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet e regjistruara si subjekte zgjedhore në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, që kanë emrin në fletëvotimin e zgjedhjeve dhe kanë kaluar pragun zgjedhor.

Megjithatë, për të kuptuar më mirë “diskrecionin”, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur disa elemente që përbëjnë “diskrecion” në interpretimin e Nenit 95, paragrafin 4 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese thotë se ky nen qëndron i heshtur në pyetjen se cila parti ose koalicion propozon kandidatin e ri për kryeministër.

Sipas këndvështrimit të Gjykatës Kushtetuese është në diskrecionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, që të vendosë për këtë gjë, pas konsultimit me partitë ose koalicionet.

Ndërsa, bazuar në të drejtën kushtetuese, diskrecioni shpjegohet si e drejtë e një organi të lartë publik për të ushtruar pushtet dhe zgjidhur çështje të vështira për të cilat nuk ka bazë të qartë ligjore.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14, herën e dytë, të gjitha partitë politike ose koalicionet parazgjedhore të përfaqësuara në Kuvend janë të barabarta para presidentit, që në përputhje me kriteret mbizotëruese, ta bindin atë se i kanë gjasat më të mëdha për ta formuar Qeverinë.

Gjykata Kushtetuese nuk përjashton që presidenti të vendosë t’i japë sërish partisë apo koalicionit të parë mundësinë që të propozojë edhe kandidatin tjetër për kryeministër.

Ish-presidentja Jahjaga iu ishte drejtuar Kushtetueses pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit 2014-të, ku PDK kishte dalë si shumicë e parë, duke marrë 37 mandate në Kuvend, por partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën formuan ‘bllokun opozitar’ që e futi Kosovën në njëfarë krize politike.

Qëllimi i këtij blloku, i përkrahur nëse plotësohen kushtet e saj edhe nga Vetëvendosja, kishte si qëllim t’i pamundësohej PDK-së të siguroj 61 votat e nevojshme për votimin e qeverisë së re. /GazetaExpress/