Analistët e kanë cilësuar si shqetësuese tërheqjen e kërkesës së presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese, tre ditë para përfundimit të masës së përkohshme që ndalon çdo lloj veprimi të deputetëve për formimin e institucioneve.
Osmani dje nëpërmjet një konference për media ka kundërshtuar caktimin e gjyqtarit Radomir Laban, nga Gjykata Kushtetuese për të vendosur lidhur me rendin kushtetues të Kosovës, në cilësinë e gjyqtarit raportues. Arsyetimi i saj qe rrezikshmëria e tij, duke u bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë. Ndërkaq të ftuarit në transmetuesin publik kanë thënë se kjo kërkesë krijon amulli për të ardhmen e institucioneve.
Avokat Ardian Bajraktari ka vlerësuar se epilogu i çështjes së konsultimit me Gjykatën Kushtetuese, sipas tij, do të jetë papajtueshmëria, andaj presidentja Osmani ka bërë tërheqjen e kërkesës.
“Në bindjen time është një tentativë për ta justifikuar një huqje të adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e institucionit të Presidencës së Kosovës. Kjo për faktin se pavarësisht që çështja iniciohet si konflikt interesash, vërehet që kërkesa më shumë ka të bëjë me adresim të pyetjeve, pavarësisht që nga viti 2018 nuk merret Kushtetuesja me adresimet në formën e pyetjeve”, ka thënë ai.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka reaguar pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese sa i përket pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, brenda afatit tridhjetëditor, duke thënë se siguria kombëtare nuk mbrohet përmes konferencave për media.
Miftaraj në reagimin e tij ka shkruar në Facebook se nuk sulmohet Gjykata Kushtetuese në këtë mënyrë nga Presidentja e Republikës.
“Lidhur me gjyqtarin Llaban, IKD e kishte kundërshtuar në mënyrë publike emërimin e tij. Sidoqoftë, siguria kombëtare ruhet dhe mirëmbahet nga autoritetet kompetente e kurrë përmes politizimit të GJK dhe sulmeve të tilla nga Presidenca. Gabim dhe ndërtim i një kulture të re që cenon rëndë pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) ka thënë se tërheqja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani, nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.
Sipas Cakollit, Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor.
“E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund.
“Mbi të gjitha, për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve. Por, edhe për të mbrojtur integritetin institucional të saj dhe për të mos e minuar besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si trupë, për shkak të një gjyqtari. Aq më tepër, kur kërkesat aktuale të partive politike nuk e adresojnë qartë çështjen e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor”, ka shkruar ai.
Lidhur me arsyetimin e Presidentes për tërheqjen e lëndës pasi gjyqtar raportues u caktua Radomir Llaban, Cakolli ka thënë se gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit.
Osmani në konferencën e djeshme për media ka thënë se kjo kërkesë e saj është në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues.
“Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona, që sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë rendin kushtetues”, ka thënë ajo.