Kriza globale dhe zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ekonomitë e vendeve të vogla, përfshirë Kosovën, u tha në “RTK Prime”.
Analistët theksuan se përshkallëzimi i konflikteve ndërkombëtare mund të sjellë rritje të çmimeve të energjisë, ulje të fuqisë blerëse dhe ndikime në remitanca, duke e bërë ekonominë kosovare të ndjeshme ndaj luhatjeve globale.
Profesori Berim Ramosaj vlerësoi se konflikti në Iran ka potencial për përshkallëzim të madh dhe krijon pasoja globale për sigurinë, ekonominë dhe tregjet energjetike. “Marrë në tërësi, kriza globale vjen si rezultat i situatës në Lindjen e Mesme, sepse lufta në Ukrainë, në një farë forme, ka dhënë efekte për një krizë, deri diku edhe për përgatitje eventuale të shteteve të ndryshme. Por konflikti në Lindjen e Mesme, respektivisht lufta në Iran, tregon se ka mundësi për përshkallëzime edhe më të gjera. Duke marrë parasysh ndikimet e valëve të kësaj krize, ato janë në nivel global; pa dyshim edhe vetë kriza konsiderohet globale për momentin”, ka thënë Ramosaj.
Ai ka vënë në dukje se për Kosovën, si një ekonomi e vogël e orientuar kryesisht nga konsumi dhe diaspora, pasojat mund të jenë më të mëdha. “Bilanci tregtar është relativisht negativ, me rreth 5 miliardë euro importe dhe 900 milionë eksporte, gjë që nënkupton se çdo rritje e çmimit të energjisë apo derivateve të naftës ndikon drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve”, ka shtuar Ramosaj.
Ai ka theksuar se ndërhyrjet e përkohshme të shtetit, siç janë çmimet tavan dhe kufizimi i fitimit, nuk e dëmtojnë strukturën e tregut të lirë dhe mund të jenë të nevojshme për ruajtjen e standardit jetësor. “Në Kosovë, duke marrë parasysh evazionin fiskal dhe vetëdijen e bizneseve dhe qytetarëve, ndërhyrjet eventuale nuk duhet të jenë ekstreme, por mund të ndihmojnë në menaxhimin e çmimeve dhe ruajtjen e fuqisë blerëse”, ka përfunduar Ramosaj.
Sipas Ramosajt, ka mundësi të bien edhe remitancat në Kosovë, sepse shumë qytetarë që jetojnë në vendet perëndimore kanë filluar të kursejnë si pasojë e rritjes së çmimeve dhe uljes së fuqisë blerëse, gjë që reflekton menjëherë edhe në Kosovë. Megjithatë, ai shtoi se mund të ketë edhe efekte pozitive në dimensionin ekonomik të vendit.
Kurse Hisen Berisha tha se ‘zhvillimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme në pjesën e gjirit në këtë rendin e ri ndërkombëtar tash kanë treguar se fuqia nuk matet më me kapacitete ushtarake, por sa ke aftësi ti me i ofruar në kontroll përshkallëzimet e mundshme në qoftë se deterenca si mekanizëm, si instrument edhe i diplomacisë edhe i forcës nuk jep efekt’.
“Deterenca është një mekanizëm që luftën e kthen në presion përmes masave ekonomike, politike e të tjera sanksioneve dhe sa është në gjendje me menaxhuar atë krizë dhe sa je në gjendje me i imponuar zgjidhjet strategjike të një dialogu të mundshëm, të një marrëveshje përmes. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mundohen me imponuar atje një paqe dhe një stabilitet po ashtu po synohet edhe kufizimi i kapaciteteve që rrezikojnë stabilitetin rajonal po edhe aleatët e Amerikës në këtë rast siç është Izraeli. Në këtë konflikt detyrimisht involvohen të gjithë akterët global të sigurisë”, tha ai.
Ndërkohë, historiani Nuri Bexheti tha se “çështja ka të bëjë me hegjemoni dhe ndikim për një hapësirë gjeografike që ndahet nga një det, Gjiri Persik dhe ngushtica e Hormuzit, që lidhet me krizën që e ndiejmë edhe ne në xhepin tonë këtu dhe në gjithë botën”.
Ndërsa politologu Melazim Koci tha se, në vargun e shumë shpjegimeve të kësaj lufte, një është lënë anash dhe është një nga kryesorët, që lidhet me zhvillimet në Venezuelë.
“BRICS, organizatë në formim e sipër ku fjalën kryesore e kanë Rusia, Kina, Irani dhe Brazili, ka pasur një vendim të tyre që është mbajtur i fshehtë: që në momentin e institucionalizimit të tyre si organizim politik, nafta që paguhet me dollarë si valutë rezervë botërore të hiqet si valutë rezervë e pagesës së naftës dhe të futet një valutë tjetër. Mendoj që kjo është një nga shkaqet”, tha Koci.