Anadolu Agency ka ndryshuar një version fillestar të një lajmi lidhur me një marrëveshje të pretenduar ndërmjet Kosovës dhe kompanisë turke CANiK (Samsun Yurt Savunma) për furnizimin dhe armatosjen e mjeteve të blinduara.
Sipas raportimit fillestar të publikuar një ditë më parë, mediumi kishte bërë të ditur se marrëveshja parashihte armatosjen e deri në 100 mjete të blinduara me sisteme të telekomanduara dhe topa të kalibrit 30×113 mm, si dhe një vlerë prej mbi 50 milionë dollarësh.
Në atë version të lajmit, i cili citonte deklaratat e Zafer Aral, kryetar i Bordit të Drejtorëve të CANiK, theksohej se marrëveshja përfshinte një projekt të madh modernizimi për kapacitetet e sigurisë në Kosovë.
Megjithatë, në versionin e publikuar më pas, Anadolu Agency ka ndryshuar përmbajtjen e raportimit, duke hequr pjesën ku përmendej vlera prej mbi 50 milionë dollarësh, si dhe disa detaje numerike të kontratës që ishin përfshirë në versionin fillestar.

Në deklaratat e cituara nga Zafer Aral, përfaqësues i industrisë turke të mbrojtjes, theksohet se bashkëpunimi ka të bëjë me pajisjen e mjeteve të blinduara me kulla dhe sisteme armatimi 30×113 mm, duke reflektuar fokusin e industrisë turke në teknologjitë moderne të mbrojtjes dhe sistemet pa pilot.
Ndryshe, dje Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka mohuar raportimet e mediave turke për një marrëveshje prej mbi 50 milionë dollarësh me kompaninë turke SYS për furnizim me armatim dhe pajisje për 100 mjete të blinduara të FSK-së.
Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, tha për Gazetën Express se dokumenti i nënshkruar nuk është kontratë furnizimi, por marrëveshje për moszbulim të informatave gjatë procesit të vlerësimit teknik.
“Është Non-disclosure Agreement (Marrëveshje konfidenciale) ka të bëjë me ruajtjen e të dhënave gjatë procesit të vlerësimit teknik të një pjese të automjeteve të FSK-së. Pra, nuk ka marrëveshje për furnizim me automjete, pasi një gjë e tillë bëhet vetëm pas vlerësimit të nevojave dhe kërkesave të FSK-së”, deklaroi Gashi.
Ajo shtoi se gjatë panairit SAHA Expo 2026, ministri i Mbrojtjes ka zhvilluar vizita në disa kompani të industrisë së mbrojtjes, përfshirë edhe SYS, me qëllim njohjen nga afër me teknologjitë dhe pajisjet ushtarake që ato ofrojnë.
“Bëjmë të ditur se nuk ka pasur marrëveshje për blerje”, theksoi ajo.