Ana psikologjike e qëndrimit në një marrëdhënie abuzive - Gazeta Express
string(55) "ana-psikologjike-e-qendrimit-ne-nje-marredhenie-abuzive"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/03/2021 10:39

Ana psikologjike e qëndrimit në një marrëdhënie abuzive

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/03/2021 10:39

Duhet të ndalojmë të fajësojmë gratë dhe vajzat,  për qëndrimin në një lidhje abuzive, dhe të fillojmë t’i mbështesim ato për t’u mundësuar atyre që të largohen. Duke kuptuar pengesat e shumta që qëndrojnë në rrugën e largimit, posaçërisht këto pengesa psikologjike dhe emocionale, atëherë  mund të fillojmë të mbështesim dhe fuqizojmë gratë për të marrë vendimin më të mirë për to, ndërkohë të kërkojmë që abuzuesit të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre

Brikena Krasniqi Hoti

Kur dëgjojmë për dhunën apo keqtrajtimin që një grua e përjeton nga partneri, pyetja e parë që na lind në kokë është “Pse ajo nuk largohet nga ai?” Ose, në anën tjetër, kur duket se po e arsyetojmë apo e kuptojmë se në çfarë pozite ndodhet gruaja, i referohemi kryesisht mungesës së mbështetjes financiare apo familjare.

Por, shpeshherë vështirësia për të ikur nga një marrëdhënie abuzive apo toksike, është mungesa e gatishmërisë nga ana e gruas për ta bërë këtë hap, edhe atëherë kur mbështetja e jashtme mund të ekzistojë.

Kjo mungesë gatishmërie,  ka të bëjë me disa pengesa te fshehura e që janë kryesisht arsye psikologjike, të cilat arsye janë natyrshëm më pak të dukshme, duke e bërë të vështirë për shumë njerëz, për ta kuptuar dhe për t’u simpatizuar me ato. Këta faktorë kanë të bëjnë me vet efikasitetin apo fuqinë e gruas për kontroll apo vendimmarrje. Një marrëdhënie abuzive, qoftë abuzim fizik, psikologjik apo seksual, e dëmton pikërisht këtë aftësi psikologjike të gruas. Kjo ndodh në mënyrë graduale dhe pa e hetuar as vetë ajo.

Kur gratë apo vajzat fillojnë të shohin se ka probleme në lidhje apo martesë, gjëja e parë që ju shkon në mendje është që diçka nuk është në rregull me ato, se ndoshta janë ato duke gabuar diku, dhe fajin ia lënë vetës kryesisht. Dhe kështu, fillojnë të mendojnë se çfarë duhet të ndryshojnë apo të përmirësojnë te vetja, që partneri të jetë i kënaqur, dhe kështu qëndrojnë.

Nëse partneri do të ishte një përbindësh gjatë gjithë kohës, mbase do të ishte më e lehtë të largoheshin. Por, ai shpeshherë mund të dijë të sillet i mirë dhe të jetë i ndjeshëm. Pas një shuplake apo grushti në fytyrë, ai qan dhe kërkon falje. Bëhet romantik dhe i dashur dhe flet për ëndrrat e thurura bashkë. Dhe kështu ato fantazojnë dhe qëndrojnë.

Ai premton se do të ndryshojë, dhe ato e gjejnë vetën më se të gatshme për ta ndihmuar që të ndryshoj, sepse e duan. Ndoshta jo pikërisht atë, por imazhin që e kanë ndërtuar se kush ka qenë ai në fillim të lidhjes dhe sa shumë ka bërë për të. Kështu, ato përpiqen më ngulmë që ta gjejnë këtë pjese të humbur tek ai. Kështu shpresojnë, dhe qëndrojnë.

Më pas, ai ua poshtëron inteligjencën dhe ua shkatërron besimin tek vetja. Ato ndihen të turpëruara dhe bllokuara. Në këtë fazë, ato bëjnë justifikime për veten dhe të tjerët, për të mohuar apo  mbuluar abuzimin, qoftë ai abuzim fizik, seksual apo emocional.

Trauma nga manipulimi i përditshëm dhe besimi i ulët tek vetja, janë ndër faktorët më të fuqishëm që e vështirësojnë ikjen nga kjo marrëdhënie. Imagjinoni kur ju thuhet çdo ditë se jeni e pa vlerë dhe ndikimin që kjo ka në vetëvlerësimin tuaj. Kur rregullisht iu thuhet se jeni e paaftë dhe nuk mund t’ia dilni jetës vetë, se keni nevojë për të’. Ndërkohë, kur i thoni se do të largoheni nga ai, fillon manipulimi duke ju bërë të ndiheni në faj, duke ju thënë “ po ta dashuronit atë, nuk do të ikni nga ai’ ose “ një grua me karakter të fortë nuk do ta bënte këtë, nuk do të ik, po duhet të qëndrojë që t’i ndihmojë atij që të ndryshojë”. Kështu ajo vazhdon të qëndrojë e të luftoj me vetën. Por asgjë nuk ndryshon.

Frika është e vazhdueshme dhe gruaja jeton në një botë me terror psikologjik të përditshëm, sa që e humb identitetin e vet dhe harron se kush është ajo në të vërtetë, cili është personaliteti i saj, cila është forca e saj, a i ka mbet ndonjë pikë force më?! Frika pason me izolimin nga bota jashtë, duke menduar se ndoshta edhe nuk meriton të ndihmohet, apo në asnjë mënyrë s’ka ku shkon nga ai.

Këtu humb shpresa se marrëdhënia do të përmirësohet, njëkohësisht humb shpresa se ajo vetë mund të shpëtohet.

Gjetja e forcës për t’u  përqendruar në nevojat personale , për siguri dhe  mirëqenie emocionale, për ta shpëtuar veten nga ai terror psikologjik kërkon kohë, por shpeshherë mund të ketë pasoja,  ndërkohë sfidat për të kapërcyer pengesat e jashtme për tu larguar e rëndojnë më shumë.

Pikërisht në këtë pikë, rol kyç mund të luajnë të afërmit apo miqtë, duke e ndihmuar, me durim, deri sa të jetë e gatshme për ta kuptuar se ajo marrëdhënie nuk mund të shpëtohet, ndërkohë që ajo vetë është duke u dëmtuar.

Prandaj, ne duhet të ndalojmë të fajësojmë gratë dhe vajzat,  për qëndrimin në një lidhje abuzive, dhe të fillojmë t’i mbështesim ato për t’u mundësuar atyre që të largohen. Duke kuptuar pengesat e shumta që qëndrojnë në rrugën e largimit, posaçërisht këto pengesa psikologjike dhe emocionale, atëherë  mund të fillojmë të mbështesim dhe fuqizojmë gratë për të marrë vendimin më të mirë për to, ndërkohë të kërkojmë që abuzuesit të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre.

Brikena Krasniqi Hoti

Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë.