Ana e errët e komedisë së shekullit XXI - Gazeta Express
string(39) "ana-e-erret-e-komedise-se-shekullit-xxi"

Arte

Gazeta Express

09/11/2021 19:39

Ana e errët e komedisë së shekullit XXI

Arte

Gazeta Express

09/11/2021 19:39

Komeditë sot merren me dhembjen dhe hidhërimin, shkruan kritikja e filmit e BBC-së, Jennifer Keishin Armstrong. Tekstin e saj.

“BoJack Horseman” e nisi rrugëtimin disi pa kuptim, thjesht si një shfaqje tjetër e animuar për të rriturit. Fjala është për një burrë (në fakt për një kalë) që është i bllokuar në të kaluarën e tij, duke i rijetuar ditët e lavdisë si yll i një sitkomi (komedi e situatave, e incizuar para publikut dhe e transmetuar në televizione – v.j.) banal të viteve 1980 të quajtur “Horsin’ Around”. BoJacku është i varur nga droga, i shkujdesur ndaj seksit dhe disi i dëshpëruar – shenja të qarta këto të animacionit të të rriturve të shekullit XXI, që janë në një linjë me klasikët e këtij zhanri, si “The Simpsons” dhe “Family Guy”.

Lexo Edhe:

Si shumë seriale që transmetohen online, adhuruesit e parë të “BoJack Horseman”-it – kur u shfaq për herë të parë më 2014 – thoshin se kjo seri ndez ngadalë, se bëhet më e mirë – insistonin ata – rreth episodit të shtatë. Por, edhe këta ndjekës të hershëm nuk mund ta kuptonin rëndësinë që krijuesi Raphael Bob-Waksberg e kishte lënë si rezervë: gjatë gjashtë sezoneve të ardhshme ndodhë një përsiatje serioze për kuptimin e jetës, teksa BoJacku ballafaqohet me hilet e suksesit të kësaj bote, me humbjet shkatërrimtare, me një grumbull keqardhjesh të tmerrshme e madje edhe me vdekjen.

Ai kalë i quajtur BoJack duket se është fytyra e komedisë së shekullit XXI. Siç u vërejt në sondazhin e kritikëve të BBC-së për 100 seritë më të mira televizive, dy dekadat e fundit e çuan komedinë televizive në një kthesë kah errësira. “BoJack Horseman”, “Fleabag”, “Catastrophe”, “Veep” dhe “Crazy Ex-Girlfriend” janë komeditë që lanë në pluhur formën tradicionale të sitkomit të së kaluarës – kujto këtu “Cheers”, “Coupling” etj. Nëse fjala është për seritë në gjuhën angleze, komeditë televizive nuk janë vetëm qesharake. Të qeshurat vijnë bashkë me veprimet e fuqishme emocionale, shpeshherë të ndërlidhura me pikëllimin, me turpin, varësinë, korrupsionin, sëmundjet mendore dhe pyetjet ekzistencialiste për esencën e jetës.

Teksa opsionet e shikimit të televizorit janë shumëfishuar në epokën online, këtë medium duhet ta marrim shumë më seriozisht – përfshirë këtu edhe komedinë. Ky ndryshim ka bërë që, për nga prestigji, komeditë të jenë përkrah dramave – siç dëshmohet nga shfaqjet e tyre të shpeshta në top-100-shet (për krahasim, 100 filmat më të mëdhenj të shekullit XXI, sipas sondazhit të BBC-së, u dominuan nga dramat). Komedia televizive e shekullit XXI ka amplitudat e saj, të qeshurat dhe lotët, analizën shpirtërore dhe sjelljet e ulëta. Kjo e bën të jetë më afër jetës sonë reale sidomos kur qesharakja gjithmonë përzihet me seriozen.

Ka shumë arsye se pse ky evolucion ka ndodhur kohët e fundit. Komedia televizive e shekullit të njëzetë ishte më e drejtpërdrejtë – si problemet e çuditshme të stafit të hotelit “Fawlty Towers” apo “The Golden Girls” – dhe ajo nuk u ndryshoi shumë në vitet e zhvillimit këtij mediumi, nga 1940 e deri më 1990. Për shkak se televizioni mbështetej nga reklamuesit, drejtuesit e rrjeteve ishin shumë nevrikë kur ofendoheshin ose mërziteshin shikuesit, gjë që nënkuptonte se shumica e programeve synonin t’i kënaqnin “të gjithë” – një recetë kjo që e mbyt kreativitetin. Programet u testuan vazhdimisht nga publiku, shpeshherë duke hequr dorë nga kreativiteti, nga befasia apo edhe nga dhembja për t’i shërbyer një mesazhi më të madh (disa analiza përfshinin edhe shikuesit që i sillnin numrat e telefonit gjatë çdo sekonde të një programi, për të treguar nëse u pëlqente apo nuk u pëlqente ajo që shfaqej në ekran).

Kjo qasje u prish në mijëvjeçarin e ri. Ekspansioni i programeve kabllore e vinte në pah cilësinë, inovacionin dhe teknikat kinematografike, duke e larguar zhanrin nga kufizimet tradicionale të komedive të situatës me tingujt e të qeshurave. Mediumi gjithnjë e më në rritje – që nisi në vitet 2000 kur rrjetet kabllore filluan të krijojnë programe origjinale, krahas kanaleve televizive – kërkonte shfaqje që mund të lënë përshtypje më të fortë, duke e vënë theksin te ndjenjat që të vënë në turp e siklet. Diçka si afër me komedinë e veprimeve të ngathëta, me qasjet më thumbuese, por ende në suazat e komedisë së pastër që e njohim. Këto shpesh theksoheshin me teknikat “realiste”, si kamerat e dorës dhe format e mokumentarit – kujtoni këtu “Curb Your Enthusiasm” dhe të dy versionet e “The Office”. Kjo e hapi derën për portretizimin më të madh të njerëzve në siklet të shekullit të ri. Protagonistët e “e papëlqyeshëm” ose antiheronjtë u bënë më të zakonshëm, si në komedi ashtu edhe në dramë, që nga Larry David dhe David Brent e deri te Tony Soprano dhe Dexter.

Me rritjen e transmetimit online dolën në pah më tepër lloje të lirisë: zhanri ishte më pak i rëndësishëm për shkak se standardet e mëparshme ishin të vjetruara; komeditë nuk kufizoheshin në 30 minuta dhe nuk lidheshin me episode, e as dramat nuk u detyruan ta kufizonin veten në zgjatjen prej një ore e në shfaqjen e tyre në oraret “serioze” të së mbrëmjes. Kohëzgjatja e programit dhe sezonit mund të ndryshonte, pa marrë parasysh orarin e rrjetit. Publiku në studio dhe tingujt e të qeshurave u zhdukën prej kohësh, një trend ky që nisi me sitkomin “30 Rock” e që u shpejtua nga buxhetet përherë më të mëdha të transmetimit. E, dalja në pah e këtyre gjërave u përshtat me publikun, sidomos kur dihet kapaciteti i pafund i transmetimit online me shumë e shumë mundësi zgjedhjeje.

Ngjarjet e tmerrshme në skenën botërore ka mundësi që kanë luajtur rol në drejtimin e komedisë në anën e errët. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ishin fillimi i një gërryerjeje të vazhdueshme i iluzioneve të sigurisë dhe përparimit stabil që ishte shenjë dalluese e jetës në botën perëndimore në vitet 1980 dhe 1990. Prej frikës së vazhdueshme nga terrorizmi, lufta, problemet e tregut financiar, të shtënat në turma, te polarizimi politik dhe pandemia e koronavirusit, dy dekadat e fundit kanë ndikuar në vetëdijesimin e shumë perëndimorëve që bëjnë vepra në gjuhën angleze. Dramat kishin qasje më të errët dhe më komplekse përpara 11 shtatorit, e kjo dëshmohet me suksesin e madh të serisë “The Sopranos”, që premierën e kishte në vitin 1999. Shumë programe, para dhe pas 11 shtatorit, po i shkrinin linjat mes komedisë dhe dramës, falë mundësive e lirisë krijuese të ofruar fillimisht nga rrjetet kabllore e më vonë nga transmetimi online. Por, ka diçka më tërheqëse në gjetjen e momenteve më të thella e më të errëta të komedive. Aty ku komedia e errët me dekada ishte zhanër i njohur për filmin dhe teatrin, televizioni tradicionalisht i shmangej eksperimentimit. Kështu, komedia televizive në shekullin XXI u shndërrua në një hapësirë ​​për të gjetur kontradiktat e botës, duke pranuar se edhe në momentet tona më të mira jeta mund të na godasë keq dhe, më e rëndësishmja, se edhe në çastet më të trishtuara ne mund të qeshim.

Një shembull i qartë se si ka evoluar kjo formë mund të merret sensacioni ndërkombëtar i kohëve të fundit, “Ted Lasso”, premisa e gjerë e të cilit do të ishte përkthyer lehtësisht në sitkom klasik të kohërave të mëparshme: një trajner i thjeshtë i futbollit amerikan (i luajtur nga bashkëkrijuesi i shfaqjes, Jason Sudeikis), bartet në Britaninë e Madhe dhe ngarkohet me detyrën që ta drejtojë një ekip futbolli anglez – sport ky që ai nuk e kupton, në një kulturë krejtësisht të ndryshme ku ai nuk përshtatet. Është skenar klasik për njeriun e papërvojë që është shfaqur gjatë gjithë historisë së televizionit, që nga “Green Acres” e deri te “3rd Rock from the Sun” në vitet 1990. Por, si fenomen i shekullit XXI, seriali u shndërrua në diçka krejtësisht tjetër: në një eksplorim të grackave të maskulinitetit toksik dhe fuqive shpenguese të cenueshmërisë, të ndershmërisë dhe vlerësimit të njerëzve tjerë. E, këto detaje me raste janë shumë, shumë qesharake. Jeta e Tedit ka më shumë vështirësi sesa homologët e tij të shekullit të kaluar, por këndvështrimi i shfaqjes është – të paktën pas dy sezoneve – goxha optimiste.

Komeditë e errëta në Top-100-shen e BBC-së mund të mos jenë aq idealiste, por shumica e tyre shkojnë në anën e një optimizmi të matur. Personazhja kryesore në “Fleabag” merret me pikëllimin e saj, ndërsa Rebecca te “Crazy Ex-Girlfriend” mëson të menaxhojë çrregullimin e personalitetit. Ato u mbijetojnë disa vështirësive serioze dhe i kanë përfundimet e tyre të lumtura – të cilat shpesh marrin formën e përballjes me traumën dhe përparimin në person më të zgjuar. Ky fakt këto seri i bënë të jenë si ilaç i përsosur për kohë e pasigurta: nuk përpiqen të na bindin se gjithçka është e ndritshme, por e trajtojnë rrëmujën e botës reale, një rrëmujë që është më e theksuar në fund të viteve 2010 dhe në fillim të viteve 2020.

Natyrisht, disa nga komeditë e shkëlqyera të shekullit XXI janë të zeza, pa asnjë të çarë për ta lënë futjen e dritës: “Veep” përfundoi me dënim vdekjeprurës e cinik të politikës amerikane, ndërsa “Succession” nuk ka zbuluar ende një copëz optimizmi për familjen Roy – dinastinë e ndyrë e të pasur mediatike amerikane. Vlerësimi kritik dhe kulti që e rrethon sezonin aktual të “Succession” nënvizon përputhjen me audiencën përmes portretizimit të lakmisë, paaftësisë dhe mosndëshkimit të super të pasurve që drejtojnë perandoritë multimediale miliarda dollarëshe. Për personazhet brenda serisë, ndërrimet e pushtetit janë dramatike; për ne, pra për publikun, ato janë komedi absurdi.

Është e vështirë të kategorizosh serinë “Succession”. Është program njëorësh me shumë kthesa dramatike; në ndërdije është shekspiriane; ndërsa Çmimet Emmy për vitin 2021 e kanë cilësuar si dramë. Por, ofron momente të të qeshurave me zë, në çdo episod. Është pastaj aty dyshja e komedisë e stilit Stanlio dhe Olio, e dhëndrit Tom dhe kushëririt Greg. Është aty komedia klasike e servilizmit me  djalin ambicioz Kendall, i cili tregon se sa i mrekullueshëm është babai i tij, patriarku i familjes. Është edhe një detaj i vogël i kryetitujve të rremë që dalin në kanalin e lajmeve të ngjashme me Fox-in, ATN-në e familjes Roy. E vetmja fjalë që e kemi aktualisht për ta përshkruar serinë “Succession” është një “dramadi” e madhe, që historikisht lidhet me dramën e lehtë, si “Ally McBeal” ose “Marvelous Mrs Maisel”, e jo me komedinë e zezë.

Të gjitha komeditë e errëta të cituara në Top-100-shen e BBC-së janë në gjuhën angleze dhe vetëm një në gjuhë tjetër hyri në listë: “Frances Call My Agent”! Ndërkohë u renditën disa drama globale – “The Bridge”, “Borgen”, “Money Heist” etj. – duke sugjeruar se komedia është më e vështirë për t’u përkthyer, sidomos komedia e errët me ato detajet e saj. Kjo është vërtetuar edhe në kohët e kaluara: loja e fjalëve dhe mizantropia e sensacionit amerikan të viteve 1990, “Seinfeld” – një pararendës i qartë i komedive të errëta të sotme – ishte shumë sfidues për përkthyesit dhe “Seinfeld”, për nga audienca ndërkombëtare, ka mbetur prej kohësh pas serisë më të thjeshtë, “Friends”. Pra, shumë komedi përtej botës anglofone kanë përzier gjithashtu zhanret: “Hibana: Spark” e Japonisë e përdor strukturën e saj të natyrshme komike – dy komedianë që punojnë së bashku në një material – për të qenë paksa ekzistencialiste. “One More Time” e Koresë së Jugut është komedi romantike për një muzikant të mbërthyer në një vrimë kohore. “A Very Secret Service” e Francës tallet me zhanrin e spiunazhit dhe “Fallet” i Suedisë na dërgon letërsia skandinave e krimit (Nordic noir). Këto nuk e rivalizojnë serinë “Succession”, me errësirë, por tregojnë se do të ketë një përzierje të mëtejshme – ndërkombëtare – të zhanreve pasi transmetimi online i mundëson audiencës në mbarë botën të ketë qasje të shfaqjeve të çdo vendi.

Sigurisht, ka shumë përjashtime nga zhvendosja e komedisë drejt errësirës në shekullin XXI. “30 Rock” kishte qasje cinike, satirike, por ishte, në thelb, një sitkom tradicional i mbushur me më shumë shaka në sekondë se ndoshta çdo shfaqje tjetër në histori. “Parks and Recreation” ofroi një pamje më të ndritshme të politikës lokale në epokën e Obamas. Ndërsa, “Schitt’s Creek” në fillim kishte qasje tallëse – shikojini këta njerëz të neveritshëm, dikur të pasur, të detyruar të jetojnë në mes të asgjësë – e më pas e sfidoi atë imazh për të krijuar një vizion utopik të jetës në qytetet e vogla që i pranonin të gjithë.

Dilema kryesore është nëse errësira apo drita do të fitojnë në komedi teksa vazhdon kështu shekulli XXI. “BoJack Horseman” shërben si shembull kryesor në mesin e shumë të tjerëve sesi komedia e vërtetë, e pastër – budallaqe, e çuditshme dhe e animuar – mund të shndërrohet në një meditim delikat mbi kuptimin e jetës … dhe t’i afrohet përgjigjes së kësaj pyetjeje të madhe më shumë se çdo dramë e famshme me përfundimet e saj. Në skenën e fundit të serisë, BoJacku i dalë nga burgu me leje – për një ditë për të marrë pjesë në një dasmë – ulet në një çati me shoqen e tij Diane, gjëja më e afërt e shpirtit të tij binjak. I tregon pak për jetën në burg, e pastaj ngre supet. “Epo, çfarë do të bësh?”, thotë ai. “Jeta është kurvë dhe pastaj vdes, apo jo?”

“Ndonjëherë”, thotë ajo. “Ndonjëherë jeta është kurvë e pastaj vazhdon të jetosh”. Pauzë. “Por, është një natë e bukur, apo jo?”

“Po”, thotë ai. “Është e bukur”. Titulli i episodit është “Nice While It Lasted” (Bukur për aq sa zgjati).

Ajo e shtron pyetjen e vonuar: kur do të bëhet i diskutueshëm dallimi midis komedisë dhe dramës? Kur do të jemi gati të pranojmë se jeta është qesharake dhe e trishtuar, e bukur dhe tragjike dhe se më e mira e çdo forme arti i pasqyron të gjitha këto? Madje – dhe ndoshta – sidomos televizioni.