Ana de Armas, s’mendonte se ishte e bukur për të luajtur në filmin “James Bond” - Gazeta Express

Ana de Armas, s’mendonte se ishte e bukur për të luajtur në filmin “James Bond”

Arte

Gazeta Express

15/04/2020 0:32

Aktorja 31-vjeçare, Ana de Armas, e cila e luan rolin e Palomas në filmin e ardhshëm “No Time to Die”, kjo pasi kolegu i saj nga filmi “Knives Out”, Daniel Craig, e kishte rekomanduar te regjisori dhe producentët e filmit të ri “James Bond”, së fundmi e ka pranuar se në fillim nuk kishte menduar se është mjaftueshëm e bukur për të luajtur në këtë projekt.

Për portalin “AmericanWay.com”, de Armas citohet të ketë thënë: “Personazhet gra të filmave ‘James Bond’ për vite të tëra janë portretizuar nga një tip i caktuar i aktoreve, të cilat unë i ndërlidhë me standard të përkryera të bukurisë, të cilat e tejkalojnë bukurinë normale të një gruaje. Dhe sigurisht se nuk e gjeja veten te ky grup. Kështu që u befasova tej mase kur më kontaktoi regjisori i filmit dhe më tha, e kam një personazh të cilin ende nuk e kemi krijuar plotësisht, por duam që ti ta portretizosh atë”.

Ana de Armas, po ashtu e pranoi se në fillim ishte frikësuar se roli i saj në film do të ishte stereotip dhe jo shumë i rëndësishëm.

“Zakonisht, rolet e grave të përfshira në filmat e famshëm për agjentin 007, janë të brishta, kanë nevojë të shpëtohen nga burrat, janë të këqija ose përfundojnë duke vdekur në film. Prandaj unë kërkova që në fillim ta lexoja skenarin e filmit, për të parë se si do të dukej roli im. Kjo ishte e rëndësishme për mua sepse doja të sjellja diçka ndryshe në këtë tregim. Dhe përfundimisht, personazhi im më bindi ta pranoja përfshirjen në këtë projekt,” ka deklaruar tutje aktorja.

Ana de Armas në të kaluarën kishte zbuluar që pavarësisht se ky rol ishte krijuar nga regjisori, Cary Joji Fukunaga, personazhi i saj është shkruar nga bashkë-skenaristja Phoebe Waller-Bridge, e cila e ka bërë një punë të mrekullueshme.

Ylli i filmit “Knock Knock”, aktualisht është në lidhje dashurie me aktorin dhe regjisorin e famshëm hollywoodian, Ben Affleck, me të cilin luan në trillerin e ri psikologjik, “Deep Water”, transmeton Koha.

Lansimi i filmit “No Time To Die” është shtyrë disa muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe tani do të jetë në dispozicionin e publikut mbarëbotëror nga 25 nëntori i këtij viti.