“Askënd s’ia uroj të bjerë në kanalizime. Përveç ndonjëherë.”
Me këtë humor të errët, Amy Madigan flet për rolin që e ka çuar sërish drejt Oscars-it, për mbijetesën në një Hollywood “brutal”, zemërimin që pothuajse e detyroi të largohej nga SHBA-ja – dhe faktin se, pas zjarreve shkatërruese, ajo ende nuk ka një shtëpi të sajën.
Të jesh e nominuar për Oscar është punë me orar të plotë: dreka zyrtare, prova veshjesh, intervista, fotografime. “Jam e lodhur,” thotë Madigan duke buzëqeshur shtrembër gjatë një videothirrjeje. Është mesditë në Los Anxhelos, por perdet pas saj janë të mbyllura fort.

Shtëpia duket e përkohshme – dhe në fakt e tillë është. Ajo dhe bashkëshorti i saj, aktori Ed Harris, po jetojnë me qira, pasi shtëpia e tyre u dogj në zjarret e vitit të kaluar. Rindërtimi, thotë ajo, do të marrë vite.
Herën e fundit që Madigan u nominua ishte në vitin 1985. “Atëherë sezoni i çmimeve ishte më i shkurtër dhe më i thjeshtë,” thotë ajo. “Tani është një përbindësh i madh.” Sot, në moshën 75-vjeçare, ajo është veterania e guximshme në garën për aktoren më të mirë dytësore, e nominuar për rolin e saj tronditës si halla Gladys në filmin horror Weapons.
Gladys është një figurë makthesh: me paruke portokalli, syze të rrumbullakëta dhe grim klaunësh, ajo ushqehet me energjinë e fëmijëve për të mbijetuar. Roli fillimisht duket grotesk e qesharak, por shndërrohet shpejt në diçka tmerrësisht serioze. Filmi e ka kthyer Gladys-in në fenomen kulturor dhe sensacion në TikTok, ndonëse Madigan vetë i qëndron larg rrjeteve sociale. “Njerëzit e pëlqejnë Gladys-in,” thotë ajo. “Duhet të jetë interesante të duash të rrish me të.”

Horrori, sipas saj, godet më fort se zhanret “serioze”. “Vepron drejtpërdrejt në nivel emocional. Është i rrënjosur në përrallat e vjetra – dikush që vjedh fëmijët ka ekzistuar gjithmonë në imagjinatën tonë.”
Suksesi i Weapons ka ardhur pas një dekade rolesh të vogla dhe projekteve më pak të dukshme. “Nuk është se skenarët po më vërshojnë,” pranon ajo. “Por jam sërish pjesë e bisedës. Gladys u shfaq, bëri zhurmë dhe i kujtoi botës që jam ende këtu.” Ajo pranon se ka pasur momente kur ka menduar të tërhiqet. “Ky profesion është brutal. Por unë ende e dua.”
E konsideruar shpesh “tepër e ashpër” për shijet kryesore të Hollywood-it, Madigan ka ndërtuar një karrierë këmbëngulëse në periferi, me role të paharrueshme dhe një çmim Golden Globe. Ndërkohë që karriera e Harris vazhdoi me ritëm të lartë, e saja u ngadalësua – një realitet që ajo e lidh edhe me seksizmin në kastime. “Por ne jemi mësuar t’i kemi krahët e njëri-tjetrit,” thotë ajo.

Madigan kujton edhe qëndrimin e saj të famshëm në Oscars 1999, kur ajo dhe Harris refuzuan të duartrokisnin një regjisor të nderuar për shkak të veprimeve të tij politike në të kaluarën. “Ka vija që nuk duhen kaluar,” thotë ajo. “Nuk besoj te ‘fal dhe harro’ për disa gjëra.”
Politika mbetet një burim zemërimi për të. Ajo flet hapur për zhgënjimin ndaj realitetit amerikan sot dhe pranon se, pas zjarreve, mendoi ta linte vendin. “Megjithatë, jam ende krenare që jam amerikane. Njerëzit janë të frikësuar, por edhe të zemëruar. Dhe po rezistojnë.”
Nominimi i ri për Oscar, pas 40 vitesh, i duket si një shpërblim i vonuar për dekada pune të palodhur. “Është një ndjesi e çuditshme,” thotë ajo. “Njerëzit po reagojnë ndaj Gladys-it. Por duhet ta pranoj se po reagojnë edhe ndaj meje.” /GazetaExpress/